E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK-LDK, bashkëpunimi do të vazhdojë

Autori i Lajmit: Redaksia
Kosovë - Partia Demokratike e Kosovës ka “anuluar” prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në nivel qendror. Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndërkaq, ka bërë të ditur se do të vazhdojë të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore që dalin nga partneriteti në nivel qendror - ndërsa kjo parti do të lidhë koalicion për balotazh me subjekte të ndryshme politike në nivel lokal, pavarësisht specifikave të secilës komunë. PDK ka lëshuar një komunikatë për media, ku ndër të tjera thekson se kjo parti “mbetet fuqimisht e përkushtuar për stabilitetin funksional të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës dhe procesin e shtetndërtimit”. “Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të lira, të ndershme dhe demokratike dhe me gjithëpërfshirje, nuk do të mund të ndikojnë në funksionimin e mirë të institucioneve qendrore: Parlamentit, Presidentit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, - thuhet në komunikatë. Partneriteti i koalicionit në nivel qendror – sipas komunikatës së PDK-së – “mbetet i konsoliduar dhe i pacenueshëm e funksional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe marrëveshjen e koalicionit deri në zgjedhjet nacionale të vitit 2011. PDK do të vazhdojë përkushtimin në filozofinë e shtetndërtimit dhe unitetit në prag të procesit të Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pritjes së njohjeve të reja dhe proceseve integruese euroatlantike”,- përfundon komunikata e PDK-së. Në këtë mënyrë, PDK ka “shfuqizuar” një komunikatë tjetër të saj, që mediave iu shpërnda dy ditë më parë, pas mesnate, ku njoftonte për rishqyrtimin ose riformatizimin e koalicionit të saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës për qeverisje në nivel qendror. Ndërkaq, mediat, duke u mbështetur në burime të larta të PDK-së, kishin raportuar se PDK, pas ndryshimeve të ndodhura në terren, pritet që të premten të nënshkruajë koalicionin e ri në nivel qendror me AKR, LDD dhe partitë e minoriteteve. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, president i ri do të jetë Bexhet Pacolli, kryeministër Hashim Thaçi, ndërsa kryetar i Kuvendit do të jetë Nexhat Daci. Në anën tjetër në LDK kanë thënë se janë “të befasuar" me këtë qëndrim të partnerit të koalicionit. Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, ka thënë se për këtë vendim të PDK-së është njoftuar nëpërmjet telefonit nga nënkryetari i saj, Hajredin Kuçi, i cili i ka thënë: "Kemi bërë koalicion me LDD AKR, kaq. Të lutem e njofto Presidentin", - tha Manaj. Dje ndërkaq, Kryesia e LDK-së ka mbajtur një takim, ka thënë se kjo parti do të krijojë partneritet për balotazh me subjekte të ndryshme politike në nivel lokal, varësisht prej specifikave të secilës komunë. Në të njëjtën kohë është thënë se LDK do të vazhdojë të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore që dalin nga partneriteti në nivel qendror e që është e rëndësisë parësore për funksionimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, Presidencës, Parlamentit dhe Qeverisë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë. Në këtë mënyrë LDK ka bërë të ditur se koalicioni në nivel qendror nuk do të prishet, por se partneriteti në nivel lokal i LDK-së nuk do të ndikohet nga koalicioni në nivel qendror.

“Paralajmërimet, aventurë interesante”

Zyrtarët e LDK-së i cilësuan si “aventurë interesante” paralajmërimet e PDK-së për prishjen e koalicionit në nivel qendror. “Ka qenë një aventurë interesante”, - tha Eqrem Kryeziu, nënkryetar i Parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke komentuar për gazetarët zhvillimet e një dite më parë. Kryeziu lexoi një deklaratë të Kryesisë së LDK-së, ku konfirmohet vazhdimi i bashkëqeverisjes me partinë kryesore në vend – PDK. Por vetëm në nivel qendror. “LDK në balotazh do të krijojë partneritete me partnerë të ndryshëm lokalë, sipas specifikave të secilës komunë”, - tha Kryeziu.

Ndërkombëtarët: “Gjithçka demokratike derisa respektohen dispozitat kushtetuese”

Shefi i zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith, kërkoi nga liderët politikë në Kosovë që të respektojnë aktin më të lartë juridik të vendit gjatë marrjes së vendimeve të tyre. Në orët e paradites, para deklarimeve të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Feith tha se partitë duhet të qartësojnë pozicionet e tyre. “Ne jemi duke i përcjellë këto zhvillime me interesim të madh. Qeveria, partitë politike dhe politikanët duhet që së shpejti të dalin me një qëndrim. Mendoj se unë vetëm mund të them se është me rëndësi që dispozitat e Kushtetutës të respektohen plotësisht”, - tha Feith. I pyetur se a është e drejtë që të kemi prishje të koalicionit vetëm pesë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 15 Nëntorit, Piter Feith deklaroi se edhe kjo është demokracia dhe se gjëra të tilla mund të ndodhin. “Këto gjëra mund të ndodhin, kjo është demokracia, pra kjo varet nga liderët politikë për të gjetur një rrugëdalje”,- tha Feith. Ndërkohë dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, zhvillimet e fundit në Qeverinë e Kosovës i vlerëson si “një formë normale e politikës së koalicioneve në një sistem parlamentar”. "Të gjitha partitë në qeveri dhe opozitë, janë duke bërë kalkulime ku shtrihen interesat e tyre zgjedhore dhe marrin vendime politike mbi këto baza",- tha Dell në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ky lajm është publikuar: 21/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›