E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD rrëzon propozimet e PS

Ekspertët dhanë opinione të ndryshme që shkonin nga vlerësimi pozitiv për vendosjen e kriterit të shumicës së cilësuar në zgjedhjen e gjyqtarëve dhe disa drejtuesve të institucioneve kushtetuese, si një korrektim që sipas tyre po i bëhej prishjes së ekuilibrave me ndryshimin e Kushtetutës në vitin 2008, deri tek vlerësimi se kriteri i shumicës së cilësuar ishte i panevojshëm, pasi mund të sjellë krizë insitucionale, siç ishte rasti i Avokatit të Popullit dhe se, sipas këtij opinioni, asnjë votë e cilësuar nuk dikton integritetin dhe pavarësinë që kërkohet për funskionimin e ndershëm të sistemit të drejtësisë.

Seanca dëgjimore, me rreth 20 ekspertë, zgjati 6 orë, por mbledhja e Këshillit të Legjislacionit nuk përfundoi me kaq, pasi ia ka lënë vendin debatit të tensionuar politik, që nuk solli asnjë risi, pasi palët mbrojtën qëndrimet e bëra publike gjatë 8 javëve të fundit.

Relatori socialist Pandeli Majko u kërkoi demokratëve ta shohin nismën si një mundësi që u jep palëve avantazhin për të miratuar së bashku dekretin e presidentit, duke çuar në krye të Prokurorisë së Përgjithshme apo në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese personat e duhur dhe me cilësitë më të mira.

Por demokratët e cilësuan kërkesën për votimin me 3/5 të këtyre personaliteteve të drejtësisë jo si mundësi për zgjidhje, por si spirale krize. Të tillë demokrati Ilir Rusmali përmendi rastin moldav, ku presidenti nuk u zgjodh sipas detyrimit me 3/5 dhe vazhdon të jetë në detyrë, sepse Gjykata Kushtetuese e la vendimin në fuqi.

Zoti Rusmali bëri paralelizim të rastit moldav me sjelljen e opozitës gjatë 3 viteve të fundit, që sipas tij, ka bllokuar sa herë i është dhënë rasti për ta bërë këtë. Mes palëve nuk ka munguar edhe debati për elementin kohë, e cila këtë herë u kërkua nga Partia Socialiste, në mënyrë që administrata të ketë mundësi të zbardhë opinionet e ekspertëve dhe palët të reflektojnë.

Demokratët thanë se kjo kohë ishte e panevojshme, sepse gjithçka është transmetuar direkt dhe se sipas tyre nuk duhet humbur më kohë, në mënyrë që materiali të jetë gati sa më shpejt për votim në Parlament.

Momenti i votimit për ndryshimet kushtetuese është i rëndësishëm, pasi, pavaresisht fatit të paketës së opozitës, ai lidhet direkt me votimin e projektit konsensual për kufizimin e imunitetit, që është një nga kushtet për marrjen e statusit në tetor./Start/t.ch/

                                                                                             2012-09-14 19:41
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›