Përpjekjet e Pacollit, jep ultimatum

Behgjet Pacolli e ka dhënë edhe ultimatumin e tretë se në javën e ardhshme do të përfundojë riformatizimi i Qeverisë. Ai ka thënë se ndryshimet në Qeveri do të ndodhin më së largu të enjten. Por, Kryeministri Hashim Thaçi në një intervistë televizive ka mohuar mundësinë që ndërrimet në Ekzekutiv të ndodhin shpejt.
Lideri i AKR’së Behgjet Pacolli e ka dhënë ultimatumin e trete brenda një muaji për ndryshimet në Qeveri.
Sikurse herën e parë dhe të dytë, edhe tash Zëvendëskryeministri ka thënë se ndërrimet e emrave në Ekzekutiv do të bëhen më së largu javën e ardhshme.
Madje, ai ka përmendur edhe ditët. Ka thënë se dy ditë pasi të kthehet Thaçi nga Brukseli, kandidati i AKR’së, Fadil Ismajli do të akomodohet në postin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik.
”Në dy ditët e para pas përfundimit të takimit të së martës në mes të kryeministrit Thaçi dhe homologut të tij serb Ivica Daçiqit, emri i Fadil Ismajlit do t''i propozohet kryeministrit për miratim”, ka thënë Pacolli për televizionin publik.
Sikurse Pacolli ka deklaruar edhe Zëvendësja e tij në AKR, Mimoza Kusari – Lila.
Ajo më 2 mars ka deklaruar se rifomatizimi i Qeverisë do të përfundonte brenda një jave.
“Riformatimi mund të ndodh javën e ardhshme apo një javë prapa. Pra, është çështje ditësh përbërja e re e qeverisë”, kishte thënë Kusari – Lila.
Sidoqoftë, Kryeministri Hashim Thaçi në intervistën e fundit televizive ka deklaruar se s’ka kurrfarë ultimatumi për të bërë ndryshime në Qeveri. Ai ka thënë se do të këtë ndryshime në Ekzekutiv, por jo në afatin e përcaktuar nga partnerët e vegjël të koalicionit.