PDK-ja kërkon tryezë, LDK kundër

Për ta kryesore është respektimi i marrëveshjes politike mes tre liderëve, ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje krejt këtë e sheh si një lojë mes Qeverisë dhe partive opozitare për të kërkuar më shumë kohë deri në zgjedhjet e ardhshme.
Edhe pse u punua shumë kohë rreth ligjit të ri për zgjedhjet,mos respektimi i marrëveshjes së tre liderëve ka bërë që LDK-ja të largohet nga Komisioni për reformën zgjedhor, dhe në këtë mënyrë ende nuk kemi ligjin e ri për zgjedhjet.
Por për këtë çështje nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti propozon që të thirret një tryezë mes liderëve, në mënyrë që të hartohet një ligj, i cili nuk lejon manipulimin.
“Unë mendoj që për ligjin e zgjedhjeve duhet të ulen të bisedojnë të mëdhenjtë fillimisht. Dhe zgjidhjen e problemeve dhe mospajtimeve sa i përket reformës dhe ligjit për zgjedhje, unë mendoj se nuk mund të bëjë komisioni. Këtë çështje duhet të bëjnë partitë mes veti dhe fillimisht duhet të merren parasysh mendimit e gjitha palëve,e të ulemi të zgjedhim si problem çfarë ligji zgjedhor po dojmë. Domethënë, a duam një ligj zgjedhor i cili mundëson zgjedhje të lira dhe fer, apo duam ligj zgjedhor i cili mundëson manipulimin”, ka theksuar Haliti.
Halitit nuk i ka pëlqyer dalja e LDK-së nga Komisioni për reformën zgjedhor sepse sipas tij ky problem duhet të zgjidhet në nivel të ekspertëve, duke i analizuar problemet që janë shkaktuar në të kaluarën dhe që kanë pas pasoja qoftë në Raportin e Progresit.
“Është e drejt e LDK-së që të kërkoj, por në qoftë se ka një mendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë marrëveshje dhe për zgjedhjen e presidentit, atëherë është ma e fuqishme vendimi i Gjykatës Kushtetuese se sa marrëveshja mes tre liderëve. Mundësia e vetme kushtetuese është që nëse ka vullnet presidentja ose sëmuret ose diçka mund të shkoj. Por ajo nuk ka shkelur kushtetutën nuk kemi konstatuar deri tash dhe askush nuk ka konstatuar deri tash që presidentja ka shkelur kushtetutën”, ka thënë ai.
Ai po ashtu, thotë se tani janë disa ide për këtë çështje, por që nuk është shprehur vullneti politik i asnjërës parti për tu ulur me i zgjidhur këto çështje.
Por idenë e nënkryetarit Haliti për thirrjen e një tryeze, nuk e përkrah edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë për KosovaPress se nuk është e nevojshme thirrja e një tryeze tash me njerëzit që nuk e mbajnë fjalën dhe nuk i përmbahen asaj që kanë nënshkruar.
“Askush nuk mund të na bind prej pozitës në këtë rast, por edhe dikush tjetër nëse është me mendim të pozitës që na e kemi keq dhe ata e kanë mirë. Prandaj po e them se qëndrimet janë shumë të qarta të LDK-së rreth këtyre zhvillimeve, nuk shohim sepse arsyeja është e thjeshtë, sepse nuk ka rezultat nga një tryezë e tillë, sepse janë po të njëjtit akter të cilët i ndryshojnë dhe i hajn fjalët e veta dhe ato që i nënshkruajnë”, ka theksuar Beqiri.
Ndërkohë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje thotë për KosovaPress se marrëveshje nuk është bërë rastësisht, por për të kërkuar kohë deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Për këtë arsye krijimi i këtij komisioni për ndryshime kushtetuese nuk ka qenë të qartë për të ndryshuar kushtetutën e aq më tepër për të ndryshuar kushtetutën aty ku duhet, por ka qenë një lojë mes subjekteve politike kryesisht mes Qeverisë dhe partisë opozitare për të kërkuar më shumë kohë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pra, që të themi se po bëjmë diçka në vazhdimësi se kjo zgjidhja e krizës së presidentit nuk ishte një proces i cili përfundoi pa kurrfarë kuptimi, por fituam diçka fituam krijimin e disa komisioneve për ndryshuar kushtetutën, për të ndryshuar ligjin e zgjedhjeve deri në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Konjufca.
Për më tepër ai ka shtuar se kjo nuk ka qenë motivi i vërtet, kjo ka qenë më shumë retorikë e Qeverisë dhe e pushtetarëve, të cilët i kanë bllokuar proceset kur kanë dashur vet dhe se u takon tash atyre që të zhbllokojnë këtë proces.
Me rastin e arritjes së marrëveshjes së tre liderëve për zgjedhjet e presidentes, emërimin e Atifete Jahjages në krye të vendit, ishin krijuar edhe dy komisione, njëri për përgatitjen e ligjit për zgjedhje dhe tjetri për amandamentet kushtetuese.
Por mos ofrimi i dorëheqjes së presidentes Jahjaga dhe vendimi Gjykatës Kushtetuese që ajo mund të ushtroj mandatin deri në fund, ka bërë që mos të respektohet marrëveshja politike.
Pasi që nuk është respektuar marrëveshja, Lidhja Demokratike e Kosovës është larguar nga Komisioni për reformën zgjedhore, duke bërë që Kosova të mbetet me ligjin e vjetër për zgjedhjet. /Kosovapress/