E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK e njeh vendimin e KZAP-it

Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e kanë quajtur të drejtë vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) për përsëritjen e votimeve në komunat e Prizrenit, Lipjanit dhe Gjilanit, ku ka pasur parregullsi në balotazhin e 13 dhjetorit dhe u kanë bërë thirrje vëzhguesve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë që të vëzhgojnë procesin zgjedhor, ndërkaq kanë shprehur bindjen se kandidatët e PDK-së do të dalin fitues në të tri komunat ku është kontestuar rezultati.

Në një konferencë për media, nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi ka shprehur qëndrimin e kësaj partie për udhëzimin e KZAP-it për përsëritjen e votimeve në ato komuna ku ka janë shënuar parregullsi, duke thënë se PDK-ja e pranon këtë vendim dhe beson në fitoren e kandidatëve të saj për Prizren, Lipjan dhe Gjilan.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si institucion i pavarur, ka marrë një vendim sipas kompetencave kushtetuese dhe ligjore që ka. Partia Demokratike e njeh këtë vendim. Ne jemi të bindur se Partia Demokratike në këto tri komuna që ka fituar që nga viti 2007 katër herë dhe brenda një muaji dy here do të jetë fituese prapë edhe në komunën e Prizrenit, edhe të Gjilanit, edhe të Lipjanit”, ka thënë Kuçi.

Për më tepër numri dy i PDK-së u bëri thirrje vëzhguesve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë ta bëjnë monitorimin e plotë të këtyre zgjedhjeve dhe që rezultatet e tyre të pranohen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Besojmë që zgjedhjet e radhës do të monitorohen dhe ju bëjmë ftesë vëzhguesve vendorë dhe veçanti atyre ndërkombëtarë ta bëjnë monitorimin e plotë të këtyre zgjedhjeve që ta japin pëlqimin dhe propozimin e tyre dhe besoj që më pastaj oponentët tanë politikë t’i njohin ato me rezultate”, ka thënë Kuçi.

Duke folur rreth paralajmërimit të protestave të degës së PDK-së kundër vendimit të KZAP-it, Kuçi ka thënë se PDK i fton të gjithë që ta respektojnë qëndrimin e kësaj partie për rivotim në komunat ku janë shënuar parregullsi.

Për sa i përket thirrjes që i kishte bërë kohë më parë presidentit Fatmir Sejdiu që të veprojë më tepër si president dhe më pak si kryetar i LDK-së, Kuçi ka thënë se thirrja e tij nuk ka qenë subjektive.

“Unë besoj se ajo thirrje nuk ka qenë subjektive. Mendoj të gjithë ne edhe veprimi që po bën PDK-ja ka qenë në thirrje të asaj që t’iu besojmë institucioneve dhe shumë gjëra kur jemi në garë t’i besojmë një organi të pavarur”, ka thënë Kuçi.

Duke folur rreth asaj nëse ka qenë gabim mos vendosja e kamerave në vendvotime, nënkryetari Kuçi ka theksuar se edhe PDK-ja ka qenë pro vendosjes së kamerave.

“Ne kemi qenë pro vendosjes së kamerave, por kemi qenë pro vendosjes së standardeve ndërkombëtare. Nuk duhet ta kontestojmë procesin si proces. Kjo është një pjesë e procesit dhe duhet të vazhdojmë më tutje”, ka thënë ai.

Edhe LDK mbrëmë ka përshëndetur udhëzimin e KZAP-it drejtuar KQZ-së për përsëritjen e votimeve në tri komunat ku janë shënuar parregullsi dhe ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen pas Vitit të Ri. Ndërkohë, KQZ ende nuk ka sjellë vendim në lidhje me udhëzimin e KZAP-it. (Kosovapress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›