E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhi i keq që japim, kur i nënshtrohemi militantizmit të PS për komisionet zgjedhore

30-03-2011 / Nga Shqipe Xoxi

Në radhë të parë është i turpshëm lajmi se anëtarët e shoqërisë civile nga 66 KZAZ-të e vendit u tërhoqën, për t’u lënë vend anëtarëve të Partisë Socialiste e PBDNJ-së, që në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, e kësisoj të ligjit për zgjedhjet, të ri-integrohen në vendet e punës, si militantë. Së dyti, është po aq fyese për mijëra OJQ vendase - që pretendojnë dhe marrin fonde nga organizmat ndërkombëtarë gjoja njerëz të shoqërisë civile – që të tërhiqen nga një proces që është i barasvlershëm për demokracinë si misioni më i madh qytetar. Sidozot kanë treguar se s’janë asgjë tjetër përveçse ca shushunjëza shtinjake që thithin në mënyrë piramidale fonde, tamam si dikur Sudja, nga organizma ndërkombëtarë për të qenë prezent në opinionin publik, kur në të vërtetë janë ca fantazma pa qefin të bardhë. Këta anëtarë të shoqërisë ishin vendosur nga KQZ, pasi opozita nuk i kishte dorëzuar propozimet në afatin e caktuar nga ligji. Ky vendim u mbështet edhe nga OSBE.
Përpos kësaj është e papranueshme që kreu i KQZ-së të rekomandonte që anëtarët e 66 KZAZ-ve të cilët do të merrnin pjesë në zgjedhjet vendore të dorëhiqen kundrejt një shume prej 25 mijë lekësh. Ata njerëz s’duhet të marrin asnjë lek, sepse s’kanë bërë asnjë gjë. Prandaj një shpërblim i tillë do të ishte katastrofik për moralin qytetar, për ata njerëz që punojnë dhe paguajnë këta anëtarë fantazmë. Të marrësh rreth 25 mijë lekë të reja për një punë që s’e ke bërë vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Është gati një muaj punë për një buxhetor, që i del djersa lumë në punë administrative, kurse këta anëtarët e shoqërisë civile të pa asnjë kontribut, marrin një shpërblim, një kafe, sikur të ishin ca të nënës e ca të njerkës.   
Sido që të jetë, edhe kësaj radhe politika e partive merr sërish ekskluzivitetin e kontrollit të mekanizmit të demokracisë, pra, të votimit dhe rinumërimit. Dhe s’ka gajle që janë po këto parti politike që pastaj denoncojnë ose krijojnë alibi në organizma ndërkombëtare për vjedhjen apo ndryshimin e votës. Pastaj ke Partinë Socialiste që ka bërë presione nga më të dhunshmet që këta anëtarë të shoqërisë civile të japin dorëheqjen, duke u dhënë nga një lugë bosh. Dhe janë po këta anëtarë socialistë të 66 KZAZ-ve që janë etiketuar e gjykuar publikisht nga Edi Rama, si shitës së votave socialiste. Ishte ky njeri që çirrej lart e poshtë për të hapur kutitë, pasi 20 mijë komisionarë të Partisë Socialiste ia kishin shitur votat, ashtu siç tha ai, Ilir Meta shiti 80 mijë zemra socialiste. Retorika e shfrenuar e udhëheqësve të opozitës del se ka qenë një gënjeshtër me bisht të madh.
Kuptohet vetiu se Edi Rama që ishte deri në momentin e fundit në mëdyshje të kandidonte vetë, s’mund të ketë ndërruar sa hap e mbyll sytë plot 20 mijë komisionarë “hajdutë” të votës socialiste. Pra, ka dy mënyra për ta ndarë shapin nga sheqeri. E para, është se ai mund të ketë mashtruar publikun kur ka thënë se komisionarët “shitën” votën socialiste, ose e dyta ka ndryshuar të gjithë 20 mijë komisionarët. Mes këtyre të dyjave më e pranueshme logjikisht del se është se ka gënjyer për “shitjen” e votës, pasi do të ishte e pamundur nga ana logjistike të ndryshojë kaq shumë njerëz, pasi do të gjendej përballë militantëve, të cilet do ndiheshin se janë akuzuar si “të Saliut”. Por militantët, sado socialistë të jenë, s’janë të çmendur. Ata e dinë se nuk është i gjithi faji i Saliut. Këtë e dinë mirë ata.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›