E Diel, 1 Nëntor 2026

PDIU: Maqedonasit duhet të jenë të interesuar për ekzistencën e shtetit. Agjencitë botërore pasqyrojnë dhunën kundër shqiptarëve në Shkup

03-03-2013 / Gazeta 55

Reagimet e partive politike një ditë pas protestës anti-dhunë. Polemika mes PDSH dhe BDI



Kushdo qoftë pas këtyre incidenteve, veçanërisht mbi fëmijët shqiptarë, do bëhet përgjegjës për pasojat e spirales së dhunës ndëretnike. Shqiptarët si komb janë me vëllezërit tanë në Maqedoni ! Shqiptarët janë të interesuar për ekzistencën e Maqedonisë, por nëse vetë maqedonasit nuk janë të interesuar, atëherë ky është një skenar i paparashikueshëm ! Gjatë incidenteve të fundit ndëretnike në Maqedoni, me pretekst gjoja politik, është regjistruar dhe po regjistrohet dhunë, por ka diçka që nuk mund të tolerohet. Grupe huliganësh maqedonas kanë rrahur fëmijë shqiptarë në një akt burracak, diçka e paimagjinueshme në Europën e qytetëruar. Mbrapa sulmit ndaj fëmijëve, ngjan se ka diçka që është rreptësisht e planifikuar. Të sulmosh fëmijët e një etnie tjetër, do të thotë të jesh i vetëdijshëm për spiralen e dhunës ndëretnike, dhe pasojat e saj. Për më shumë kur kjo dhunë nxit sentimentet njerëzore dhe kombëtare, të të gjithë shqiptarëve, jo thjesht të atyre që jetojnë në Maqedoni. Shqiptarët po reagojnë si komb dhe do të reagojnë gjithmonë si komb ndaj akteve kaq  të turpshme dhe kriminale! Përballë aktesh të tilla, askush nuk duhet të qëndrojë indiferent, përfshi dhe autoritetet shtetërore të vendit fqinj, të cilat duhet të ndërmarrin reagime të forta dhe të menjëhershme të frymëzuara nga ndjenja e drejtësisë që do të shmangnin skenarët më të këqinj. Ata janë disa. Nëse këto reagime janë inskenime të faktorit maqedonas, pa dallime partiake kjo tregon se në shoqërinë maqedonase ka shumë urrejtje për shqiptarët, që është aq e madhe, sa planifikuesit nuk duan t’ja dinë për pasojat që mund t’i krijohen stabilitetit të shtetit maqedonas dhe ekzistencës së tij për shkak të reagimit të shqiptarëve. Kjo urrejtje duhet të jetë diçka që duhet të marrë fund njëherë e mirë. Shqiptarët janë të interesuar për ekzistencën e Maqedonisë si shtet, por nëse vetë maqedonasit nuk janë të interesuar, atëherë përgjegjësia për gjithçka bie mbi ta. Nëse këto reagime janë me nxitje të opozitës maqedonase, atëherë kjo forcë politike tregon se s’qenka ndërgjegjësuar ende për forcën e shqiptarëve brenda Maqedonisë, apo si komb.  Më keq për ta, sepse kurrë s’do të vijnë në pushtet! Në ngjarjet e Maqedonisë, mund të ketë dhe faktorë të jashtëm, të cilët edhe nëse nuk janë nxitës të veprimeve të para të dhunshme ndaj shqiptarëve, mund të jenë inkurajues të tyre, pikërisht duke llogaritur pasojat e spirales së dhunës ndëretnike. Mund të jetë dikush jashtë Maqedonisë, që kërkon të provokojë shqiptarët, duke i nxitur të reagojnë në mënyrë të shpërpjesëtuar, për t’i treguar me gisht ata si destabilizues të rajonit. Kështu mund të ndikohet sipas këtyre faktorëve dhe balanca e forcave në negociatat e Brukselit Kosovë-Serbi. Në të gjithë rastet, kush qëndron prapa sulmeve, nuk ka llogaritur si duhet reagimin e shqiptarëve si komb ndaj provokimeve kësisoj. Qeveria maqedonase që ka në dorë ndëshkimin e fajtorëve dhe është përgjegjëse për ruajtjen e stabilitetit, duhet të ndërhyjë me forcë dhe me drejtësi që këto akte të marrin fund, përndryshe nesër do të jetë vonë.



Agjencitë botërore pasqyrojnë dhunën kundër shqiptarëve në Shkup



Agjencitë dhe mediat botërore kanë pasqyruar dje ngjarjet e dhunshme dhe protestat e djeshme në Shkup të të rinjve shqiptarë, që ishin organizuar kundër dhunës së huliganëve maqedonas. Agjencitë AFP, Reuters, DPA, AP dhe të tjera kanë raportuar duke theksuar se ka pasur përleshje midis policisë dhe protestuesve shqiptarë. Asociated Press raporton për dy protestat, edhe atë të së premtes të huliganëve maqedonas dhe protestën e djeshme të të rinjve shqiptarë, duke nënvizuar se gjatë atyre trazirave janë plagosur 22 veta, prej të cilëve 13 policë. Agjencitë raportojnë se shkas i nxitjes së protestave ishte emërimi i një ish-komandanti të UÇK-së në krye të ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë. Sipas agjencive dy protestat u organizuan përmes thirrjeve në rrjetet sociale të internetit.



PDSH: Tradhti e BDI-së dhe Ali Ahmetit - do bojkotojmë parlamentin



Kryesia Qendrore e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme analizoi situatën aktuale politike të krijuar pas ngjarjeve të fundit në Shkup, me sulmet ndaj të rinjve, nxënësve dhe qytetarëve shqiptar nga ana e huliganëve dhe policisë maqedonase. "BDI-ja herë me LSDM-në dhe herë me VMRO-në, gjithmonë bëhet pjesë e skenarëve kundër shqiptarëve, andaj si pasojë e kësaj shqiptarët çdo ditë rrihen, vriten, maltretohen dhe arrestohen. PDSH vlerëson se sulmet që ndodhin sistematikisht ndaj shqiptarëve, ishte preteksti që mijëra shqiptarë të dilnin dje në protesta kundër dhunës së ushtruar mbi ta. Apelojmë te faktori ndërkombëtar që hezitimi dhe kujdesi në fjalor që në situata të caktuara e kanë, për hirë të seriozitetit të situatës gjërat të thuhen më troç, me qëllim që situata të këtilla mos të përsëriten", thekson PDSH. Kjo parti gjithashtu kërkon urgjentisht që të lirohen shqiptarët e arrestuar ditëve të fundit dhe njëherit të tërhiqen forcat policore nga lagjet shqiptare të Shkupit. "Kërkojmë urgjentisht që të merren masa ndaj të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj shqiptarëve, qofshin huliganë apo pjesëtarë të forcave policore dhe urdhër-dhënësit e tyre, gjë e cila në masë të madhe do të ndikonte në qetësimin e situatës. Të vetëdijshëm për zhgënjimin e madh që shqiptarët e kanë ndaj BDI-së, vlerësojmë se nuk duhet humbur besimin në procesin politik. Ky zhgënjim duhet të kanalizohet në mobilizim të gjithanshëm që nëpërmjet votës më 24 Mars t’i dënojnë ata që me vite dështojnë në mbrojtjen e shqiptarëve", theksohet në konkluzat e PDSH-së. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi deklaroi para mbledhjes së kryesisë se nuk do të braktiset dhe bojkotoj Parlamentin. "Bojkoti nuk do të ndodhë për shkak se çdonjëri nga këta lojtar të përlyer kërkon alibi, dhe nuk do të jemi alibi për sjelljet joserioze të Qeverisë dhe të ndonjë raporti të keq që mund të vij për Maqedoninë", deklaroi Thaçi, duke dënuar BDI për ngjarjet e djeshme. Sipas tij, protestat dje i organizoi BDI me parullën "Talat mos u frikëso, se Çairi me barot do të mbrojë". "Ata në këtë mënyrë kriminale duan që të ngrisin rejtingun.



BDI: PDSH instrumentalizoi një protestë legjitime për interesa elektorale



Ndërkohë BDI ka dalë me një reagim lidhur me protestën dhe incidentet në Shkup, duke fajësuar për këtë Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH). “BDI konsideron që e drejta për të protestuar dhe shprehja e lirë e mendimit është e drejtë themelore e qytetarit, mirëpo shprehim keqardhje për ngjarjet e sotshme, ku Partia Demokratike Shqiptare instrumentalizojë një protestë legjitime të qytetarëve që kishte për qëllim të shpreh mllefin e shqiptarëve ndaj tërbimit të djeshëm të huliganëve maqedonas duke e shndërruar atë në protestë të dhunshme për qëllime elektorale. Me këtë veprim rëndë rrezikojë jetën e qytetarëve, dëmtojë imazhin e shqiptarëve dhe kërcënon perspektivën e vendit", theksohet në komunikatën e BDI. Kjo parti edhe një herë fton qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos bien pre e manipulimeve të subjekteve dhe grupeve që janë të gatshme të venë në rrezik jetën e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit për interesat e ngushta partiake. "Garantojmë që secili që do të ngre dorë mbi shqiptarë do të merr dënimin e merituar dhe maksimal gjë që edhe e kemi dëshmuar në të kaluarën. Sigurojmë qytetarët që nuk do të lejojmë asnjë strukturë që të shkatërrojë atë që bashkë e kemi ndërtuar ndër vite për të siguruar mirëqenie dhe ardhmëri për shqiptarët në vend", thuhet në fund të komunikatës së BDI-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›