Greva, 20-vjeçari i rikthehet grevës së urisë

Romeo Sinaj nga Vlora lë grevën vetëm për disa orë për shkak të humbjes së ndjenjave dhe rikthehet sërish
"Do të rikthehem përsëri në grevë dhe nuk do të ndaloj edhe para rrezikut për jetën". Kështu u shpreh për gazetën 20-vjeçari grevist, Romeo Sinaj nga Vlora, i cili u detyrua dje të linte grevën e urisë për disa orë, pasi humbi ndjenjat. Mjeku që e ka ndjekur theksoi se djali ka marrë vetëm serum në spital dhe pas realizmit të gjitha analizave do të rikthehet përsëri në grevë.
Sapo ka lënë dyert e Urgjencës së Patologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Romeo Sinaj i vendosur është nisur rreth orës 17:30 minuta për tu futur sërish në grevë, ndonëse fiziku i tij shumë i dobët dukej se e ka të papërballueshme.
Mjekët thanë se keni humbur ndjenjat në grevë. Mund të na thoni se si ndiheni tani?
Nuk e mbaj mend momentin që kam humbur ndjenjat. Mendoj se zgjati për pak kohë kjo situatë, pasi kur erdha në spital dhe mora serum u përmenda e tani jam gati të futem sërish në grevë. Sigurisht që këtu më kanë bërë të gjitha analizat dhe e vetmja gjë që kam konsumuar është serumi.
Edhe pse humbët ndjenjat dhe përfunduat në spital, do të rrezikoni sërish?
Nuk e quaj ndonjë rrezik të madh. Unë do të vazhdoj grevën së bashku me të tjerët deri sa vullneti për votën e lirë dhe të ndershme të popullit të zbatohet. Nëse ky vullnet nuk zbatohet, ju duhet ta dini se ky është rreziku më i madh dhe jo humbja e ndjenjave apo rrezikimi i jetës në një grevë urie.
Sa vjeç jeni dhe për çfarë studioni?
Edhe për një muaj mbush 20 vjeç. Për herë të parë kam votuar në zgjedhjet e qershorit. Është për të ardhur keq që unë dhe shumë bashkëmoshatarë të mi na u desh të zhgënjeheshim nga këto votime, sepse u vodh vota e lirë e popullit. Tani jam student në degën Administrim-Biznes në Universitetin e Vlorës.
Përse vendosët të merrni pjesë në këtë grevë dhe aq më tepër tani po merrni vendimin për tu rikthyer sërish, ndonëse mjekët theksojnë se keni fizik të dobët për të përballuar grevën e urisë?
Po është shumë e thjeshtë. Jam këtu për një parim, për të cilin dua të luftoj deri në pikën e fundit. Kjo Qeveri po mohon votën e lirë të popullit. Vota është një e drejtë legjitime e çdo njeriu dhe nuk duhet vjedhur, por duhet fituar.
*************************
Vasili, letër Ramës dhe Topallit për grevistët
TIRANË - Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i ka nisur dje letër kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, për një bashkëpunim sa më efektiv dhe të shpejtë për dhënien e ndihmës shëndetësore grevistëve që kanë paraqitur probleme me shëndetin e tyre.
"Duke vlerësuar që greva e urisë ka hyrë tashmë në ditën e katërt të zhvillimit të saj, si dhe faktin që pjesëmarrës të saj janë edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe ku rendimi i gjendjes shëndetësore është i paevitueshëm, ju siguroj për gatishmërinë maksimale të strukturave shëndetësore publike shqiptare për të ofruar ashtu si edhe deri tani mbështetjen e tyre të plotë për garantimin e ndihmës mjekësore ndaj grevistëve të urisë", - pohon Vasili, duke shtuar se ekipet mjekësore publike janë të gatshëm që të ofrojnë ndihmën e tyre edhe brenda mjediseve ku zhvillohet greva, në bashkëpunim me ekipin mjekësor vullnetar që shërben atje për të asistuar sa më mirë dhe me cilësinë e duhur grevistët e urisë.
********************
Grevisti Ceka me diabet, ende rëndë
TIRANË - Ramazan Ceka është grevisti tjetër i tretë që është detyruar të lërë mjediset e grevës së urisë për shkak të rëndimit të situatës shëndetësore. Mjekët pohojnë se Ceka vuante nga diabeti i sheqerit, ndaj dhe situata shëndetësore e tij është rënduar shumë. "Gjatë ditëve të grevës, pacienti ka shkrirë yndyrat e turpit dhe si pasojë dëmtimet i janë shfaqur edhe në veshka.
Pacienti ende nuk është përmirësuar ndaj dhe nuk bëhët fjalë që të vazhdojë grevën e urisë, pasi kjo do t'i rrezikonte seriozisht jetën", - pohojnë mjekët vullnetarë të grevës së urisë.