PD publikon raportin për Ballukun/ Bardhi: Protestë para Kuvendit ditën kur do shqyrtohet çështja

Pesë anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve janë pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e madnatit të Belinda Ballukut.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, zbardhi në një konferencë për shtyp raportin që ata do të rekomandojnë në parlament dhe kërkoi që deputetët të votojnë pro kërkesës së SPAK.
“Rekomandojnë që deputetët në seancë plenare të votojnë pro për miratimin e kërkesës duke vendosur dhënien e autorizimit nga Kuvendi”, tha Bardhi.
Sipas tij, prokuroria ka dokumentuar se Balluku ka abuzuar me detyrën.
Sipas raportit të Partisë Demokratike, Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, ka për detyrë vetëm të sigurojë vetëm që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partiak për shkak të veprimtarisë parlamentare.
Më pas, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm, Bardhi deklaroi se ditën që do të shqyrtohet çështja në Kuvend do të ketë një protestë.
“Ditën kur Kuvendi do shqyrtojë imunitetin e Ballukut, PD-ja do të thërrasë në protestë qytetarët para selisë së parlamentit. Nëse shkon skenari i refuzimit të kërkesës së prokurorisë, qytetarët do ta trajtojnë Kuvendin, si bunker ku janë strehuar të korruptuarit dhe që duhet të shembet. Mesazhi im është i qartë, ditën kur kuvendi shqyrton kërkesën qytetarët janë të ftuar në protestë përpara selisë së Kuvendit, që nëse mbahet imuniteti shndërrohet në selinë e të korruptuarve”, tha Bardhi.
Kujtojmë se, mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin e datës 23 shkurt, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion për heqjen e imunitetit si deputete t렠përfundoi me dy raporte të ndryshme të palëve.
Opozita u shpreh pro kërkesës së strukturës së posaçme për dhënien e autorizimit për një masë të re shtrënguese për zv.kryeministren Balluku, që shkon deri në heqjen e lirisë së saj.
Ndërsa shumica, mendon se masa aktuale e lënë në fuqi dhe pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Kryeministrit Rama, ajo e pezullimit nga detyra, është e mjaftueshme.