PDIU nis negociatat per koalicion parazgjedhor me PD
PDIU nis negociatat për koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike. Një vendim i tillë u mor sot nga kryesia e kësaj partie, e cila ngarkoi kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi të nisë zyrtarisht bisedimet për përfshirjen në koalicionin e drejtuar nga PD.
Gjithashtu, në këtë mbledhje kryesia vendosi që të nisin përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke pohuar vendosmërinë e rritjes së përfaqësimit parlamentar të PDIU-së në përbërjen e ardhshme të Kuvendit, çka do të kontribuojë në rritjen e zërit dhe trysnisë pozitive për çështjet kombëtare e në veçanti për çështjen çame, si edhe do të fuqizojë partinë që për katër vjet tregoi se në momentet kyçe të zhvillimeve të çështjes kombëtare, arriti të ndërhyjë me vendosmëri duke ndaluar abuzimet e duke fuqizuar pozicionin e kombit tonë.
Por me nisjen e negociatave me PD, PDIU ka refuzuar aleancën me PS, ku edhe pse nuk pati një ftesë publike nga lidershipi socialist, propozimi i rezolutës alternative për çështjen çame u duk si një thirrje indirekte për bashkëpunim nga PS.