PD miraton nismën për imunitetet - PS trembet dhe bën barrikadë
Një nismë e propozuar nga ndërkombëtarët dhe e miratuar nga socialistët para një viti, është aplikuar dje prej ligjvënësve të mazhorancës (PD + LSI), si një nismë për t’u hapur rrugën hetimeve të drejtësisë ndaj deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Edi Rama kapet “jashtë loje” dhe ngre barrikadën “kundër”, nga tmerri se do i zbulohen lidhjet me botën okulte financiare që e ka marrë peng
Debatet për kufizimin e imunitetit, një ndër kërkesat e Bashkimit Europian në kuadër të rekomandimeve për statusin e kandidatit, kalon në një hap konkret. Përveç reformës zgjedhore, heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë të shtetit është një nga kriteret kyçe që vendi ynë duhet të përmbushë në rrugën e integrimit evropian.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë mbledhur firmat për heqjen e imunitetit, në një nismë për ndryshimin e Kushtetutës e cila është depozituar në Parlament. Javën e ardhshme nisma do të shqyrtohet në komisione dhe është parashikuar të miratohet dhe në seancë plenare. Pritet për t’u parë me çfarë reagimi do ta përcjellë opozita nismën e mazhorancës, ndërsa për miratimin e të cilës duhen edhe votat e pakicës parlamentare.
Drafti i dorëzuar nga mazhoranca përmban 5 nene dhe nismëtaret thonë se kanë përshtatur në shqip një material që edhe socialistet e kane pranuar. Behet fjale për dokumentin e EURALIUS-it, misionit të Bashkimit Europian për drejtësinë dhe PACE-s, projektit të Këshillit të Europës për luftën kundër korrupsionit.
Këto dy projekte të diskutuara publikisht ne tetor te vitit te kaluar zhveshin nga imuniteti kryeministrin, ministrat, deputetet, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të gjithë gjyqtaret, Avokatin e Popullit, kryetarin e Kontrollit të Larte te Shtetit. Aktualisht në Kushtetutë deputeti dhe ministrat nuk mund të ndiqen penalisht pa marrë më parë autorizimin e Kuvendit.
Sipas propozimit të mazhorancës, ky nen shfuqizohet sipas propozimit të mazhorancës. Deputetet dhe ministrat kanë vetëm një mbrojtje. Atyre mund t’u kthehet imuniteti, nëse gjykohet se me veprimet ndaj një deputeti të caktuar po cenohet ndjeshëm funksionimi i kuvendit. Në nismën e mazhorancës është hequr imuniteti edhe për të gjithë rangun e gjyqtarëve, të cilët më parë mbroheshin nga ndjekja penale nga organet eprore të tyre ose nga vetë Gjykata Kushtetuese, në rastin e anëtarëve të saj. Kryetari i grupit parlamentar te Partisë Demokratike Astrit Patozi beson se kjo nisme do të nisë shqyrtimin javën e ardhshme ne parlament për t’u miratuar sa me shpejt ne seance plenare përpara mbylljes se këtij sesioni.
Që Kushtetuta te ndryshohet duhen 93 vota deputetesh, pra, detyrimisht kërkohet edhe konsensusi i opozitës. Për këtë arsye Partia Demokratike ftoi Partinë Socialiste t’i bashkohet kësaj nisme për heqjen e imuniteteve dhe ta miratojnë së bashku sa më shpejt për të përmbushur një nga detyrimet e procesit për integrimin evropian të Shqipërisë.
Partia Demokratike që prej ardhjes në pushtet ka hedhur hapa konkretë për kufizimin e imunitetit të deputetëve, fillimisht me anë të një projekt-vendimi, i cili i shkoi për opinion komisionit të Venecias. Ky i fundit vlerësonte nismën, por e konsideronte të rëndësishëm edhe pëlqimin e opozitës në parlament. Përpjekja e radhës e mazhorancës ishte vitin e shkuar, ku përmes një aneksi në rregulloren e Kuvendit deputetët e mazhorancës lanë në mënyrë vullnetare imunitetin edhe ky një hap pasi opozita refuzoi të angazhohej në një nismë të përbashkët me mazhorancën.
Nisma synon kufizimin e imunitetit jo vetëm për deputetët, por për të gjithë zyrtarët që e gëzojnë atë si një masë e fortë antikorrupsion. Të mërkurën Kryeministri përsëriti dhe një herë apelin ndaj kreut të opozitës që të miratohet kufizimi i imunitetit, si një nismë që bëhet për barazinë e zyrtarëve me qytetarët shqiptarë para ligjit.