Komisionari Fyle: Jemi gati të japim statusin, Shqipëria është shumë afër edhe për çeljen e negociatave

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, në një intervistë për EurActiv, portali online që merret me çështjet e BE, thotë se pas pranverës ishte vënë re një përshpejtim i reformave nga qeveria shqiptare, çka do ndihmojë dhënien e opinionit për marrjen e statusit, në vjeshtë të këtij viti. Përmbushja e disa kritereve, si imuniteti apo reforma parlamentare do të ndihmojë edhe në çeljen e afërt të negociatave për anëtarësimin e plotë në BE
Komisioneri për Zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë së mirë në Komisionin Evropian, Stefan Fyle i kujton edhe njëherë klasës politike shqiptare, “bërjen e detyrave të integrimit”.
Gjatë një interviste për EurActiv, rrjetin informativ për çështjet evropiane, Fyle specifikon edhe njëherë realizimin e 12 rekomandimeve, ndërsa theks të rëndësishëm i kushton të ashtuquajturës “masë kritike”, ku përfshihet heqja e imunitetit dhe reforma parlamentare.
Dy çështje të cilat do t’i takojnë sesionit të ardhshëm parlamentar (edhe pse debati për imunitetin po orientohet drejt referendumit popullor), pasi Partia Socialiste përmes praktikave të vjetra bllokuese, bëri që seanca e 6 gushtit të dështonte në heqjen e imunitetit, ndërsa më herët ka pasur mos-marrëveshje sa i takon reformës parlamentare. Në sens të kundërt me interesin kombëtar dhe jashtë çdo logjike të funksionimit demokratik të institucioneve, opozita zgjodhi sërish të mbetet në pozita bllokuese pa u shqetësuar për fatet e vendit. Jo pak, por 12 pikat e statusit kandidat, sot janë në memorien e çdo shqiptari, aq të debatuara dhe fiksuara si detyra bazë, për të ardhmen evropiane të vendit, ndërsa ai (Edi Rama), bën sikur s’di asgjë dhe fshihet pas gjethes së turpit..., po e lë Shqipërinë jashtë spektrit të integrimit për të tretin vit radhazi.
Gjithsesi, motivimi i ndërkombëtarëve nuk mungon dhe është vetë Stefan Fyle që i kujton klasës politike, edhe asaj bllokuese (PS-së së Edi Ramës), se interesi kombëtar është primar, në një kohë kur zgjerimi i BE s’do ndalet as në këto kohë krize.
“Shqipëria mori vitin e kaluar një listë rekomandimesh, me 12 prioritete kyçe, për të punuar mbi to për integrimin e vendit. Këtë pranverë, ne kemi përcaktuar së bashku me qeverinë shqiptare një listë ‘masash specifike’, të cilat janë të rëndësishme të ndërmerren”, thotë Fyle.
Ai vëren se dorëzimi i draftit (që nënkupton realizimin e kushteve), do bëjë të mundur marrjen e statusit kandidat dhe çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Hapi i fundit zhvillohet në një kohë shumë të shkurtër, pas marrjes së statusit.
“Pasi këto të jenë dorëzuar, Komisioni Evropian do jetë në gjendje të rekomandojë dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Pastaj, pasi të jetë akorduar dhënia e statusit, do të ketë kohë të mjaftueshme për të realizuar detyrat e mbetura në rrugën drejt çeljes së bisedimeve të pranimit, e cila do të zhvillohet në një kohë të shkurtër, sipas praktikave të ndjekura deri më tani me anëtarësimin e vendeve të tjera”, deklaroi komisoneri Fyle.
Në pranverë të këtij viti Komisioni Evropian përcaktoi mes 12 prioriteteve, se disa pika duhen plotësuar patjetër që të përmbushet e ashtuquajtura “masë kritike”.
Heqja e imunitetit (çka u kërkua me ngulm nga mazhoranca dhe u rrëzua nga opozita), është pjesë e kësaj “mase kritike”. BE kërkon përmbushjen e rekomandimeve, veçanërisht realizimin e draftit që përbën “masën kritike” si, heqja e imunitetit, reforma parlamentare dhe miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë. Po ashtu, në shtator shkon drejt parlamentit edhe ligji për Shërbimin Civil. Për qeverinë, reforma parlamentare quhet e përfunduar, ndërsa është përsëri opozita ajo që mbetet në pozita kritike, duke mos shprehur dakordësi për kompletimin e reformës. Kësisoj, pasi Komisioni Evropian të ketë konstatuar progresin e duhur, i rekomandon Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE, akordimin e statusit të vendit kandidat. Më parë (në tetor), Komisioni Evropian do të prezantojë progres-raportin për vitin 2011-të, vlerësimi pozitiv i të cilit mbetet faktor kyç për statusin kandidat dhe çeljen e negociatave të integrimit.
Zgjerimi i BE-së do vazhdojë/Komisioneri Stefan Fule thotë se do ishte gabim i madh për BE, nëse do hiqte dorë nga zgjerimi. Duke motivuar politikën e fqinjësisë së mirë dhe pasurimit të unionit me vlera demokratike dhe evropianizuese, kjo përmes zgjerimit të bllokut, Fyle thotë se është ekspresive fakti që, edhe pse në kohë krize janë 9-të vende, mes tyre edhe Shqipëria që, po përpiqen t’i bashkohen integrimit në BE. “Edhe pse në kohë krize, 9-të vende evropiane po përpiqen t’i bashkohen integrimit në BE. Do të ishte “gabim i madh” nëse Bashkimi Evropian do të humbasë interesin e zgjerimit”, u shpreh Fyle. Sa i takon krizës në eurozonë, të cila mendohej si faktor që mund të çonte në demotivimin e vendeve të pa- anëtarësuara në BE, Fyle thotë se “duhet të punojmë të gjithë së bashku, pasi sipas tij, zgjerimi sjell gjithmonë lajme të mira. Unë mendoj se duhet të punojmë të gjithë. Nëse nuk kujdesemi për ‘zgjerimin’ dhe ‘fqinjësinë tonë’ dhe të kthejmë vëmendjen vetëm brenda organizatës tonë dhe të fokusohemi vetëm në problemet tona, edhe pse ato janë mjaft serioze - askush nuk duhet të luajë me ata poshtë. Ky do të ishte një nga gabimet më të mëdha të BE dhe do të paguajë shtrenjtë për këtë. ‘Zgjerimi’ sjell gjithnjë lajme pozitive”, deklaroi më tej, komisioneri për Zgjerimin e BE, Stefan Fyle.
L. Quku