E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasil Bollano: Nuk jam antishqiptar!



Vasil Bollano thotë një të vërtetë ndryshe për veten dhe për ato çfarë ai thotë dhe ai bën. Kryetar i Bashkisë së Himarës dhe drejtues i organizatës që përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri ai bëhet head-line sa herë flet. Deklaratat e tij për Epirin e Veriut, përplasja me drejtësinë për tabelat rrugore në gjuhën greke apo takimet me politikanët e vendit fqinj bëhen gjithmonë argument nacionalizmi dhe Bollano është në shënjestër. Ndërkohë Bollano, një minoritar grek, lindur e rritur në Shqipëri me prindër helenë, është votuar si kryetar bashkie nga qytetarë shqiptarë më së shumti dhe minoritarë. Ai vetë duke folur për “standard” e lidh me të qenit kryebashkiak gjithë zhurmën që ngrihet rreth deklaratave të tij. Nuk tenton t’u heqë ndonjë presje këtyre deklaratave, por nga ana tjetër thotë se zbaton Kushtetutën dhe ligjet e shtetit shqiptar dhe se nuk i ka shkelur ato në asnjë rast. Bollano thotë se në atë që ai bën e thotë nuk ka vend për aq shumë nacionalizëm sa u vishet në media, por nga ana tjetër ai akuzon pronarë mediash dhe njerëz të lidhur me median se këtë e bëjnë për interesa të ngushta që kanë të bëjnë me leje ndërtimi në bashkinë që ai drejton. Dhe për të thënë të drejtën një qytet bregdetar si Himara me prespektivë turizmin nuk ka si të mos jetë i lakmuar për këtë gjë. Ai flet për marrëdhënie të mira me PBDNJ-në që drejtohet nga Vangjel Dule, por ndryshe nga ai, nuk e sheh aspak si tradhti apo si problem futjen në listat e deputetëve të PD-së të shumë ish-figurave të kësaj partie.

Intervistoi: Blerina Gjoka

Vasil Bollano, ju jeni kryetar i një bashkie të vogël të vendit, por në fakt i pushtoni faqet e gazetave aq herë në vit, sa mund të ishit një ministër ose një yll i sportit. Ajo që ju bën një personazh kontravers dhe shumë të ndjekur nga media, janë kryesisht deklaratat tuaja. Herë të thëna publikisht e herë në ambiente informale frazat tuaja bëhen ushqim për lajme me shkronja të mëdha, duke u dhënë ngjyrime nacionaliste e antishqiptare. Me pak fjalë, rreth jush janë krijuar glorifikime dhe nga shumëkush shiheni si një nacionalist i thekur grek, që punoni ditë e natë për “pushtimin” e Jugut të vendit, çdo takim me politikanë grekë shihet si një konspiracion ndaj Shqipërisë etj., etj.... Ju vetë si do ta përshkruani veten tuaj?

Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje në disa nivele. E para: Drejtoj një bashki me shumë interesa zhvillimi e cila është akoma e virgjër. Këto interesa kryesisht në fushën e ndërtimit dhe të zhvillimit të turizmit i kanë të njëjtët njerëz të cilët kontrollojnë dhe një pjesë të konsiderueshme të shtypit dhe të medias elektronike. Përderisa këto interesa në momentin aktual nuk kanë gjetur terren spekulimi siç bëhet në shumë vende të tjera, që e dimë shumë mirë së çfarë ka ndodhur në vendet e tjera bregdetare, një shkatërrim i plotë në drejtim të zhvillimit. Me një ndryshim veç, ndërtuesit mbushen xhepat u majmen, ndërsa zhvillimi i turizmit afatgjatë është goditur në mënyrë të pakthyeshme.

E dyta: Shpeshherë të gjitha takimet e shumta brenda e jashtë vendit me personalitete si të vendit, por dhe të vendeve të tjera marrin interpretimin analog të së kundërtës së qëllimit që kryhen këto takime. Unë si drejtues politik i PBDNJ-së, i organizatës OMONIA dhe si kryetar i bashkisë ku prej shumë vitesh jam i zgjedhur, krijoj mundësinë e këtyre takimeve, por shpesh dhe më ftojnë për takime të ndryshme ose përfaqësoj këto subjekte, për probleme që kërkojnë zgjidhje siç janë problemet politike, problemet e zhvillimit të bashkisë, probleme që shqetësojnë minoritetin grek, kështu që për këtë aktivitet të gjerë që kam si drejtues politik e vendor është më se e nevojshme që të kem këto kontakte.

Interesat e sipërpërmendura në çdo fushë këto kontakte i shikojnë si suport politik që i pengon ata për qëllimet e tyre. P.sh. takimet me personalitetet brenda vendit këtu e gjashtë vjet për një kohë të gjatë një pjesë e shtypit të shkruar dhe elektronik kanë tentuar t’i shfaqin dhe të akuzojnë si lidhje të fshehta korruptive në lidhje me pronat, por asnjëherë s’u vërtetua një gjë e tillë, bile akuzat arritën kulmin, saqë më akuzuan pse mbështeta realizimin e masterplanit, që në fushën e zhvillimit urban dhe sidomos për ne që jemi vend turistik, realizimi i masterplanit është hapi i parë galopant për frenimin e keqtrajtimit të sipërfaqeve bregdetare dhe hapi i dytë për të realizuar studime urbanistike për një zhvillim afatgjatë apo janë përpjekur që të mos realizohen studimet urbanistike, por të jepen leje masive me studim pjesor, sepse kjo u intereson atyre.

Ndërsa takimet jashtë vendit mundohen t’i lidhin me veprime “antishqiptare” dhe jemi dëshmitarë që asnjëherë s’është vërtetuar, sepse reflektimet e këtyre personaliteteve të këtyre vendeve apo organizmave ndërkombëtare nuk kanë qenë asnjëherë negative ndaj Shqipërisë, e kundërta ka ndodhur, kanë mbështetur ecurinë ekonomike, politike në vend dhe integrimin e vendit.

Ne i kemi akuzuar këto interesa dhe politikisht dhe në organet e drejtësisë, prandaj dhe akuzojmë zhurmën që bëhet në emër të patriotizmit të tyre, por kuptohet që jo vetëm s’kanë gjetur mbështetje, por koha dhe populli i ka lënë mbrapa. Kjo vihet re ku shumë zëra të tillë dhe politikisht të ngelen jashtë dhe nuk i shërben askujt as patriotizmi dhe as nacionalizmi i këtij lloji.

Unë si përfaqësues i minoritetit etnik grek, por edhe minoriteti etnik grek do të vazhdojmë të respektojmë të drejtat e njeriut dhe në respekt të vlerave të minoritetit të bashkëpunojmë dhe të jemi konstruktivë me qeverinë për ecurinë pozitive të vendit, pra ne jemi faktor dhe jo thjesht aktorë në këtë ecuri të pakthyeshme për vendin.

Zoti Bollano, nuk mund të mos ju pyesim që në nisje për një nga deklaratat më të fundit tuajat që mediat e përcollën sërish me interes. Në një konferencë për të drejtat e njeriut ju pak a shumë thatë se “Shqipëria është një territor i banuar nga greket që në shekullin e shtatë para Krishtit, të cilët themeluan edhe qytetin e Dyrrahut, Durrësin e sotëm, dhe se tre të pestat e popullsisë në Jug ishin grekë që flisnin greqisht, ndërsa një pjesë tjetër sërish grekë, por që flisnin gjuhën vllahe”. A mund të shpjegoni për lexuesit e gazetës “standard” pak më gjatë e pak më qartë këtë deklaratë, që për nga rëndësia historike ndoshta nuk mund të përmblidhet vetëm në një fjali?

Fillimisht, jo nuk thashë grekë që flasin gjuhën vllahe, por vllahë që flasin gjuhën greke dhe këtë e shprehin vetë kështu dhe jo unë. Unë si përfaqësues u desh të shprehem se në thellësi të shekujve minoriteti etnik grek jeton në këto vende ku banojnë dhe sot. Ajo u duk dhe në referimin tim dhe s’kishte qëllim dhe nuk praktikohet asnjëherë nga ne për t’iu referuar numrave dhe vazhdojmë të këmbëngulim që duhet realizuar numërimi i popullsisë dhe të marrin fund spekulime të tilla. Patjetër që për çështje të tilla duhen shkruar faqe të tëra, por unë besoj se çdo popull e ka shkruar historinë e tij dhe është krenar për të, rëndësi ka që njerëzit kanë më shumë pika që i bashkojnë me njëri-tjetrin sesa pika që i ndajnë. Unë personalisht besoj te bashkëpunimi, integrimi i shoqërisë.

Sot, shqiptarë dhe grekë, nesër qytetar evropianë, pra për ne nuk kanë rendësi numrat, ngjyrat, besimet, por njëkohësisht nuk mund ta ndiejmë veten të diskriminuar sepse i takojmë një minorance.

Duke përfunduar, dua të them që ajo ishte një konferencë e hapur publike, çfarëdo diskutohet të dëgjohet, kush ka mendim ndryshe, t’i shprehë në konferencë, mirëpo këta njerëz zgjedhin rrugën tjetër, të zhurmës në shtyp pa koncept; shpeshhere humbasin dhe kontrollin, por do të shprehesha në mënyrë figurative, treni i la në të njëjtin stacion dhe ata nuk hipën dot. Politika shqiptare ka ecur, shikohen fenomene që para disa vitesh i shikoje vetëm në vendet e konsoliduara dhe shprehje e kësaj ecurie është koalicioni qeverisës. Ata që duan të merren me analiza të tilla i ftojmë në këto konferenca të vijnë e të thonë mendimin apo faktet që kanë, por ata zgjedhin rrugën e zhurmës dhe nuk merren me çështjen, por merren me personin, sepse dhe problemi që kanë, është personi Vasil Bollano, administratori i territorit të Bashkisë Himarë.

Nuk dua të përmend emrin, sepse nuk është as në praktikën, as në filozofinë time, por një gazetar i njohur ka punuar e punon në gazeta me qarkullim të madh më tha se po t’i jepja 500 m2 për të bërë një vilë jo që nuk do të shkruante keq, por do të lobonte dhe tek të tjerë që të mos sulmojnë kryetarin e Bashkisë Himarë. Kjo s’mund të realizohej, sepse tokat e Himarës nuk janë pronë e Bollanos.

A mendoni se qëndrimet tuaja në ndonjë rast kanë shkelur Kushtetutën e vendit, duke qenë një funksionar vendor i shtetit?

Brumosja, përkushtimi im në jetën politike, njëkohësisht filozofia që unë implementoj, nuk më lejojnë që të mos respektoj Kushtetutën që është themeli i një shteti. Por dhe përgjegjësia që unë mbart, më detyron dy herë më shumë që unë të mos e shkel dhe unë nuk e kam shkelur asnjëherë. Po të shikohen të gjitha kërkesat, ankesat zyrtare mbështetjen e gjejnë vetëm në legjislacionin përkatës të vendit.

Në mos gaboj, ju jeni lindur e rritur në Shqipëri dhe jeni shqiptar. A mund të na tregoni origjinën dhe historinë e familjes suaj? Çfarë ju thoshin prindërit tuaj kur ishit fëmijë për marrëdhëniet greko-shqiptare?

Është e vërtetë që unë kam lindur në Shqipëri dhe jam shtetas shqiptar dhe s’jam ndier asnjëherë ngushtë për këtë. Familja ime më dha kulturën e origjinës; që kur fillova të thosha fjalët e para i thashë në gjuhen amtare greqisht, më kultivuan traditën, zakonet, origjinën tonë dhe nuk ndihem keq, por jam krenar për to. Familja ime me ka dhënë edukatën familjare dhe të jem i vlefshëm për familjen dhe shoqërinë. Këtë ua kam shpërblyer, ku me punën time jam dalluar si njeri me norma në shoqëri, i palodhur dhe i vlefshëm për të dhe pa krijuar asnjëherë probleme.

Zoti Bollano, ndërkohë që drejtoni bashkinë e një qyteti të bukur bregdetar si Himara, ju aktivizoheni dhe në politikë, nëpërmjet drejtimit të organizatës OMONIA. Kjo organizatë është parë shpeshherë si një pjesë e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në të vërtetë, cilat janë marrëdhëniet tuaja me këtë parti? Sa e pavarur është OMONIA nga PBDNJ dhe sa ndikuese është ajo në vendimmarrjen e kësaj partie?

Marrëdhëniet e organizatës OMONIA me partinë PBDNJ janë shumë të mira, por dhe marrëdhëniet e mia me z. Dule janë shumë të mira. Organizata OMONIA është e pavarur në vendimet e saj nga PBDNJ, por ngaqë janë në unison të plotë me PBDNJ, duket sikur PBDNJ ndikon ose anasjelltas. Sigurisht kjo pavarësi vendimmarrjeje dhe fryma e debatit demokratik që ekziston në këto subjekte politike, shpeshherë keqinterpretohet, jo s’është dhe nuk ndikon.

Vendi ynë nuk është ndër ato vende që kritikohet për mosrespektim të të drejtave të minoriteteve, megjithatë ju e keni ngritur zërin shpesh sidomos për çështjen e regjistrimit. Çfarë mendoni se ka bërë mirë dhe drejt deri më sot shteti ndaj këtij minoriteti dhe çfarë duhet të bëjë më mirë?

Po është e vërtetë që vendi ynë ka regjistruar disa ecuri pozitive dhe dua të përshëndes qeverinë dhe Kryeministrin jo vetëm për arritjet që janë në fushën e të drejtave të njeriut, në përmirësimin e dukshëm të marrëdhënieve Shqipëri-Greqi, që shikohen dhe me xhelozi nga shumë qarqe, por dhe në aspektin ekonomik, ku gjatë mandatit të shkuar, qeveria implementoi dhe investoi në gjithë territorin ku banon minoriteti grek. Komuniteti grek dhe OMONIA dinë të vlerësojnë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë ketë. Por vendi ynë është kritikuar dhe për dhunë dhe për shkelje të drejtave të njeriut p.sh. relacioni i Departamentit të Shtetit për zgjedhjet në Himarë në vitin 2000, dhuna e ushtruar në qendrat e votimit, relacioni i Departamentit të Shtetit 2001-2002 e në vazhdim, kemi relacionin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Evropës që janë shumë kritike 2003-2004 e në vazhdim.

Megjithatë, a nuk janë probleme kur shkollat e minoritetit grek nuk plotësohen me libra, kur për shumë vite nuk investohej në këto zona nga shteti, problemi i pronave ende zvarritët, mungesa e arsimit në zona kompakte në gjuhen amtare, pjesëmarrja në administratën publike etj. Megjithatë, dua të shtoj së nuk duhet të shikojmë nëse ka apo s’ka kritikë, duhet të shikojmë sa këto probleme ekzistojnë. Mendoj që ekzistojnë dhe duhet në mënyrë konstruktive të vazhdojmë bashkëpunimin për eliminimin e tyre.

Pavarësisht deklaratave tuaja “të nxehta” politike dhe pas një problemi me drejtësinë për çështjen e tabelave rrugore në gjuhën greke, dukeni se ju keni marrëdhënie mjaft të mira me Kryeministrin Sali Berisha. Do të donim të dëgjonim nga ju se si janë vërtet këto marrëdhënie, qoftë njerëzore, qoftë institucionale?

Marrëdhëniet me Kryeministrin e vendit, doktor Sali Berishën, janë institucionale dhe janë shumë të mira. Këtu dua të shtoj diçka që marrëdhëniet s’ka pse të ndikohen nga procesi gjyqësor, ku vazhdoj të besoj te drejtësia dhe do ta ndjek deri në fund këtë çështje për të dalë e drejta. Për sa i përket organit të akuzës, mund të them vetëm kaq: është i ndikuar dhe vazhdon të jetë i ndikuar, sepse nuk shpjegohet ndryshe kur prokurori i çështjes merr vendim të pezullojë çështjen, ndërsa kreu i prokurorisë në njërin rast të tabelave e ushtroi vetë këtë detyrë, ndërsa në rastin e dytë në kundërshtim me ligjin, ia kaloi një prokurori tjetër, që kjo është e jashtëligjshme. Pra z. Malaj ose ka alergji nga grekët, ose ka mllef të pashpjegueshëm ndryshe …? Për këto jam prononcuar në kohen kur kanë ndodhur këto zhvillime, që çoi për gjykim çështjen. Por mënyra speciale dhe për metodën që është ndjekur gjatë procesit, ne jemi ankuar dhe kemi akuzuar direkt prokurorin e rrethit.

PBDNJ është në opozitë me qeverinë për herë të parë, ndërkohë që disa emra të njohur të minoritetit grek janë përfshirë në Partinë Demokratike dhe në qeveri. Çfarë po ndodh në gjirin e PBDNJ-së dhe OMONIA-s? Ju, cilin qëndrim përkrahni?

Është e vërtetë që disa emra dhe ish-drejtues të minoritetit grek janë përfshirë në PD dhe në qeveri, ata bënë përzgjedhjen e tyre. Zhvillimet janë të natyrshme mbas atyre që ndodhën, por dua të theksoj që PBDNJ është futur në Parlament dhe ka mbështetur punën e qeverisë, pra besoj se është një hap pozitiv dhe ky është një vendim kolegjial i subjektit politik. Koha do ti sheshojë dhe do të kthjellojë më mirë në të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›