PS, Klosi: Imuniteti është çështje e zgjidhur, por na duhet një sistem drejtësie i pavarur
Deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi, gjatë një deklarate për mediat ka ritheksuar se çështja e imunitetit është një çështje e zgjidhur dhe se PS jo vetëm që ka qenë nismëtare, por ka dhënë edhe dakordësinë e saj duke votuar pro nen për nen projektin për kufizimin e imunitetit. Por ajo çka kërkon Partia Socialiste, ka shtuar Klosi, është që krahas ndryshimit të kushtetutës për të kufizuar imunitetin, të diskutojmë edhe ato ndryshime që sigurojnë pavarësinë e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë.
Në emër të Partisë Socialiste, dua të sqaroj disa çështje me rëndësi mbi datën 6 gusht, datë të cilën Sali Berisha e ka kthyer në refren për të mbuluar dështimet e qeverisë së tij, skandalet korruptive që e shoqërojnë atë në çdo ditë qeverisëse si dhe mosplotësimin e asnjë prej kërkesave të Bashkimit Europian për statusin e vendit kandidat:
Së pari, data 6 gusht nuk përfaqëson asnjë afat kohor të vendosur me konsensus nga politika vendase dhe as një afat të kërkuar nga Brukseli.
Së dyti, çështja e imunitetit është një çështje e zgjidhur, për të cilën Partia Socialiste ka qenë nismëtare, por ka dhënë edhe dakordësinë e saj duke votuar pro nen për nen projektin për kufizimin e imunitetit. Pra e thënë thjeshtë: Partia Socialiste është pro dhe mbështet kufizimin e imuniteteve, tha Klosi.
Ajo çka ne kërkojmë është përmbushja e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Europian. Një nga detyrat që Brukseli i ka lënë qeverise së Sali Berishës është të sigurojë një sistem drejtësie të pavarur dhe të çrrënjosë kulturën e pandëshkueshmërisë. Pikërisht këtë kërkon edhe Partia Socialiste:Krahas ndryshimit të kushtetutës për të kufizuar imunitetin, të diskutojmë edhe për ato ndryshime që sigurojnë pavarësinë e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë.
Partia Socialiste i bën thirrje Sali Berishës të diskutojë propozimet tona, që jo vetëm kufizojnë imunitetin, por e bëjnë drejtësinë të pavarur.
Ne socialistet jemi për integrimin europian, Sali Berisha është kundër.
Ne socialistet jemi për një drejtësi të pavarur, Saliu kërkon një drejtësi të gjunjëzuar para tij.
Ne jemi për luftë me tolerancë 0 ndaj korrupsionit, Saliu e ka kthyer korrupsionin në sistem, vijoi Klosi.