E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, në një krizë fallco prej Lulëzim Bashës

Share

Nga Mero Baze

Kriza e zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë është futur në një spirale degraduese për autoritetin e Sali Berishës dhe shumicën në pushtet. Edhe pse ndryshimet kushtetuese favorizuan Berishën ta zgjidhte këtë ngërç pa asnjë kosto, ai po e pëson pikërisht nga lehtësia me të cilën mund ta zgjidhte problemin e presidentit. Kjo garë nuk do të kishte asnjë emocion dhe asnjë vlerë, nëse dyshja Lulëzim Basha Ilir Meta nuk do të bëheshin bashkë për të shantazhuar Partinë Demokratike dhe për ta çuar situatën këtu ku e çuan.

Frikacak, hilanjoz, njeri skutash dhe i pafuqishëm për ti dalë ballas debatit politik brenda Partisë Demokratike, Lulëzim Basha vuri në funksionim një mekanizëm të tërë intrigash dhe hilesh, herë parimore e herë meskine, për të marrë gjithë pushtetet brenda Partisë Demokratike. Aleanca e tij e fortë me Ilir Metën si një qendër pushteti brenda shumicës, tentoi këtë radhë të marrë gjithë pushtetet duke marrë dhe Presidentin e Republikës.

Duke përdorur presionin ndërkombëtar dhe alergjinë që ngjallte në opozitë emri i Jozefina Topallit, dyshja Meta-Basha arritën të shantazhonin Berishën dhe ta fusnin në një proces spiral, që tashmë e ka marrë zvarrë gjithë shumicën në pushtet. Ikja nga emri i Topallit tek Zaganjori dhe nga ky i fundit tek Artan Hoxha, ishte një vepër e pastër e këtij grupi, të cilët tashmë kanë mbetur të zbuluar. Shantazhuesi publik i grupit, Ilir Meta, është tashmë pa asnjë argument përse nuk pranonte Jozefina Topallin dhe pranonte fjala vjen Artan Hoxhën, i cili ishte një nga gladiatorët kryesorë të Berishës kundër opozitës. Më keq akoma nuk ka asnjë logjikë që Ilir Meta të bëjë sikur nuk pranon Jozefina Topallin dhe të pranojë Bujar Nishanin, një eunuk i frikshëm i pushtetit të Berishës, dhe në një gjendje shëndetësore poshtëruese për postin e presidentit, ku as dora që duhet të hedhë firmën nuk i punon.

Petrit Vasili pak çaste më parë doli dhe tha se LSI është e hapur për çdo propozim që vjen nga PD-ja, çka tregon se lufta e deritanishme e Ilir Metës nuk ka qenë as parimore dhe as për të mirën e Shqipërisë, por për ti rritur atij rëndësinë si politikan kulisash dhe për të marrë pushtetin brenda shumicës me mbështetjen klandestine të një politikani skuth, që fshihet pas pantallonave të Kunatit në Bashkinë e Tiranës.

Shqipëria po demonstron një mungesë përgjegjësie dhe një telendisje kombëtare, vetëm për shkak se ky politikan kulisash dhe i paburrë është fshehur skutave dhe po i ngre rëndësinë një procesi që në të vërtetë me Kushtetutën që është bërë, e ka zero shansin e krizës. Ai po demonstron gjithë frustrimet e tij si njeri i katapultuar në politikë, i cili mendon se në këtë jetë, çdo gjë fitohet me prapaskena, intriga dhe shantazhe. Dhe, nuk është e keqe që ai e mendon kështu politikën, por e keqja është se këto antivlera tashmë po japin pasoja të rënda për imazhin e Shqipërisë dhe degradimin e një procesi, i cili duhet të ishte thjeshtë një votim formal, nëse shumica do të shmangte, siç shmangu, dëshirën për konsensus.

Prej një muaji PD dhe Sali Berisha nuk po luftojnë me opozitën, por me pasojat e intrigave të çiftit Basha- Meta, të cilët me qetësinë me të cilën fusin paratë në xhepa, mendojnë se mund të futen në xhepat dhe blloqet e tyre gjithë institucionet dhe qendrat e pushtetit në këtë vend.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›