PD thirrje Ramës: Mos blloko statusin, voto imunitetin

Kur na ndan vetëm një ditë para se Kuvendi i Shqipërisë të votojë për heqjen e imunitetit përmes ndryshimeve kushtetuese, PD i ka bërë dhe njëherë thirrje kreut të PS, Edi Rama, të mos bllokojë imunitetin dhe sëbashku me të dhe ëndrrën europiane të gjithë shqiptarëve. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD, Silbi Bardhi, ftoi numrin një të opozitës të shndërrojë 6 gushtin në ditë të bardhë për cdo shqiptar.
“PD fton sërish kryetarin e PS, zotin Edi Rama të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit dhe procesin e marrjes së statusit, por të lejojë grupin e tij të votojë ligjin e miratuar me konsensus të plotë nga të dyja palët, për heqjen e imunitetit, si interes jetik të çdo qytetari shqiptar. PD fton zotin Rama të shndërrojë datën 6 gusht në një ditë të bardhë për çdo shqiptar duke hequr murin e zi të korrupsionit, që nuk lejon Shqipërinë të marrë statusin”, u shpreh Bardhi.
Sipas Zëdhënëses, qytetarët shqiptarë presin që nesër ligjvënësit e tyre të marrin përgjejgësitë dhe të thyejnë njëherë e mirë murin e korrupsionit.
“Qytetarët shqiptarë që presin të shohin ëndrrën e tyre evropiane, presin nga ligjvënësit e tyre të vihen në lartësinë e përgjegjësive, të mos bllokojnë statusin por të votojnë për barazinë përpara ligjit. Ata me të drejtë presin që të zgjedhurit e tyre të faktojnë se ata me vullnetin tyre do të votojnë heqjen e imunitetit dhe rrëzimin e murit të tij, që pas 6 gushtit të mos përdorë imunitetin si mbulim, apo duke u marrë me ryshfete apo trafiqe kriminale”, nënvizoi ndër të tjera zëdhënësja e selisë blu.
Në këtë kontekst Bardhi theksoi se nëse Rama bllokon imunitetin, ai u thotë shqiptarëve se do të bllokojë për të tretin vit marrjen e statusit kandidat, ndërsa ka garantuar në emër të PD se asgjë nuk do të pengojë verdiktin e shqiptarëve për rrëzimin e murit të korrupsionit.