PDIU-Greqisë: Integrimi i Shqipërisë nuk kalon nga Athina

Një ditë pas deklaratave të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke Grigoris Delavekuras, ku shprehte shqetësimin e Athinës zyrtare ndaj vendimit të fundit të qeverisë shqiptare për të bërë pjesë të saj edhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar sot kjo e fundit. Në një deklaratë për shtyp kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi e cilësoi reagimin e zëdhënësit grek kërcënim për integrimin e Shqipërisë, ndërsa theksoi se pavarësisht kësaj integrimi ynë nuk kalon nga Athina.
“Reagimi i zëdhënësit grek kërcënim për integrimin e Shqipërisë. Përfshirja jonë në qeveri do të mbrojë minoritetet në Shqipëri. Jemi në mbrojtje të pakicave, por thelbësore është respektimi i reciprocitetit. Shteti grek të distancohet nga këto qëndrime, integrimi ynë nuk kalon nga Athina” tha ai.
Të premten në një komunikim me mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras, tha se qeveria helene po e monitoron situatën, megjithëse kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë. “Çështja e përbërjes së qeverisë shqiptare është çështje e brendshme dhe, si e tillë, nuk na takon neve ta komentojmë”, tha Delavekuras. “Është e vërtetë se PDIU ka shprehur qëndrime që na shqetësojnë dhe bien ndesh me frymën integruese të Shqipërisë. Kemi marrë garanci nga Kryeministri dhe nga Ministria e Jashtme në Tiranë se Shqipëria dëshiron marrëdhënie të mira me Greqinë”, shtoi ai.