PD ndez motorët e fitores së 23 qershorit
Kryeministri Sali Berisha ka takuar strukturat e PD të Qarkut Tiranë dhe ka bashkëndarë projektin për një “Fitore të thellë dhe të shkëlqyer më 23 qershor”. “Entuziazmi do të shpërblehet me një fitore të thellë dhe të shkëlqyer”, thotë kryetari i mazhorancës, i cili paralajmëroi se 3 ligjet e integrimit do t’i votojë sovrani në referendum pas fitores së mandatit të tretë
Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi dje një takim me strukturat e Partisë Demokratike të Qarkut të Tiranës, për organizmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit.
Kreu i qeverisë u shpreh pas takimit se, entuziazmi i mazhorancës dhe i të gjithë bazës së Partisë Demokratike, do shpërblehet me një fitore të thellë dhe të shkëlqyer. “Së pari, mbledhje nga fjala e parë tek e fundit teknike. Së dyti, menaxhimi i entuziazmit të madh që ka përfshirë bazën e Partisë Demokratike, strukturat dhe mbështetësit e saj dhe optimizmi i tyre për një fitore të thellë, fitore të shkëlqyer të 23 qershorit”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu, kreu i ekzekutivit akuzoi kreun e PS për mosvotimin e 3 ligjeve, duke u bërë shkak i bllokimit të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Berisha tha se, në mungesë të votave të Partisë Socialiste, do jenë qytetarët shqiptarë ata që me votën e tyre në referendum, pas fitores së mandatit të tretë nga PD, do t’i votojnë 3 kushtet e Brukselit, për marrjen e statusit. “Tre ligjet janë peng me të cilat Edi Rama bllokoi statusin e vendit kandidat. Qeveria dhe mazhoranca kompletoi të gjitha reformat me të cilat u bë e mundur që Komisioni Europian të rekomandojë statusin. Edi Rama i bllokoi ato me votat e tij vetëm e vetëm që Shqipëria të mos marrë statusin. Tani siç njoftuan burimet më zyrtare të Brukselit, nuk ka më kohë për t’u bërë raport për Shqipërinë dhe para gjithë ministrave. Pasi u sigurua se nuk do të bëhet raporti për statusin, i përdori këto për t’u hedhur hi syve qytetarëve Shqiptarë. I votoj, s’iu votoj, por e vërteta është që po s’i votoi do t’i votojë sovrani në një votë plebishitare në referendum pas fitores dhe gjatë mandatit të ardhshëm të Partisë Demokratike”, theksoi kryeministri.
BE: S’ka raport për Shqipërinë më 16 prill/ “Riorganizimi politik në Shqipëri nuk do të ndryshojë pritjet e Brukselit, që kërkon ndaj Tiranës zyrtare të kalojë nga fjalët në vepra”. Kështu ka deklaruar Peter Stano, zëdhënësi i komisionarit evropian për zgjerim, Stefan Fule. “Në këtë fazë dëgjuam dhe deklarata, por kemi nevojë për rezultate”, thotë Stano. Ndërkohë më 16 Prill nuk do të ketë raport mbi Shqipërinë nëse nuk ka zhvillime mbi pritshmëritë e Brukselit, sikundër pritet për vende si Maqedonia, Serbia e Kosova. “Kështu që Komisioni do shpallë raport për Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Komisioneri Fule ka thënë për Shqipërinë, që është i gatshëm të raportojë nëse ka progres në procesin e integrimit. Deri tani ka vetëm deklarata dhe ne presim rezultate”. “Ajo që ka rëndësi, theksoi Stano është, konsensusi politik për të bërë hapa para, nën një shpirt dialogu konstruktiv dhe bashkëpunues”.