Topi-Bosch, flitet për reformat në vend
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi dje një takim në Pallatin e Brigadave me Kreun e Pranisë së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Robert Bosh. Nga ana e tij, Presidenti i Republikës ka vlerësuar ndihmesën e vazhdueshme dhe rolin, sipas tij, të vyer të OSBE-së, duke nënvizuar kontributin e saj real për forcimin e demokracisë në vendin tonë dhe të institucioneve të pavarura kushtetuese, në konsolidimin e shtetit ligjor, arritjes së standardeve dhe përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në strukturat Euroatlantike. Ndërsa, ambasadori Bosh e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar mbi vazhdimësinë e palëkundur të ndihmesës së OSBE-së për demokracinë shqiptare në drejtim të reformimit të sistemit të drejtësisë, të sistemit zgjedhor dhe institucioneve të pavarura kushtetuese, si dhe për ruajtjen dhe konsolidimin e lirisë dhe pavarësisë së medias.