PDK në aksion, dhjetëra anëtarësime në Ferizaj

Dhjetëra gra e vajza nga Ferizaj i janë bashkuar të dielen Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Në ceremoninë e anëtarësimit të tyre, zëvendëskryetarja e PDK-së, njëherësh ministre e Integrimeve, Vlora Çitaku ka inkurajuar të rejat që të punojnë për avancimin e vlerave të demokracisë, të jenë të guximshme, të luftojnë për veten dhe të mposhtin diskriminimin që mund t'u bëhen si femra.
"Unë jam e bindur se ju mund t'ia dilni mbanë", i ka porositur të ferizajaset Çitaku, duke sjell para tyre shembullin se si duhet ato të gjejnë frymëzimin për të arritur tek synimet që ia kanë shtruar vetes.
"Shumë gra të zonja kanë trasuar rrugën e suksesit tim në karrierë. Portretet e tyre i mbaj të varur në zyrë, sepse shpesh herë kam nevojë për guxim, shpesh herë ndihem e dëmtuar, e diskriminuar, por kur shoh portretet e tyre, marr energji, forcë dhe inspirim. Për ju sigurisht se do të jetë më lehtë se ç'ka qenë për mua. Por është detyrë e juaja, që rruga për vajzat e juaja, motrat tuaja dhe shoqet tuaja të jetë edhe më e lehtë", ka thënë Çitaku.
Edhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Elmi Reçica, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës u ka dëshiruar mirëseardhje në PDK inteletualeve nga Ferizaj, për të cilën ka thënë se nuk është thjesht parti, por një familje e madhe.
"Është një parti që i ofron gjithë ata që janë të gatshëm të jenë pjesë e kësaj familje. Ne si individ, PDK si strukturë dhe institucione që kanë buruar prej saj, janë dëshmuar të gjithë ata ose ato që kanë ardhur tek ne, sepse i trajtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme" ka thënë Reçica, duke shprehur besimin e tij se shumë prej këtyre femrave me punë dhe përkushtim, do të punojnë për avancimin e pozitës së tyre.
Edhe kryetari i degës së PDK-së, Agim Aliu ka thënë PDK-ja është parti e hapur, e të gjitha shtresave dhe gjinive dhe se ky aderim dëshmon për një fuqizim edhe më të madh të kësaj force politike.
Zyrtarë të PDK-së më pas kanë shpërndarë librezat e anëtarësisë për anëtaret më të reja.
Dy ditë më parë, PDK-ja i kishte dhënë libreza disa studentëve nga fusha e artit./Indeksonline/