Presidenti i kryeministrit!
Nga Mero Baze
Ndodhi ajo për të cilën nuk ia vlente të kishim emocione. Sali Berisha zgjodhi presidentin e tij. Ilir Meta, i cili krijoi iluzionin se do të impononte në këtë garë një kandidat konsensual, ose së paku jashtë kryesisë së PD-së, duket se kish marr tankun për të vrarë një milingonë, Jozefina Topallin. Sapo Berisha hoqi Topallin nga lista dhe aleati i tij brenda PD-së, Lulëzim Basha, u ndje i kënaqur, Ilir Meta i dha mbështetje pa kushte Berishës për emrin e ri. Ishte Bujar Nishani, njeriu të cilin Familja Meta e ka futur në politikë në vitin 2005 duke i dhënë shanse të fitojë në Kombinat pasi i hoqën Igli Toskës 2800 vota. Sali Berisha ka tashmë presidentin e tij. Ndër të tijtë, zgjodhi më të urtin, më modestin, më të dëgjueshmin, më mediokrin, më të sigurtin. Vuan prej tri vitesh nga një sëmundje e ligshtë dhe ndoshta ka nevojë të pushojë në Presidencë. Nuk ka një raport zyrtar siç do të kishte hije për sëmundjen e tij dhe as ndonjë arsye përse mes gjithë atyre njerëzve të shëndoshë u gjet një me probleme shëndetësore, por me sa duket Berishës i duhet një president që të punojë sa më pak si i tillë.
Bujar Nishani i përket brezit të fundit të oficerëve të Shkollës së Bashkuar Enver Hoxha që iu bashkua me dëshirë Partisë së Punës në vitet e fundit të saj, dhe po me aq dëshirë dhe vullnet pushtetit të Partisë Demokratike. Në trazirat e Shkollës së Bashkuar ishte në anën e Vullnetarëve të Enverit, por më pas iu bashkua administratës së PD-së. Ka shërbyer si nëpunës në Ministrinë e Mbrojtës në kohën e Safet Zhulalit. E njohin për njeri të disiplinuar dhe punëtor. Pas vitit 1997 ngeli i papunë prej administratës së re socialiste dhe është detyruar të bëjë punë të rëndomta deri dhe kamerier. E kujtoj me respekt atë periudhë të tij, pasi dëshmon se është njeri me kurajë për tu përballur me jetën. Për herë të parë është ofruar në Partinë Demokratike në vitet 2000, në fushatën e parë të Besnik Mustafajt kundër Edi Ramës në Tiranë. Një grup ish- oficerësh të liruar iu bashkuan stafit të tij elektoral në ditën e votimit duke shpërndarë sanduiçe dhe ujë për komisionerët. E përsëriti këtë eksperiencë dhe në zgjedhjet e 2001, sërish tek zona e Mustafajt, dhe ra në sy për mirë në strukturat e PD-së në Tiranë. Një vit më vonë hyri në struktura dhe u bë Sekretar Organizativ i degës së Tiranës. Në vitin 2005 ai u caktua në minutat e fundit kandidat për deputet në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku gara kishte pak shanse për fitore. Por Monika Kryemadhi u bë fati i tij. Ajo arriti të marrë 2800 vota të majta duke e kaluar Igli Toskën pak vota pas Nishanit dhe duke i dhënë këtij të fundit mandatin e deputetit.
Karriera e tij e mëtejshme në PD ishte e butë. Ai filloi të përdorej paksa politikisht prej Berishës me deklarata të egra kundër opozitës, të cilat i lexonte me qetësi pa iu dridhur syri, pavarësisht vulgaritetit që shqiptonte herë pas here. Detaji që portretizonte më së shumti në atë kohë raportet e tij me Sali Berishën ishte momenti kur i binte zilja dhe ky ngrihej në këmbë duke folur me një fjalor ushtarak Bujari ju dëgjon. Me këtë qeshnin të gjithë, përveç Nishanit. Pasi e përsëriti këtë me konsekuencë edhe gjatë fushatës së Bashkisë së Tiranës më 2007-ën, fill pas fushatës i ndriu fati. Sali Berisha thirri Astrit Patozin për ta emëruar Ministër të Brendshëm, por pas refuzimit të tij, sytë u drejtuan mbi Nishanin dhe ai si gjithmonë thjesht respekton fatin që i japin.
Ishte një Ministër i Brendshëm i pafuqishëm. Askush nuk di të thotë se ai u përzje ose jo me grupet kriminale që favorizonte ministria e tij, por e sigurt është se Agron Kuliqi përtonte ti shkonte dhe në mbledhjen prezantuese duke u tallur me të. Më tej tropojanët e tjerë që kanë pushtuar Ministrinë në SHKB, kuadër dhe polici, kishin qejf të tregonin anekdota për të. I vetmi person që ndikonte paksa më shumë në vendimet e tij ishte gruaja e tij, e cila arriti të bëjë disa emërime nepotike të parëndësishme.
Ndryshe nga pasardhësi i tij, ky u hapi rrugë rekomandimeve të djalit të Berishës. Disa ish- oficerë policie të liruar pas vitit 1997 dhe të ikur në emigracion, të akuzuar për dhunime gazetarësh apo politikanësh, u ripunësuan pa asnjë mëdyshje prej tij vetëm pse i biri i kryeministrit i shkonte në zyre, natyrisht pa leje të babait, por në pazar me ta. Kjo ia rriti shumë respektin tek pjesa e Familjes që kish nevojë për më shumë ndikim mbi strukturat e policisë. Pak nga pak miqtë dhe shokë të tyre depërtuan në SHKB, Interpol dhe gjithkund tjetër ku kishin nevojë miq të tyre për të fshirë emra apo për të mbajtur larg kërkimit figura jo pak të rëndësishme të krimit në vend. Bujar Nishani nuk ishte fajtor për gjithë këtë që ndodhte, por natyrisht u bë përgjegjës për rritjen e kriminalitetit në vend dhe mos kapjen e asnjë të dyshuari në krime apo të kërkuari që kishte lidhje me pushtetin. Edhe kur dikush dorëzohej, njoftonte Kuliqin dhe vinte në qeli si në turizëm pasi kishte rregulluar daljen prej tyre.
Një pikë e errët e tij mbetet vdekja e Kosta Trebickës. Bujar Nishani kishte njohje familjare me të. Gruaja e tij dhe gruaja e Kosta Trebickës ishin bashkuar në një biznes në një universitet privat që u reklamua gjithandej si një investim italian për turizmin. Bujar Nishani ishte herë pas here dekori i reklamave të tij. Më vonë rezultoi se italiani ishte një person në kërkim dhe universiteti tij sot ka falimentuar duke mos u paguar rroga pedagogëve. Sapo lajmi për Kosta Trebickën mbërriti në Tiranë, Bujar Nishani ishte i pari dhe i vetmi që shkoi në shtëpinë e tij, prej të cilës dolën deklaratë bindëse se Kosta ishte vetëvrarë në aksident, ende pa parë trupin e tij. Dëshmitari kyç që hodhi gjysmë drite mbi lidhjet e djalit të Sali Berishës me trafikun e fishekëve nga Rinasi dhe paketimin në Gërdec, u vra në një skenë perfekt për të mos u besuar si vetëvrasje. Bujar Nishani, pasi vizitoi banesën e tij, dërgoi aty tre ekspertë kryesorë, të tre nga Tropoja. Dhe çështja u mbyll si vetëvrasje.
Përkushtimi i tij ndaj arbitraritetit të Berishës ishte i frikshëm kur në janar të vitit 2009 rrethoi me policë qysh në mëngjes redaksinë e gazetës Tema dhe shtypshkronjën e saj. Edhe pse ne kishim një kontratë koncensionare për 20 vjet, edhe pse kishim një vendim gjykate që i ndalonte të preknin redaksinë, ai nuk u hutua fare. Me një pamje të një lideri arab, që të kujton herë Basharin e Sirisë e herë Ali Komikun e Sadamit, urdhëroi policët jo vetëm të mos na linin të hynin në redaksi dhe shtypshkronjë, por as të merrnim prej andej xhaketat. Ende dhe sot shtypshkronja dhe pajisjet e redaksisë janë atje. Qetësia me të cilën mashtronte publikisht ishte e frikshme. Njësoj vepronte dhe kur makina ime mori zjarr para pallatit apo kur një bandit që shëtit me fotografinë e Liri Berishës në makinë dhe milionat e papaguara shtetit në bagazhe, më sulmoi në një kafene të Tiranës. Për të nuk ka krim dhe shkelje ligji. Ka miq dhe armiq të Sali Berishës. Armiqtë skanë kurrë të drejtë.
Më pas sëmundja e tij e rëndoi dhe e detyroi të shmangej nga opinioni publik. Por pas zgjedhjeve të vitit 2009 Berisha e emëroi Ministë
