E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramoz Selmani, në hetim për dy akuza



TIRANE - Prokuroria e Tiranës fillon hetimet ndaj Gramoz Selmanit, personit që në muajin prill të këtij viti dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë dy vrasje të kryera nga i akuzuari si kapo i "bandës së Lushnjës", Aldo Bare. Pak kohë pasi Gramoz Selmani dha dëshminë e tij në gjykatë, avokatët e të pandehurve të bandës së Lushnjës, e denoncuan atë në Prokurorinë e Përgjithshme për akuzat "kalim i paligjshëm i kufirit" dhe "falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe akteve të gjendjes civile". Kallëzimi penal i referohet deklaratës së bërë nga vetë Gramoz Selmani në seancën e datës 1 prill 2010 në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku dëshmitari ka pranuar se kishte udhëtuar si emigrant në Greqi në mënyrë klandestine e po ashtu ishte kthyer në rrugë private në Shqipëri për të dhënë deklarimet në procesin ndaj të akuzuarve si anëtarë të "bandës së Lushnjës". Në këtë seancë, Gramoz Selmani kishte paraqitur në gjykatë si mjet identifikimi një pasaportë e cila po ashtu sipas avokatëve, dyshohet se është e falsifikuar. Nisur nga këto të dhëna, avokatët e të pandehurve të Bandës së Lushnjës depozituan kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj Gramoz Selmanit. Ky i fundit pati "fërkime" direkte me Aldo Baren gjatë dëshmisë së dhënë në gjykatë në lidhje me episodin ku ka mbetur i vrarë shtetasi Ramandan Shkurti, vëllai i Aldo Bares (Alfred Shkurti). Pasi ka marrë kallëzimin e avokatëve, Prokuroria e Përgjithshme ia kaloi dosjen Prokurorisë së Tiranës e cila ka vendosur të nisë hetimet ndërkohë që nuk është e qartë nëse do të ngrihet akuzë ndaj dëshmitarit pasi sipas ligjit, një peron nuk mund të fajësohet apo të dënohet vetëm me faktet e deklaruara prej tij. Në kallëzimin e avokatëve thuhet se pasaporta që shtetasi Gramos Selmani paraqiti në seancën gjyqësore më 1 prill 2010, me numër Z.1999892 është lëshuar me datë 22 shtator 2006 dhe është dokument që personi e ka marrë në kohën kur ndaj Gramos Selmanit kishte një urdhër kërkimi ndërkombëtar pasi ndaj tij Gjykata e Lushnjës me vendimin nr. 120 datë 18 nëntor 1999 mbi bazën e kërkesës së prokurorisë kishte marrë masën e sigurimit "arrest me burg" për akuzën e gjashtë vrasjeve", pretendohej në kallëzimin e avokatëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›