PD rrezikon maxhorancën në Komisione
Erald Kapri
Me hyrjen e opozitës në Kuvend me kohë të plotë, u realizua edhe plotësimi i Komisioneve Parlamentare, tepër të rëndësishme në vendimmarrjen e Kuvendit për ligjet e reja. Por për herë të parë, maxhoranca është vendosur në vështirësi për vendimmarrjen brenda komisioneve, për shkak të numrit të madh të deputetëve të opozitës. Për herë të parë të gjithë deputetët kanë shënuar emrat e tyre si anëtarë në komisione parlamentare, kjo për shkak edhe të rregullores së re të Kuvendit për pagën e deputetëve, të cilët paguhen në bazë të pjesëmarrjes në komisione. Rregullorja e Kuvendit përcakton se kryetari i Kuvendit dhe ministrat nuk mund të jenë anëtarë komisionesh. Maxhoranca ka gjithsej 74 deputetë, por një pjesë e tyre janë ministra. Kjo ka krijuar problemin e maxhorancës në 8 komisionet parlamentare, pasi maxhoranca po ruan shumicën me vështirësi në këto komisione, tepër e domosdoshme për vendimmarrjen. Shumica e ka hedhur këtë vështirësi me anë të një klauzole në rregulloren e Kuvendit. Kjo rregullore lejon që një deputet mund të jetë anëtar në dy komisione, duke ruajtur gjithnjë proporcionin politik të grupeve parlamentare në Kuvend. Rezulton se afërisht 30 deputetë të Partisë Demokratike janë anëtarë në dy komisione parlamentare ose janë deputetë zëvendësues. Kështu, këta deputetë marrin pjesë në mbledhjen e dy komisioneve ku janë anëtarë nga ku japin edhe votën e tyre për kalimin e projektligjit. Nëse i referohen vendimit të ri të pagave të deputetëve, ku pagesa bëhet në sajë të angazhimit në komisione, rezulton se deputetët e angazhuar në disa komisione janë edhe më të mirë paguarit. Nga ana tjetër, opozita ka vendosur 64 deputetët e saj në të gjitha komisionet parlamentare. Rezulton se në të gjitha komisionet, maxhoranca ruan shumicën vetëm me 1 ose 2 deputetë më shumë. Kjo ka krijuar nga ana tjetër, një pjesëmarrje aktive në komisione, ku rrallëherë mungojnë deputetë në komisione, pasi mungesa jo vetëm që krijon probleme në vendimmarrje por edhe në pagat e tyre. Pagat e deputetëve përcaktohen 90 për qind nga pjesëmarrja në mbledhjen e komisioneve dhe seancat plenare. Kështu një mungesë në mbledhjen e komisionit mund të krijojë një boshllëk në pagën e deputetit që mund të arrijë shifrën e 10 përqindëshit. Nëse i referohemi nenit 20 të rregullores, që maxhoranca e ndryshoi me një vendim në datën 4 mars të këtij viti, thuhet se "në komisionet e përhershme marrin pjesë të gjithë deputetët dhe përbërja e tyre, për aq sa është e mundur, pasqyron grupet parlamentare, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend. Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk mund të jenë anëtarë të komisioneve të përhershme". Më tej thuhet se "si rregull, deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një komisioni të përhershëm. Në respektim të raporteve shumicë parlamentare-opozitë, deputetë të caktuar mund të jenë anëtarë të jo më shumë se dy komisioneve të përhershme".
Deputetët zëvendësues
Gerti Bogdani
Paulina Hoti
Eduart Halimi
Gent Strazimiri
Ledina Aliolli
Astrit Bushati
Bedri Hoxha
Osman Metalla
Besnik Dushaj
Rajmond Hoxha
Ndue Paluca
Rajmonda Bulku
Ilir Bano
Aldo Bumçi (anëtar në dy komisione)
Luan Skuqi
Igli Cara
Lajla Pernaska (dy herë zëvendësuese)
Sybi Hida (anëtar në dy komisione)
Arenca Trashani (dy herë zëvendësuese)
Albana Vokshi (anëtare në dy komisione)
Luçiano Boçi (dy herë zëvendësues)
Florion Mima (anëtar në dy komisione)
Mesila Doda (anëtare në dy komisione)
Selami Xhepa (anëtar në dy komisione)
Sherefedin Shehu (anëtar në dy komisione)
Rrahim çota (anëtar në dy komisione)
Kreshnik çipi (anëtar në dy komisione)
Fatos Hoxha (anëtar në dy komisione)