E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK ftese zyrtare AKR-se per qeverine

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar zyrtarisht Aleancën Kosova e Re për të formuar së bashku Qeverinë e Kosovës. Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së dhe vjen pas refuzimit kategorik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosja dhe  Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të hyrë në koalicion me kryeministrin në detyrë Hashim Thaçi. Mbledhja është mbajtur larg mediave dhe qëndrimin e PDK-së pas përfundimit të saj e ka bërë të ditur anëtari i kryesisë Memli Krasniqi.

 “Vendimi i vetëm që është marrë sot është që të procedohet me bisedat formale, zyrtare me AKR-ne dhe këto biseda do të procedojnë që nga ky moment e tutje” tha Krasniqi.

Krasniqi tha se PDK ka mandatuar kryetarin e saj Hashim Thaçi për të udhëhequr bisedimet për formimin e koalicionit ndërsa konfirmoi se nuk do të ketë ofertë për tri partitë tjera shqiptare.

 “Nuk ka asnjë vendim absolutisht për të ftuar në bisedime për formimin e koalicionit as LDK-në, as Vetëvendosjen e as AAK-në” tha Krasniqi.

Krasniqi tha se PDK do të diskutojë edhe me partitë minoritare të cilat do të përfshihen në përbërjen e re të Qeverisë por edhe me Listën Ibrahim Rugova, me të cilën tha se kanë vija të përbashkëta.   

Temë e nxehtë brenda këtij subjekti politik është ndarja e posteve, e posaçërisht posti i Presidentit për të cilin ka shprehur ambicie sekretari i përgjithshëm Jakup Krasniqi, i cili ka pas vetes edhe një numër të deputetëve të kësaj partie. Ndërkohë posti i Presidentit është kushti kryesor i AKR-së për të hyrë në qeveri, post të cilin e kërkon për drejtuesin e saj, Behgjet Pacolli.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›