Eksperimenti i KZAP-it

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(KZAP) ka udhëzuar të shtunën Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar komune në Prizren, Gjilan dhe Lipjan duke e kthyer situatën përsëri te votuesit. Një panel treanëtarësh i KZAP i përbërë nga gjykatësit Osman Tmava, Ymer Hoxha dhe Muharrem Shala kanë marrë vendim që t’i marrin si “të bazuara” të gjitha 43 ankesat e bëra nga palët në këto tri komuna.
Vendimi i KZAP i ka zënë në befasi të gjithë duke filluar nga KQZ e deri te palët në kontest. Në të tri komunat ku do të përsëriten votimet, në garë për kryetarë komune janë kandidatët e PDK’së dhe LDK’së. Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 13 dhjetorit, në të tri komunat kanë treguar epërsi të kandidatëve të PDK’së ndaj rivalëve të tyre. Në Prizren, Ramadan Muja ka qenë në epërsi të lehtë ndaj Hanefi Muharremit. Në Gjilan, Qemajl Mustafa kishte numër më të madh votash se Fatmir Rexhepi njëjtë sikur në Lipjan Shukri Buja e mbizotëronte rivalin e tij, Imri Ahmeti.
Vendimi i marrë nga KZAP nuk e drejton gishtin ndaj asnjërit subjekt politik. Në të tri komunat ku priten rivotimet për balotazh, KZAP thotë se të dyja kampet politike kanë pjesën e tyre në parregullsitë, mashtrimet dhe vjedhjet. Kjo ka bërë që ky komision ta përjashtojë mundësinë e anulimit të votave nëpër vendvotimet problematike.
“Jo vetëm që KZAP nuk do ta konsideronte këtë (anulimin) si zgjedhje të mirë, gjë që do ta bënte një kandidat fitues, por po ashtu duke konsideruar që janë një numër i konsideruar i mashtrimeve dhe parregullsive nga dy kampet e kandidatëve për kryetarë, pashmangshëm KZAP e vlerëson të gabueshme të shpërblej një subjekt politik me duar të papastra”, thuhet në vendim.
Madje në këtë rast, gjykatësit i janë referuar një thënie latine “le të mos fitojë askush dobi nga mashtrimet e tij”. Kryetari i KZAP’it, Tahir Rreci, është shprehur dje për Express se tani është çështje e KQZ’së nëse e sheh të arsyeshme të urdhërojë rivotim të plotë në këto tri komuna. Ai sqaroi se KZAP ka dhënë udhëzim për KQZ’në, e jo urdhër. Por, Ligji për Zgjedhjet i ka dhënë KZAP’së mjete të fuqishme juridike për anulim të fletëvotimeve apo edhe përsëritje të votimeve në një pjesë të qendrave të votimit apo në tërë komunën në rast se konstatohen parregullsi.
KZAP e pranon se cilado nga mjetet që do të përdorej nuk është ideale dhe secili prej tyre mund t’i ketë reperkusionet e veta. “Por i tillë është problemi me mashtrimet zgjedhore prandaj nuk është e mundur që të kthehet koha mbrapa dhe të ndreqen shkeljet sikur asgjë të mos kishte ndodhur”, thuhet në vendimin e këtij komisioni. Në vendimin e marrë, KZAP ka thënë se bazuar në hetimet që janë bërë, është ardhur në përfundim se ka pasur “mashtrime dhe vjedhje të mëdha të votave në këto tri komuna”.
Në këtë mënyrë, një vendim eventual për anulim të votave në ato qendre votimi, sipas KZAP, do të ishte i pamjaftueshëm për t’i përmirësuar parregullsitë dhe shkeljet e ligjit.
“KZAP konsideron se anulimi i rezultateve në një numër të konsiderueshëm të vendvotimeve do të ishte përgjigje joadekuate për këto parregullsi dhe vjedhje masive.
Së pari, anulimi i mbi 50 për qind të vendvotimeve nuk do të shprehte plotësisht vullnetin e qytetarëve të këtyre komunave, sepse votat e mbetura nga këto vendvotime do të ishin në numër të vogël dhe si pasojë kjo do ta dëmtonte vullnetin e zgjedhësve të këtyre komunave dhe do ta dëmtonte legjitimitetin e të zgjedhurve”, thuhet në vendim.
Ndonëse nuk është ligjërisht urdhër, vendimi i KZAP ka nuanca të theksuara urdhri.
Në fund të arsyetimit, KZAP i rekomandon ‘fuqishëm’ KQZ’së tri masa për ditën e rivotimit për balotazh.
Në këtë mënyrë KZAP rekomandon ndërrimin e komisionerëve të Qendrave të Votimit; shtimin e pranisë së Policisë së Kosovës në të gjitha Qendrat e Votimit dhe shtimin e mbikëqyrjes nga ana e KQZ’së gjatë tërë procesit të votimit.
Rivotimi, pas 30-45 ditësh?
Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se në rast se rivotimi në Prizren, Gjilan dhe Lipjan do të jetë vendimi definitiv, atëherë ai do të mund të mbahej jo më afër se brenda 30 apo 45 ditësh. “Shkaku i procedurave të prokurimit, nuk ka kurrfarë gjase që votimi të mbahet para 30 ose 45 ditëve”, thotë një burim i Express. Sipas këtij burimi, për një votim të ri do të duhej të shpallej një tender tjetër për shtypjen e fletëvotimeve dhe materialit tjetër zgjedhor, do të duhej një kohë për subjektet që t’i emërojnë (ndërrojnë) komisionerët si dhe një kërkesë e re te Qeveria për buxhet shtesë.