Maqedonia midis mitit dhe realitetit
Maqedonia një vend i vogël, por me ambicie të mëdha, me një pozitë shumë të përshtatshme gjeografike në zonën qendrore të Ballkanit, aktualisht kalon një periudhë krize shumë të thellë: krahas krizës ekonomike që i ka përfshirë vendet ballkanike dhe evropiane, Maqedonia përballet edhe me krizën e identitetit të saj. Në realitet, kriza e identitetit më tepër shfaqet si shprehje e megalomanisë së klasës politike aktuale që e drejton shtetin. Në kushte të krizës së rëndë ekonomike, nëpër të cilën kalon Evropa dhe vendet ballkanike, në Maqedoni nuk kanë të ndaluar investimet materiale në projekte joproduktive, përmes të cilave pretendohet krijimi i historisë së “vonuar”, duke vënë në epiqendër personalitete të kalibrit mitik, siç janë Filipi II, Aleksandri i Madh dhe të tjerë. Investimet megalomane janë sa absurde, po aq dhe anakronike. Këto të përkujtojnë në periudhat e kaluara historike – mesjetën, kur klasat politike të kohës ngrinin kështjella dhe qytete të rrethuara me mure me qëllim mbrojtjeje, apo periudhën komuniste, kur klasat politike investonin shuma marramendëse materiale në sistemet mbrojtëse, mure, bunkerë, statuja... A thua duhet rikujtuar se zhvillimi i proceseve të reja shoqërore i la nën gërmadha: kështjellat, muret, bunkerët, etj. Megjithatë, duhet theksuar se civilizimi perëndimor duke nxjerrë mësime nga e kaluara historike aktualisht investimet i orienton drejt çështjeve pragmatike, për mirëqenien e shoqërisë njerëzore, ndërkaq në këtë cep të Evropës, ndër më të varfërit në kontinent, vazhdohet të jetohet me ëndrrallat e së kaluarës dhe të investohet për të.
Njeriu i zakonshëm pyet logjikshëm: pse ndodh kjo dhe pse jemi kaq të marrë, kur tashmë dihet se shtetet bashkëkohore janë vetëm krijesa politike, sepse koha e shteteve klasike kombëtare, me të kaluar të lavdishme ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Në qoftë se e synojmë Evropën e Bashkuar, atëherë vetë ajo është krijesë, e cila nuk i favorizon popujt me të kaluar të lavdishme. Atëherë, me të drejtë duhet shtruar pyetja pse tek ne investohen kaq shumë mjete materiale dhe energji politike, tek projektet e karakterit historik - periudhës së antikitetit?
Ideja e Maqedonisë Antike, për të cilën investohen mjete materiale të mbledhura nga të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, nuk duhet të mbetet çështje ekskluzive e maqedonasve etnikë. Përgjegjësinë për këtë, detyrimisht duhet ta mbajë edhe faktori politik shqiptar, i cili nuk mund të bëjë “sehir” rreth çështjeve në fjalë. Kam përshtypjen se, investimi në projekte madhore (Shkupi 2014), që lidhen drejtpërdrejtë me antikitetin e Maqedonisë, (shtatorja e Aleksandrit të Madh, Filipit II, emërtimi i aeroportit...) çojnë në kahje të përkeqësimit të marrëdhënieve me shtetin grek, që në të vërtetë përbën një ogur të zi në marrëdhëniet afatgjate midis fqinjëve. Është shumë e qartë se, Greqia e sotme, e cila me ose pa të drejtë llogaritet si trashëgimtare e themeleve të qytetërimit të parë evropian, nuk do të tërhiqet aq lehtë nga një pretendim që e gëzon tash e dyqind vjetë, aq më tepër që këtë privilegj ta ndajë me një vend të vogël - Maqedoninë. Për dallim nga Maqedonia, Greqia i ka disa favore: është shteti i parë i pavarur kombëtar në Ballkan (1830), dhe që nga ajo kohë ajo në vazhdimësi është favorizuar nga Fuqitë e Mëdha, Kongresi i Berlinit i mundëson zgjerim territorial, në Luftërat Ballkanike Greqia përafërsisht merr formën e sotme, në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, Greqia mbeti besnike e aleatëve perëndimor, pas Luftës së Dytë Botërore, mbeti i vetmi vend me demokraci parlamentare në Ballkan, më 1952 Greqia bëhet anëtare e NATO-s, ndërsa më 1981 ajo bëhet anëtare e Evropës së Bashkuar... Ndërkaq, Maqedonia është vend tepër i vogël, e cila për të mbijetuar duhet të zhvillojë një politikë shumë të matur me fqinjët e saj – politikë e cila do të ishte kompatibile me koncepcionin e euro-integrimeve, pra kultivimin e principit të bashkëpunimit rajonal. Mbi bazë të principeve të Evropës së Bashkuar, Maqedonia jo vetëm do të mund të mbijetojë si shtet, por do të mund të përmirësojë mirëqenien e qytetarit të saj. Klasa politike aktuale maqedonase përpiqet që rrënjët e identitetit maqedonas t’i kërkojë në antikën e largët. Por, vetëdija kombëtare jo gjithmonë ngrihet mbi kujtesën historike. Në qoftë se synojmë Perëndimin, atëherë duhet kujtuar se, francezët dhe anglezët e “harruan” faktin se përbëheshin prej popujve me prejardhje të ndryshme, ndërkaq amerikanët as që u shkon ndërmend të kërkojnë rrënjët historike...Kërkimi i rrënjëve historike të kulturës, me tendencë megalomane për epërsi mbi të tjetrin, është orientim antievropian dhe anti-NATO, sepse një nga doktrinat thelbësore të civilizimit perëndimorë është harresa e rrënjëve historike – përcjellja e saj në muze. Duke kërkuar rrënjët historike në antikën e largët, klasa politike maqedonase bën një gabim të madh strategjik, i përkeqëson marrëdhëniet me fqinjin e saj – shtetin grek, pra të kundërtën e saj që do të duhej ta kishte bërë.
Ideja mbi pjeradhjen antike të maqedonasve është produkt i një grupi historianësh – ide e inkorporuar në platformën e klasës politike aktuale, e cila qeveris me shtetin. Fitohet përshtypja se, kryeneçësia e klasës politike maqedonase rreth çështjes së emrit të shtetit, apo shkuarja edhe më larg në idenë antike maqedonase, zhvillohet sipas një skenari, i cili ka për qëllim pengimin e proceseve drejt NATO-s dhe Evropës së Bashkuar. Pra, sikur dëshirohet të fitohet në kohë, duke llogaritur në shpërbërjen proceseve eurointegruese, si pasojë e krizës së rëndë që ka kapluar Evropën. Mendoj se, të pretendosh në projekte kaq të mëdha (Shkupi 2014), të cilat shteti grek i konsideron si atak i drejtpëdrejtë ndaj tij, pra projekte që nxisin kundërthënie me pasoja afatgjate dhe së fundi bariera integruese qoftë drejt NATO-s apo drejt Evropës, kanë një rrjedhim logjik: llogaritet në shpërbërjen e shtetit grek, që aktualisht kalon nëpër një krizë të thellë ekonomike, e cila do të zgjasë me dekada, sipas principit të rënies dhe ngritjes së sheteve – perandorive: bie një perandori dhe mbi gërmadhat e saj ngritet një tjetër.
Rreth kësaj çështjeje duhet të japë shpjegim klasa politike si ajo maqedonase, ashtu edhe ajo shqiptare. Nga ana tjetër, të harxhosh mjetet buxhetore, të mbledhura nga të gjithë qytetarët për projekte mitike, me gjuhën e civilizimit evropian është thjesht shpërdorim i parasë. Kam bindjen se, qytetarët e Maqedonisë, në veçanti shqiptarët, gjithnjë e më tepër kanë filluar të besojnë se zhvillimet shoqëroro-politike në Maqedoni zhvillohen në kahje të kundërt me proceset e dëshiruara drejt NATO-s dhe Evropës së Bashkuar, pra zgjidhen forma të atilla veprimi që të mos integrohemi as në NATO dhe as në Evropë. Kjo duhej të ishte shqetësuese për të gjithë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”