E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD ngre komision hetimor për masakrën e Tivarit

01/07/2010 Grupi parlamentar mbledh firmat e deputetëve. Kërkesa depozitohet në protokoll

Partia Demokratike po përgatitet të ndërmarrë nismën më të fundit ligjore, atë për hetimin e masakrës së Tivarit, në të cilën u ekzekutuan pa gjyq mijëra shqiptarë të Kosovës, gjatë pranverës së vitit 1945. Grupi parlamentar i kësaj force politike po mbledh firmat për krijimin e një komisioni hetimor, që do të ndriçojë këtë ngjarje të ndodhur rreth 65 vjet më parë. Ai do të hetojë për zbardhjen e plotë të fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive, që çuan në masakrën e Tivarit. Qëllimi i tij kryesor do të jetë edhe nxjerrja e përgjegjësive shtetërore dhe individuale, të atyre që me veprimet dhe mosveprimet e tyre ndihmuan në ekzekutimin e mijëra shqiptarëve. Por një tjetër pikë e objektit hetimor do të jetë edhe qëndrimi ndaj kësaj masakre të pashembullt të shtetit shqiptar gjatë viteve 1945-1990, si dhe përpjekjet e qëllimshme për të fshehur të vërtetën rreth saj. Nisma pritet të depozitohet sot në sekretarinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe shumë shpejt ajo pritet të kalojë në seancë plenare për miratim. Afati i veprimtarisë së këtij komisioni është parashikuar të jetë 1 vit, nisur nga rëndësia e ngjarjes, nga koha e gjatë që ka kaluar, si dhe nga përpjekjet e mëdha në vite për ta lënë atë në errësirë. Komisioni mendohet se do të ketë në përbërje të tij 13 anëtarë, prej të cilëve 7 do t’i përkasin mazhorancës dhe 6 opozitës. Sipas ligjit, për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore, Partisë Demokratike, si nismëtare e kësaj çështjeje, i takon edhe kryesimi i komisionit hetimor parlamentar.

Masakra e Tivarit është një masakër që iu bë të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Tivar, Mali i Zi, dhe në rrugë për në Tivar. Numri i të vrarëve në këtë masakër, varësisht prej burimeve, sillet 1700-4300. Gjithsej 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan dhe u dërguan në luftime larg Kosovës, për ta zvogëluar rrezikun e çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serb/jugosllav që do të vendosej në Kosovë. Shqiptarët u nisën nga Prizreni fillimisht për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe. Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 mars 1945. Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt në mes katër shqiptarëve dhe rojave, të cilët shtinë dhe vranë dy shqiptarë. Masa, e zënë në grackë mes maleve të larta dhe detit, u shtri për tokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, në dritare dhe në tarraca të shtëpive, në shkëmbinj e kodra përreth. Më pas turma urdhërohet të ngjitet dhe drejtohet drejt ndërtesë “Monopoli i duhanit”, ku filluan të shtënat. Një raportim drejtuar misionarit anglez Hadson, më 1946, në atë kohë e caktonte numrin e të vrarëve në 1670. Grupi i tretë me 2700 veta u nis me 27 mars 1945 dhe pas arritjes në Dubrovnik, një grup prej 800 vetash u helmua nga një helm i panjohur pas vendosjes në një depo baroti, me pasoja fatale për shumicën. Mbijetuesit e masakrës besojnë se numri i të vdekurve apo të vrarëve gjatë rrugëtimit për në Frontin e Adriatikut është gjithsej 4 300 veta. Enver Hoxha më 1955-n përmend 1,000 të vdekur “në territorin shqiptar”. Varreza masive e masakrës së Tivarit është zbuluar vetëm pas 50 vjetëve, më 17 shtator të vitit 1996.

Berisha për Alinë

“Dua të them se është dhe ndër më të ligjtë e diktaturës. Pse e them ndër më të ligjtë? Jo se ata ishin burra të mirë, por se ky ishte një vrasës tinëzar i tyre. Po, që nga rinia e tij, ky ka ngrënë njëri pas tjetrit, me spiunllëqe dhe me padi, inteligjencën shqiptare dhe ndonjë tek-tuk, siç është rasti i Llambi Ziçishtit, që e çoi para skuadrës së pushkatimit, për fajin e vetëm se tha: Mehmet Shehu nuk është vetëvrarë. Për të mos hyrë pastaj në kapitullin më të zi të këtij xhelati, se është xhelat, gjersa nuk zbërthehet për masakrën e Tivarit. Dhe Parlamenti duhet të qëndrojë për masakrën e Tivarit. Ne jemi vend që kemi në fuqi ligjin kundër gjenocidit. Është përgjigjur për disa krime, duhet të përgjigjet për masakrën e Tivarit.”

Alia për Tivarin

Diktatori i fundit, Ramiz Alia, i është përgjigjur një ditë më pas Kryeministrit Berisha në lidhje me akuzat që ai hodhi në adresë për masakrën e Tivarit. Duke dashur të bëjë indiferentin, Alia u shpreh se ai nuk e dëgjon Berishën dhe se për masakrën e Tivarit duhet të përgjigjen vetë kosovarët. “Unë kam një të keqe të madhe, që nuk e dëgjoj Berishën. Tivari është në Mal të Zi dhe kur ka ndodhur ngjarja, ne kemi qenë në Bosnjë. Është një ngjarje e rëndë për kosovarët dhe le të përgjigjen vetë ata ose më mirë serbët që e organizuan. Sundimtarët berishianë janë një pengesë e vërtetë për vendin tonë. Ajo që është shqetësuese është përpjekja për ti përçarë njerëzit.”

Në masakrën e Tivarit u vranë 4300 persona

Sipas historisë zyrtare, masakra e Tivarit, që ka ndodhur më 1 prill të vitit 1945, është një masakër që iu bë të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërorë në Tivar, Mali i Zi, dhe në rrugën nga Kosova për në Tivar. Numri i të vrarëve në këtë masakër, sipas burimeve historike, është rreth 4300 njerëz të pafajshëm. Kur nazistët ishin në tërheqje e sipër, nga territori i ish-Jugosllavisë, frontet u krijuan në Srem të Vojvodinës dhe në atë të Adriatikut, në veriperëndim të Jugosllavisë. Shqiptarët u rekrutuan për tu dërguar në luftime në këto fronte, ndërsa brigadat serbe i forcuan pozitat e tyre në territorin e Kosovës, duke zënë vendin e tyre. Gjithsej 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan me zor në tërë territorin dhe u dërguan në luftime larg Kosovës, për të zvogëluar rrezikun e çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serbo-jugosllav, që do të vendosej në Kosovë. Pas rekrutimit masiv, trupat shqiptare morën urdhrin për tu çarmatosur dhe u futën disa nëpër kazerma, ndërkohë që të tjerët kanë qenë në rrethimin me tela me gjemba. Pa ujë, pa bukë, pa armë, një pjesë u vranë dhe një pjesë u helmuan, duke përbërë në këtë mënyrë dhe tragjedinë më të madhe për shqiptarët, që kujtohet dhe sot pas 60 vjetësh dhe kur ende nuk është zbardhur kjo tragjedi e kësaj vrasjeje masive. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën apo në disa raste edhe u vranë, kur dilnin nga kolona për të shuar etjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›