E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK pa qendrim per kerkesen e SHBA. Krasniqi Scaktojme ne duart e pastra

Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të mos ketë një qëndrim të qartë karshi kërkesave publike të ambasadorit amerikan Kristofer Dell, i cili ka kërkuar që në kabinetin e ri qeveritar të mos ketë zyrtarë të dënuar, zyrtarë që janë nën hetime apo që janë bastisur nga policia e EULEX-it. Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi, njëherësh sekretar i përgjithshëm i PDK-së edhe pse vlerësoi punën e ambasadorit, u shpreh se nuk është politika ajo që përcakton kush i ka duart e pastra e kush jo.

“Ne në politikë nuk mund t’i përcaktojmë duart e pastra apo të papastra. Janë institucionet tjera ato që i përcaktojnë duart e pastra apo të papastra, por Kosovës i duhet një qeverisje stabile dhe e përgjegjshme” tha Krasniqi.

Krasniqi thekson se qeverisë së ardhshme së Kosovës krahas fytyrave të reja, i nevojiten edhe personalitete nga qeverisja e kaluar.

“Nuk është mirë që të flasim me emra për atë që ka thënë ambasadori Dell i cili ka folur për të gjithë politikën në Kosovë. Qeveria nuk do të jetë vetëm nga PDK, por edhe nga partitë tjera në koalicion. Megjithatë ne kemi parasysh se qeverisja sidomos në kohën që jemi kërkon figura të reja por edhe figura për të cilat ligji nuk e ka thënë fjalën e vet” tha Krasniqi.

Kërkesa e ambasadorit Dell ka përçarë PDK, brenda së cilës janë krijuar dy rryma, njëra që e mbështet hapur qëndrimin e ambasadorit amerikan, ku ben pjesë edhe ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe ish- shefi i Grupit Parlamentar Ramë Buja, dhe pjesa tjetër e Kryesisë që duket se i reziston një kërkese të tillë.

Bul Saliu
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›