E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

PD zyrtare me kandidatë në 16 bashki, Berisha: Janë vegla që po i përdor Basha dhe Rama

Ish kryeministri Sali Berisha i quajti “kandidatë të Edi Ramës” kandidatët e përzgjedhur nga Partia Demokratike me kryetar në detyrë Enkelejd Alibeaj.

Pas mesnatës PD zyrtare bëri të ditur se do të garonte në 16 bashki. E ndërkohë që nuk do të ketë kandidatë për Durrësin, Elbasanin dhe Shkodrën  në Tiranë do të kandidojë Roland Bejko i cili përveç Erjon Veliajt, do të ketë përballë edhe Belind Këlliçin, kandidatin e dalë nga primaret e pjesës tjetër të Partisë Demokratike.

 “Kandidatët e Alibashës dhe Lulzim Bravës janë kandidatë të Edi Ramës. Ata nuk kanë asnjë lidhje me PD-në. Janë vegla që i përdor Basha dhe Rama kundër pluralizmit” tha Berisha për gazetarët duke u shprehur i bindur se koha do të provojë rëndësinë e misionit të demokratëve.

Sot deri në mesnatë është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, si edhe për kandidatët për Këshillat Bashkiakë.

Po sot Kryetarja e Komisionit të Auditit për paratë ruse në Partinë Demokratike, Ledina Mandia publikoi rezultatet e auditit i cili ka dalë në përfundimin se nuk ka prova që të vërtetojnë se ka pasur para të paligjshme në PD. 

“PD nuk ka në arkën e saj një qindarkë të vetme të hyrë apo të dalë për 500 mijë dollarë të paguar nga Biniatta Trade, një kompani e zbulimit rus në Skoci, në emër të PD-së. Nuk ka” tha Mandia para gazetarëve në konferencë për media në selinë e PD-së.

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›