Projektvendim për kufizimin e imunitetit
Në mbështetje të nenit 78 pika 1, dhe të nenit 75 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI I
REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1
Kufizimi i imunitetit të deputetëve
1. Miratohet kufizimi i imunitetit të deputetëve për fillimin e ndjekjes penale për veprat penale që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv sipas dispozitave të Kodit Penal.
2. Për këto vepra penale kufizimi i imunitetit të deputetit bëhet për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, për ata deputetë që deklarojnë me shkrim pëlqimin për kufizimin e imunitetit. Pëlqimi me shkrim depozitohet tek Kryetari i Kuvendit dhe është i vlefshëm deri në përfundimin e Legjislaturës, me përjashtim të rastit kur deputeti deklaron me shkrim tërheqjen e saj.
Neni 2
Masat dhe veprimet procedurale që nuk lejohen
Kufizimi i imunitetit, sipas nenit 1 të këtij vendimi, nuk i shtrin efektet mbi masat dhe veprimet procedurale të mëposhtme:
a) masat shtrënguese që shkaktojnë kufizim të lirisë së lëvizjes
b) kontrollin e personit
c) kontrollin e banesës ose së zyrës së deputetit
d) këqyrjen e personit
e) masën e arrestit.
Neni 3
Afati dhe procedurat e fillimit të ndjekjes penale
1. Pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, fillimi i ndjekjes penale për veprat penale të përcaktuara në nenin 1 të këtij vendimi, për të cilat është vendosur kufizimi i imunitetit, mund të bëhet jo më herët se 24 orë pas dërgimit të njoftimit me shkrim të Kryetarit të Kuvendit dhe deputetit që është subjekt hetimi (kur qëllimi i hetimit e lejon) nga Prokurori i Përgjithshëm.
2. Kryetari i Kuvendit, brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit, vë në dijeni dhe i dërgon kërkesën dhe materialet shoqëruese Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin si dhe deputetit ndaj të cilit fillon ndjekja penale kur nga njoftimi rezulton shprehimisht se, deputeti nuk është njoftuar sipas pikës 1 të këtij neni. Kryetari i Kuvendit vë në dijeni Kuvendin për kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm në seancën më të parë plenare.
Neni 4
Heqja e Imunitetit
Në të gjitha rastet kur nevojat e hetimit dhe të ndjekjes penale nuk mbulohen nga kufizimi i imunitetit sipas pikës 1 të këtij ligji, ose kur deputeti nuk dorëzon ose tërheq pëlqimin me shkrim, atëherë Kuvendi vendos heqjen e imunitetit sipas nenit 118 të Rregullores së Kuvendit.
Neni 5
Statusi i vendimit
Ky vendim bëhet pjesë e Rregullores së Kuvendit si aneksi 1 i saj dhe është i hapur për nënshkrime nga deputetët gjatë gjithë Legjislaturës.
Neni 6
Zbatimi nga Legjislatura aktuale
Për legjislaturën aktuale, deputetët depozitojnë te Kryetari i Kuvendit pëlqimin me shkrim për kufirin e imunitetit sipas nenit 1, brenda 10 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Lista e deputetëve bëhet publike dhe i dërgohet së bashku me një kopje të vendimit Prokurorit të Përgjithshëm.
Çdo ndryshim i mëvonshëm i kësaj liste, nëpërmjet dhënies së pëlqimit me shkrim për deputetë që nuk e kanë bërë atë ose tërheqjes së deklaratës, depozitohet te Kryetari i Kuvendit, bëhet publike dhe i njoftohet menjëherë Prokurorit të Përgjithshëm.
Neni 7
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në fletoren Zyrtare.
Kryetare
Jozefina Topalli
DEKLARATË
Unë deputeti _____________ deklaroj kufizimin e imunitetit tim për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv sipas Kodit Penal. Ky deklarim bëhet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe të aneksit 1 të saj.
DEPUTETI
Tiranë, më _____
Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit
Neni 118 shtohet para pikës 1 një paragraf me këtë përmbajtje:
1/a.. Heqja e imunitetit bëhet nëpërmjet kufizimit të tij për vepra penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv sipas Kodit Penal, në përputhje me vendimin përkatës të Kuvendit ose nëpërmjet heqjes së tij (autorizim për fillimin e ndjekjes penale) sipas kushteve dhe procedurave në këtë nen për të gjitha veprat penale. Vendimi i Kuvendit për kufizimin e imunitetit është pjesë përbërëse e Rregullores si aneksi 1 I saj.
- Në pikën 1 fjalët “vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë” zëvendësohen me “vë në dijeni deputetin.”.
- Në pikën 4 hiqet fjala “ së dytë’.