PD shtyn mbledhjen e Komisionit të Jashtëm për të kaluar rezolutën
Kuvendi
Relatori Minxhozi: Të gatshëm të diskutojmë draftin tonë
Një shkak për shtyrjen e mbledhjes duket se është edhe mungesa e Berishës, i cili ndodhet në Azerbajxhan për vizitë zyrtare
Fatjona Mejdini
Komisioni i Jashtëm Parlamentar nuk do të mblidhet sot për të diskutuar mbi rezolutën çame të paraqitur në Parlament nga Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet. Si shkak për këtë duket se është bërë vonesa e demokratëve në lidhje me kohën që ka kërkuar për të bërë të mundur shqyrtimin e legjislacionit grek, në kuadër të bazës ligjore që Parlamenti do të përdorë për dokumentin e paraqitur nga PDIU. Në një kohë kur kreu i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, la të hapur mundësinë e zhvillimit sot të mbledhjes, moskoordinimi i palëve për të zgjidhur teknikalitet që shoqërojnë rezolutën po shtyn këtë mbledhje. Nga ana tjetër PS duket se është më komode në kuadër të paraqitjes së radhës në Komisionin e Jashtëm, për shkak se relatori i saj, Qemal Minxhozi, paralajmëroi nevojën e një teksti të ri për rezolutën, gjë të cilën PS e paraqiti dje publikisht përmes kryetarit të saj, Edi Rama. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se PD i përmbahet qëndrimit që ka shprehur relatori i saj, Fatbardh Kadilli në komision dhe që lidhet me kohën në dispozicion që duhet për të përputhur referencat ligjore.
PS
Në një prononcim për Shqip, deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi, thekson se PS është e gatshme ta diskutojë projektdraftin e saj në Komisionin Parlamentar të Jashtëm. Por sipas tij, mazhoranca në këtë komision ende nuk ka njoftuar mbi ditën në të cilën diskutimi i radhës do të kryhet, pavarësisht se parimisht ishte vendosur për tu mbledhur paraditen e sotme. Gatishmëria e PS-së për të qenë në mbledhjet e Komisionit të Jashtëm, lidhet me faktin se PS ka arritur të materializojë kërkesën e relatorit të saj, Qemal Minxhozit të paraqitur në mbledhjen e ditës së shtunë në komision. Deputeti socialist, Minxhozi, theksoi se sipas tij, projektrezoluta kishte nevojë të rishkruhej dhe për të përgatitej një tekst të ri. Kjo kërkesë e Minxhozit u materializua dje nga PS dhe u paraqit nga vetë kryetari i kësaj partie, Edi Rama.
PD
Partia Demokratike po merr kohë në dhënien e përgjigjes së saj për sa i përket çështjes së rezolutës çame, të depozituar në komision nga aleati i kësaj partie në qeverisje, PDIU. Burimet nga PD bëjnë të ditur se mbledhja e Komisionit të Jashtëm është shtyrë për shkak se PD ende nuk ka përfunduar shqyrtimin e legjislacionit grek për çështjet që prek rezoluta. Në mbledhjen e të shtunës së këtij komisioni, relatori i PD-së, Fatbardh Kadilli, ka theksuar se po has vështirësi në shqyrtimin e legjislacionit grek, për shkak të gjuhës dhe po kështu për shkak të mungesës së ekspertizës për shqyrtimin e ligjeve të caktuara që citohen në rezolutën e depozituar nga PDIU. Deri tani nuk ka asnjë mbledhje të fiksuar për vijimin e shqyrtimit të rezolutës çame.
Zhvillimet
Debatet - Diskutimi i rezolutës çame të shtunën në Komisionin e Jashtëm u shoqërua me debate mes deputetëve të PDIU dhe atij të PBDNJ, Vangjel Dule.
Konsultat - Dy ditë më parë, në një takim të caktuar mes Idrizit dhe relatorëve të çështjeve u shfaq vetëm deputeti Minxhozi, pasi Kadilli ishte i sëmurë.
Protesta - PDIU, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe shoqata Çamëria do të zhvillojnë paraditen e të enjtes një protestë për këtë çështje përpara Kuvendit.
Konferenca - PDIU ka njoftuar dje se paraditen e sotme do të mbajë një konferencë për shtyp në ambientet e kësaj partie.
- Dje ishte parashikuar mbledhja e Kuvendit në seancë plenare, por ajo nuk u zhvillua.
- Pavarësisht aludimeve se mazhoranca nuk kishte numrat, Kuvendi theksoi se seanca u shty me kërkesë të PS-së.
Përgjigjja
Kreu i PDIU përshëndet qëndrimin e liderit të opozitës
Idrizi: Propozimi i PS-së synon zhbllokimin e situatës
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, përshëndeti dje atë që e quajti hapje të PS-së ndaj çështjes çame. Sipas Idrizit, përveç angazhimit për këtë projektrezolutë, PDIU vlerësonte se ky dokument do të zhbllokonte ngërçin e krijuar në Komisionin e Jashtëm në lidhje me këtë çështje. Ne vlerësojmë se ky propozim që vjen nga Partia Socialiste zhbllokon impasin që ishte krijuar brenda Komisionit të Jashtëm në procesin e miratimit të rezolutës së çështjes çame nga Parlamenti shqiptar, theksoi Idrizi. Ai vlerësoi nga ky draft tre momente. Së pari, atë që lidhej me faktin se baza e zgjidhjes së çështjes çame është e drejta ndërkombëtare dhe marrëdhënia e mbështetur në fqinjësinë e mirë dhe Traktatin e Miqësisë. Prandaj edhe në projektin tonë ne kërkojmë heqjen e Ligjit të Luftës dhe nxjerrim në pah dhe faktin e provuar botërisht se kombi shqiptar dhe ai grek e kanë luftuar fashizmin siç është vërtetuar nga konferencat ndërkombëtare të pasluftës dhe se popullsia çame në mënyrë të natyrshme ka qenë pjesë e luftës antifashiste, shtoi Idrizi në lidhje me këtë pikë. Së dyti, ai theksoi se PDIU, pajtohet me faktin se çështja çame është një çështje e pazgjidhur politike që duhet adresuar diplomatikisht në frymën dhe me instrumentet e sipërpërmendura. Së treti, sipas Idrizit, PDIU çmon përfshirjen e detyrimit që qeveria të raportojë çdo gjashtë muaj në Parlament për adresimin diplomatik të kësaj çështjeje. Idrizi nuk harroi të theksonte faktin se PDIU është një parti që mbështet një patriotizëm modern e pragmatist, që di tu japë përgjigje nevojave të sotshme dhe sfidave të së ardhmes dhe që nuk ka asnjë lidhje me qëndrimet dhe retorikat folklorike dhe anakronike ksenofobe dhe ultra-nacionaliste.
Ftesa
Kreu i PS-së: Nisma, paralele me respektimin e minoriteteve
Rama: Çështja çame nuk duhet të mbetet e paadresuar
Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje se propozimi nga ana e PS-së për një draft rezolutë për çështjen çame vjen nisur nga nevoja e një komuniteti për tu trajtuar në mënyrë europiane. Kjo çështje duhet të trajtohet me një vizion, me një botëkuptim dhe me instrumente të Europës ku duam të integrohemi, e jo me vizione të vjetra, me këndvështrime të ngushta dhe me instrumente që nuk kanë të bëjnë me Europën ku duam të integrohemi, theksoi Rama duke shtuar se kjo çështje nuk duhet të mbetet e paadresuar. Po kështu, kreu i PS-së theksoi se respektimi i këtij komuniteti vjen paralel me respektimin e minoritetit grek në Shqipëri dhe nevojës së dy vendeve për të jetuar në harmoni. Ne e marrim këtë nismë duke u mbështetur në parimet bazë që udhëheqin vizionin tonë për një Shqipëri europiane në marrëdhënie ndërkombëtare; normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare; të mirëkuptimit dhe të respektit të ndërsjellë ndërmjet kombeve; të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të fqinjësisë së mirë; bashkëpunimit rajonal dhe solidaritetit ndërkombëtar, deklaroi Rama, duke shtuar se Shqipëria dhe PS ishte e vendosur për të ruajtur rolin e saj si garante e stabilitetit në rajon. Por theksoi se kjo çështje nuk duhet të ushqente mllef mes forcave politike shqiptare dhe as me qytetarëve të të dy vendeve.
Projektrezoluta e adreson këtë çështje duke e nxjerrë nga një inerci për hir të vërtetës jo fort e denjë për politikën shqiptare në gjithë këto vite. Por dhe duke e çminuar terrenin e një konflikti të paarsyeshëm mes forcash politike të këtij vendi që kanë interesin e lartë të përfaqë