E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krushqia e re e së PS-së, nxitje e kujtesës për të djathtën

06-04-2013 / Nga Eden Babani

Divorci i Metës me Berishën dhe krushqia e tij me Ramën është anatemuar, më shumë sesa është përshëndetur, qoftë nga militantët e PS-së, qoftë nga ata të LSI-së. Që të ulë efektin e komenteve në rrjetet sociale të internetit, bash nga komentues të majtë, Rama u është drejtuar atyre me dy letra të gjata, ku bie në sy jo aq euforia, sa dëshpërimi për dasmën e saponisur, jo aq arsyet programore që do ta çonin koalicionin e ri drejt fitores, sa qëllimi “për të hequr qafe Saliun”. Fyerjet, sharjet, mallkimet, smira tingëllojnë në të dyja letrat si saze të përmortshme. Paksa më i përmbajtur se Rama, duke dashur të qetësojë elektoratin e vet, Meta tha në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të partisë së tij se, si forca të së majtës, PS dhe LSI “i takojnë familjes së majtë evropiane, që e ka mbështetur LSI-në që nga themelimi i saj e në vazhdim”. Për fat të keq, edhe Meta s’e ka fshehur dot zemërimin ndaj “mistrecllëqeve që u takojnë njerëzve të veckël, që jo vetëm s’kanë bërë politikë, por edhe se kuptojnë atë politikë”. Në të dy rastet, sipas meje, nuk është e vështirë të vërehet një lloj nervozizmi te të dy liderët partiakë, shkaktuar nga mosmiratimi i lëvizjes politike sapo të ndërmarrë.
Dihet mirëfilli se mblesëria u bë me bekimin e së majtës europiane, tashmë e lodhur tej mase nga paudhësitë e liderit socialist shqiptar. Ndoshta mblesëria do të ketë filluar qysh natën e ngjalave, por lajmësit do t’i kenë dhënë Ramës kohë të provonte shansin edhe një herë. Hiq Papandreun, i cili ka hallet e veta përmbi ato të Ramës, mblesët e tjerë europianë do t’i ketë shqetësuar fakti i së majtës shqiptare që herë bashkohet e herë ndahet, herë ngjan se po njësohet e herë se po shkërmoqet.
S’do mend, largimi me lezet i Edi Ramës nga politika dhe dorëzim i PS-së në duar më të besueshme, në ato të djalit plëngprishës, do të ishte një farë lehtësimi për të majtën europiane, e cila ka telashe të tjera, më të mëdha se ato të Tiranës. S’janë të pakta telashet e Romës, fjala vjen, që të mos përmend ato të Parisit, ku popullariteti i Presidentit të majtë francez, Fransua Holandë, është në rënie të vazhdueshme.
Kushedi sepse, lajmësit e kanë lënë hë për hë mënjanë fenomenin Nano, i cili, gjithsesi nuk duhet nënvleftësuar. A thua ta kenë harruar? Nuk e besoj. Madje as ta kenë nënvleftësuar. Më e besueshme do të ishte të pranonim se, njëherë për njëherë, e majta europiane po zbaton një pjesë të skenarit të saj, atë për të eliminuar Ramën. Pjesën tjetër, me të parë e me të bërë, kur t’i vijë koha. Nëse çifti i ri do të rezultojë i pasuksesshëm në zgjedhjet e 23 qershorit dhe do të kacafytet mes vedi, duke ia lënë fajin në derë njëri-tjetrit, në lojë do të hidhet letra Nano. Më duket e hollë vërejtja e Sejdi Pekës, sipas të cilit “nuk është shumë e sigurtë rruga e Metës në këtë aventurë egoiste, pasi ka shumë mundësi që, në këtë lojë, është në pritje edhe Fatos Nano dhe Meta nuk e ka të lehtë me ujkun e vjetër të së majtës shqiptare”. Me një lider të ri në moshë, por të përfolur për afera të dyshimta, e majta shqiptare do të parapëlqente të rikthehej aty ku filloi ndarja e madhe e vitit 2004. E stërlodhur me aventurat e njërit ose të tjetrit lider socialistët, ajo do të shihte te Nanoja një dritëz shpresëdhënëse për rimëkëmbje në të ardhmen.
Tashmë, divorci Meta – Berisha ka ndodhur, sado i papritur për shkak të mjaft arritjeve të qeverisjes katërvjeçare. Pas hutimit që shkaktoi ditëve të para te shumë vëzhgues, profesionistë ose amatorë, tashti ka ardhur koha që numrat t’ua lëmë pragmatistëve, aq shumë të përgjëruar pas aritmetikës së thjeshtë: një edhe një na bëjnë dy. Le të marrim hë për hë në konsideratë pasojat politike, të cilat, sido që t’i vërtitim, mu atje do të na çojnë sërish, te numrat.
Kush fitoi nga divorci dhe nga martesa e re? Sipas meje, fitoi politika shqiptare. Normalisht, rigrupimi i natyrshëm i forcave politike sipas ndarjes tradicionale majtas ose djathtas, duhet të sjellë edhe lëvizje të tjera. Koha është e mjaftueshme që secila palë, e majta dhe e djathta, të reflektojnë që asnjë votë nga elektorati i tyre tradicional të mos shkojë dëm. Në këtë kuptim, zgjedhjet e 23 qershorit do të marrin vlerën e një referendumi që do ta përcaktojë Shqipërinë majtas ose djathtas. Në kushtet kur politika u nënshtrohet interesave pragmatiste të krerëve partiakë, çka ngjall pakënaqësi në elektorat, votuesi i zhgënjyer duhet ta gjejë veten ndokund. Unë jam i bindur se afro gjysmë shekulli nën thundrën e diktaturës së majtë, votuesit e djathtë shqiptarë, por edhe ata të pavendosur a të zhgënjyer, s’do ta lënë vendin të bjerë sërish nën një terror të ri të së majtës, ku ende gjallojnë bllokmenët. Idealet integruese të LSI-së, të cilat u jetësuan në katër vitet e qeverisjes me PD-në dhe për të cilat ajo ka merita të padiskutueshme, nuk ka sesi të mos bien ndesh e të mbeten në pakicë, përballë një turme “politikanësh” bllokues, që i marrin urdhrat me sms. Krushqisë së re nuk do t’ia shohë sherrin vetëm LSI-ja që iu largua qendrës për t’u zhvendosur drejt skajit të majtë, por gjithë vendi, i cili do të gjendet përballë një opozite simbiozë dhe heterogjene, ku palët e bashkuara s’do ta gjejnë kurrë fjalën njëra me tjetrën. “Shqipërinë, tha Kryeministri Berisha në vendin ku prehen eshtrat e Ibrahim Kodrës, e ka shpëtuar dhe do ta shpëtojë e djathta e saj e bashkuar”. Le të shërbejë thënia e tij si një thirrje përbashkuese për të djathtën.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›