Vendosmëria europiane në vazhdimin e reformave
Një pjesë e mirë e botës politike europiane nuk është tulatur nga kriza madje po kërkojnë që të vazhdohet me vendosmëri në reformat ekonomike të nisura këto vitet e fundit. Natyrisht që klima nuk është nga më të mirat e mundshme në vendet anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë lloj klime edhe problemet duken si të pambarimta si pasojë e krizës ekonomike. Ka shumë politikanë, gazetarë, por edhe shumë njerëz të lidhur ngushtë me fatet e Europës të cilët janë të bindur se Europa do t’i kalojë madje dhe shumë shpejt problemet e saj. Për Europën dhe ëndrrën europiane është punuar prej vitesh e vitesh dhe duhet të vazhdohet në këtë mënyrë. Sidoqoftë tashmë në Europë po shihet se ka shumë kategori njerëzish të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë kundër Europës sepse kërkojnë të mbrojnë interesat politike kombëtare. Ka ende shumë të tjerë të cilët përcaktohen si euroskeptikë të cilët kishin dyshime për bashkimin e tregjeve për të mos folur pastaj edhe për bashkimin monetar. Ajo që bie në sy është fakti që euroskeptikët po rriten dita – ditës në vendet që hodhën bazat e Europës së sotme, bazat e Bashkimit Europian. Nuk duhet harruar gjithsesi se për vetë specifikën e saj Europa ndryshon shumë nga vendet e tjera mike dhe aleate të saj të kahershme. Ndryshimet më të mëdha dhe më të dallueshme janë ndryshimet ekonomike. Bashkimi Europian apo dhe vetë Banka Qëndrore Europiane nuk mund të ndjekin hap pas hapi vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe si Japonia. Një vend si Japonia ka deklaruar një operacion stimulues për monedhën e saj dhe kjo nxitje është konsideruar shpejt si një nismë e paprecedentë të cilën nuk mund ta aplikonte kurrsesi Banka Qëndrore Europiane. Europa ka në njëfarë mënyre një status special të mbushur gjithsesi me shumë paqartësi sidomos në të ardhmen e saj institucionale dhe ekonomike të zonës euro por edhe të disa vendeve të saj të veçanta të cilat kanë probleme aktuale politike. Ka shumë analistë të cilët i tremben Europës dhe të ardhmes së saj dhe sipas të cilëve shumë prej arterieve të kontinentit të vjetër janë të bllokuara dhe ekziston frika e një infrakti që pas Qipros mund të përhapej në vende si Hollanda apo Franca. Sidoqoftë detyra e Bankës Qëndrore Europiane nuk është rikapitalizimi. Ndoshta duhet që vetë qeveritë europiane të punojnë me bankat dhe nga ana tjetër duhet të nxisin firmat duke i paguar kreditë dhe mbi të gjitha duke reformuar ekonominë e tyre. Presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi i ka kërkuar qeverive që të jenë të përgjegjshme dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në këto momente janë historike. Nga ana e tij presidenti është i gatshmëm që të reagojë për të zgjidhur problemet e veçanta të vendeve europiane. Natyrisht interesat janë shumë të larta, ka mes tyre interesa politike dhe zgjedhore por sidoqoftë duhet që bashkimi monetar të jetë gati në gjysmën e viti 2014. Rasti i Qipros ka dëshmuar se emergjencat bankare të papritura janë shumë të rrezikshme dhe mund të shpien në efektin domino edhe për vendet e tjera europiane. Sidoqoftë po flitet gjithmonë dhe më shumë se shpejt do të ketë një rikapitalizim direkt të bankave. Ndërkaq do të përcaktohen edhe garancitë bankare të depozitave. Nëse të gjitha këto rregulla do të zbatoheshin ndoshta nuk do të kishim një rast si ai i Qipros dhe sipas të gjitha gjasave e gjithë ajo që ndodhi nuk do të kishte ndodhur. Natyrisht ka ende edhe shumë probleme që lidhen me vullnetin politik sepse teksti juridik që mban në këmbë mekanizmin unik supervizor është shumë i fortë dhe do t’i japë Bankës Qëndrore Europiane të gjitha instrumentet që sot vendet europiane i kanë në nivel kombëtar. Në këtë mënyrë nuk do të fshiheshin rastet si ai i Laiki Bank apo si rasti i Deutshe Bank në Gjermani. Gjithçka do të ishte më e qartë dhe nuk do të kishte të papritura ekonomike.