E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDI, suksesi përtej numrave

Akoma edhe sot, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, urimet e miqve të mi, të shokëve, të shqipëridashësve në kufijtë formalë gjeografikë, por edhe në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, vazhdojnë të jenë të shumta për fitoren që u arrit nga PDI në këto zgjedhje. Ndonëse formalisht në listën parlamentare PDI figuron vetëm me një deputet, të gjithë në Shqipëri, e në trevat e tjera amtare, kanë një bindje të madhe e të padiskutueshme se është fituar shumë, shumë më tepër.

Së pari është një odise e gjatë e përpjekjeve të komunitetit çam e të strukturave të shoqatës "Çamëria", por edhe të shumë intelektualëve të tjerë që nuk janë me origjinë nga kjo krahinë me të drejta të nëpërkëmbura, në tërë këto vite u punua fort, me dashuri, vetëmohim në planin organizativ, në planin kulturor, mediatik brenda e jashtë vendit, në Bruksel e në SHBA, në Turqi e në Moskë, për të ngritur fort zërin në mbrojtje të të drejtave të mohuara të kësaj popullsie që para 60 viteve, që po rizgjohet vrullshëm për t‘u paraqitur në tribunën më të lartë të legjislativit të një vendi. Nga viti 1990 e deri më 2009 është bërë një punë e mjaftueshme për të ndërgjegjësuar opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar për këtë problem, por dukej se i mungonte edhe një zë i fuqishëm politik, si ai i PDI-së dhe një zë parlamentar si ai i këtij viti.

Së dyti, historia e gjatë e kësaj popullsie në truallin e të parëve të tyre e këtu në vendin amë ka vërtetuar me një mijë e një fakte nga më të fuqishmet se popullsia çame në bashkëjetesën me vëllezërit e një gjuhe, të një besimi, të një kulture, ditën që të ngriheshin shumë më shpejt mbi vështirësitë e atij fati tragjik që ata patën në gjysmën e parë të shekullit XX dhe më vonë të shprehnin atë forcë të brendshme të mbijetesës së tyre me atë dashuri të pamat për punën, për dijen e shkronjën, për të ardhmen, natyrisht pa e humbur shpresën se një ditë zëri i tyre do të dëgjohej jo vetëm nëpër gazeta, apo në ndonjë televizion kur të donin drejtuesit e tyre.

Së treti, fitorja e kësaj partie në këtë vit parlamentar nuk ishte si e Pirros, edhe pse portreti i tij është një pjesë e emblemës së shoqatës që në lindje të saj e deri më tani. Ishte një fitore e merituar me shumë punë, me shumë sakrifica. Pa ndonjë traditë të madhe elektorale si kishin parti moshëmëdha në spektrin e politikës shqiptare që mbetën në "Bishtin e Urës", madje në disa raste edhe u abuzua duke e keqinterpretuar fitoren e merituar të kësaj partie me arsye nga më të pazakonshmet në planin politik, vetëm e vetëm për të humbur gjurmët e humbjes së tyre. Kjo baltë "alla shqiptarçe" mbi këtë parti, me një theks të dukshëm kombëtar që i ka munguar për shumë e shumë legjislatura me radhë, u hodh edhe nga një lloj xhelozie politike që nuk i ka munguar asnjëherë e askurrë spektrit politik shqiptar në tërë këto vite të demokracisë.

Ajo u arrit në një qark si ai i Vlorës, ku ka një popullsi të konsiderueshme çame. Edhe mandati i dytë që u fitua dhe u hoq në prag të mbylljes së procesit zgjedhor, ishte fryt i asaj marrëveshjeje elektorale të kësaj popullsie për të kërkuar që të kishte sa më shumë përfaqësues çamë në Parlament. Po ta shohim në një kënd tjetër fitoren, themi se kjo do të ishte shumë më e madhe po të gjykojmë se fushata e saj u zhvillua vetëm në dy-tri qarqe. Ndërsa në zonat e tjera ku logjikisht dhe matematikisht mund të mos fitohej një mandat deputeti sipas ligjit proporcional të afruar për zgjedhësit, u mendua dhe u deklarua që votat e PDI të shkonin në favor të Partisë Demokratike, me të cilën u bë edhe koalicioni paraelektoral. Kështu do të thoshim se fitorja e saj u bë edhe pjesë e fitores së PD në shumë zona të vendit.

Fitorja e PDI-së pati dhe ka edhe një aspekt tjetër politik. Në prag të saj, drejtuesit e kësaj partie u bënë firmëtarë të një marrëveshjeje paraelektorale me Partinë Demokratike dhe me parti të tjera për të bashkëqeverisur në rast fitoreje. Në atë ditë, ku isha edhe vetë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i kësaj kontrate politike, u përmend nga Kryeministri Berisha se ai "do të ishte avokat i Çamërisë në zgjidhen e problemeve të mprehta të saj". Duke besuar në sinqeritetin e dashamirësinë e Kryeministrit Berisha, që po përgatitet të krijojë ekipin e ri qeverisës, por edhe të detyrimeve politike që rrjedhin nga ai bashkim votash, mendimesh dhe platformash qeverisëse, themi me plot gojë se kështu është përvijuar edhe një pjesë tjetër e fitores së saj nga këto zgjedhje.

Mbrojtja e çështjes çame nga një tribunë parlamentare jo vetëm nga përfaqësuesi i PDI-së, por edhe një lloj lobi që mund të krijohet shumë shpejt në Parlament, do të ishte një fitore edhe në planin kombëtar, në një kohë kur të drejtat e shqiptarëve në rajon janë shumë më të dukshme në rrugën e jetës së tyre qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoni e në Mal të Zi.

Tani pozitat e Partisë për Drejtësi dhe Integrim janë më të forta se kurrë. Të gjitha strukturat e saj po përgatiten për të dhënë sa më shumë për forcimin e saj organizativ në mbarë vendin, sepse ka edhe shumë për të bërë edhe në këtë drejtim. Asnjëherë fitorja e një partie nuk mund të jetë e mbyllur me atë që është arritur. Ndonëse fitorja zyrtarisht mund të ishte shumë më e madhe, sidoqoftë është një fillim i bukur, që do të ndikonte shumë më mirë edhe në një fitore shumë më bindëse në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në kohën e caktuar. Bashkëqeverisja e saj në një koalicion qeverisës me Partinë Demokratike do të japë një frymë të re plot vitalitet edhe për jetën ekonomike, shoqërore të Shqipërisë, duke aktivizuar forcat më të mira intelektuale dhe atdhetare të këtij komuniteti.

Duke biseduar me zotin Tahir Muhedini në prag të negociatave për qeverinë e re, shohim një lloj entuziazmi të besueshëm për këtë fitore. Kjo bashkëqeverisje forcash intelektuale do të ishte dhe një lloj fitoreje e re për të gjithë, duke i dhënë Parlamentit atë frymë të munguar kombëtare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›