PDK: Ferizaji ndëshkoi ata që tentuan ta mashtrojnë

Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së, në një konferencë për media, pohoi se qyteti i Ferizajt dhe qytetarët e tij, dëshmuan përsëri kulturë dhe pjekuri të lartë politike dhe civilizuese.
"Ata me qytetarinë e tyre, u treguan të gjitha subjekteve politike, pa dallim, se dinë ta vlerësojnë punën e bërë në komunën e tyre dhe që dinë ta vlerësojnë kandidatin dhe ofertën më serioze".
Stavileci, po ashtu theksoi se qytetarët e Ferizajt, treguan se me votën e tyre, dinë edhe t’i ndëshkojnë ata, që me manipulime dhe akuza të ulëta mundohen ta mashtrojnë elektoratin. Sipas Stavilecit, vota e qytetarëve dhe besimi i tyre i palëkundur për PDK-në, duhet t’u shërbej partive opozitare, se me retorika politike dhe fabrikim të realiteteve jo ekzistente, nuk mund ta konkurrojnë vizionin evropian të PDK-së.
“Vota e qytetarëve të Ferizajt dhe besimi i tyre i palëkundur në PDK-në, do të duhej t’u shërbejë në këtë rast në mënyrë të veçantë, subjekteve politike opozitare, se me retorika politike dhe me fabrikime të realiteteve jo ekzistente, nuk mund t’i konkurrojnë vizionit evropian dhe koncepteve të qeverisjes së PDK-së. Fitorja e bindshme e PDK-së, e projekton më së miri barometrin politik aktual dhe të ardhshëm të skenës politike kosovare. PDK është subjekti politik më i madh në vend, në të cilin si rezultat i ofertës serioze politike, çdo herë e më shumë po aderojnë dhe kuadro të reja, të cilat po na fuqizojnë dhe do ta avancojnë dhe më shumë skenën politike në vend”, ka thënë Stavileci.
Ai më tej ka pohuar se qytetarët e Kosovës, duke bërë zgjedhjen e duhur, kontribuojnë në ardhmërinë e qyteteve të tyre dhe në ardhmërinë evropiane të vendit tonë.
Sipas tij, zgjedhja e duhur vjen gjithmonë prej subjekteve politike të dëshmuara dhe të përkushtuara për realizimin e projekteve, që burojnë nga vizioni evropian.