E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, nismë për kufizimin e imunitetit

SHKRUAN: Nevila Perndoj 15-02-2011 10:59

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ishte i pari që firmosi dje nismën më të fundit të grupit parlamentar demokrat, për kufizimin e imunitetit të deputetit dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, kryetari i grupit, Astrit Patozi, njoftoi deputetët për firmosjen e një projektvendimi që ka si qëllim fillimin e ndjekjes penale për veprat penale, që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv, sipas dispozitave të Kodit Penal. Në pamundësi për të ndryshuar Kushtetutën ku ndër të tjera thuhet se deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit, grupi parlamentar i PD-së ka vendosur që nismën në fjalë ta paraqesë si shtojcë të rregullores së Kuvendit. Projektvendimi sanksionon kufizimin e imunitetit të deputetit për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin Penal. Që të jetë i vlefshëm ky kufizim, sipas demokratëve, ai duhet të deklarohet me shkrim nga deputeti, i cili është i lirë mos ta paraqesë ose ta tërheqë atë në çdo kohë. Sipas projektvendimit, kufizimi i imunitetit të deputetit bëhet për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit. Pëlqimi me shkrim depozitohet te Kryetari i Kuvendit dhe është i vlefshëm deri në përfundimin e Legjislaturës, me përjashtim të rastit kur deputeti deklaron me shkrim tërheqjen e saj. Për legjislaturën aktuale, deputetët depozitojnë te Kryetari i Kuvendit pëlqimin me shkrim për kufizimin e imunitetit, brenda 10 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Lista e deputetëve bëhet publike dhe i dërgohet së bashku me një kopje të vendimit, Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas draftit, kufizimi i imunitetit, nuk i shtrin efektet mbi masat dhe veprimet procedurale si vijon: a) masat shtrënguese që shkaktojnë kufizim të lirisë së lëvizjes; b) kontrollin e personit; c) kontrollin e banesës ose së zyrës së deputetit; d) këqyrjen e personit; e) masën e arrestit. Nisma e përgatitur bazohet në modelin e Bundestagut Gjerman. Procedurat që zbaton Bundestagu Gjerman konsistojnë në: 1) miratimin e kryerjes së hetimeve penale ndaj anëtarëve të tij; 2) lejimi për të kryer hetime ndaj anëtarëve, për të gjithë llojet e veprave penale, miratohet në seancën e parë të Bundestagut; 3) Pjesa e kryerjes së hetimeve penale ndaj deputetëve trajtohet në një aneks të veçantë të Rregullores së Bundestagut; 4) Arrestimi, kontrolli i banesës dhe i personit, dërgimi i çështjes në gjykatë, ekzekutimi i vendimit të dënimit me burg kërkojnë miratim të veçantë nga Bundestagu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›