“PDU dhe PDI duhet të bashkohen për hir të çështjes çame”
“PDU dhe PDI duhet të bashkohen në një për hir të çështjes çame”. Ky është mesazhi që përcjell Arben Kondi, shkrimtari dhe studiuesi i njohur i problemit çam, emigranti që i ka kushtuar më shumë se 30 vjet “plagës që vazhdon të lëndojë edhe sot”. Kondi jeton me Çamërinë, jo vetëm në “fiction” e romaneve të tij kushtuar Marko Boçarit, masakrave të Napolon Zervës, personazheve dhe botës shqiptare të Filatit, Igumenicës, Pargës apo Prevezës. Ai është dhe mbetet i gjallë dhe i ri kur flet për Çamërinë dhe vitet që ka mbi supe nuk e plakin. Kondi ka përjetuar në mendje dhe zemër të gjithë botën shqiptare të Çamërisë, të arvanitasve, të arbëreshëve, por edhe të Kosovës e më tej. Si drejtues i gazetës së shqiptarëve të Australisë, “Skanderbeg”, por edhe në më shumë se 16 libra të shkruara gjatë gjithë këtyre viteve, flet e shkuara dhe e tashmja, në përpjekjen e madhe për të shëruar plagët. Ai ka një ëndërr dhe një destin: të kthehet te toka ky prehen të parët e tij.
Sa të gjalla janë sot, pas rreth 70 vjetësh, plagët e gjenocidit grek mbi popullsinë çame?
Ajo që ndodhi me popullsinë çame është plaga që rrjedh edhe sot gjak prej shtatit të kombit tonë. Sot ka ndjeshmëri të thellë jo vetëm në radhët e komunitetit çam. Dhimbja e masakrave që kreu Zerva nuk është thjesht te brezi që e vuajti këtë, por edhe te pasardhësit e tyre. Është gjë e rrallë që edhe një fëmijë që ka vetëm pak vjet në jetë përcjell të njëjtën dhimbje që kanë gjyshërit e tij. Por, çështja çame sot prek ndjeshmërinë e saj jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë hapësirën shqiptare dhe në diasporë. Në Kosovë thonë se Çamëria është çështja “që vjen pas nesh”, pra është një çështje që duhet të shtrohet për zgjidhje.
Ju keni udhëtuar edhe në trevat çame. Në të vërtetë duket një heshtje e mistershme atje. Çfarë po ndodh?
Kjo lidhet me politikën e Athinës zyrtare. Kjo është një heshtje e sipërfaqshme, por nga brenda ka lëvizje. Unë them se në Çamëri, sot, mbi 60% e popullsisë është autoktone shqiptare. Ardhjet nga Anadolli në vitet 1923-1926 nuk e kanë ndryshuar fare aspektin demografik të kësaj zone. Prapë Çamëria është e populluar nga popullsi çame. Por, heshtja lidhet me politikën e egër greke, tejet shovene. Nëse me popullsinë çame myslimane ka kryer gjenocide, në rastin me popullsinë që banon sot në ato treva, Greqia ka kryer etnocid. Kjo për shkak se mungon çdo e drejtë, në drejtim të gjuhës, arsimimit, respektimit të të drejtave bazë të njeriut. Gjuha e të parëve flitet vetëm brenda familjes. Jashtë saj të gjithë kanë frikë.
A ka ndonjë aktivist çam që jeton sot në Greqi dhe lufton për çështjen çame?
Ne duhet të kuptojmë mirë një gjë: Çamëria jeton sot në një regjim shoveno-fashist. Në mungesë të arsimimit dhe të elitave kulturore, të ndërprerë që prej vitit 1913 dhe pas gjenocidit të vitit 1944, shkëputet rrjedhshmëria e klubeve kulturore që ishin ngritur në Filat, Prevezë, Igumenicë etj. Megjithatë, sot ka një lëvizje të brendshme. Ndër shqiptarët me vlera të mëdha, vlen të përmendim arvanitasin Aristidh Kola. Një studiues i njohur i çështjes çame është Niko Stillo. Ai ka lindur në periferi të Prevezës dhe thuhet se rrjedh nga familja e Boçarëve të mëdhenj. Stillo sot jeton në Gjermani dhe ka botuar disa libra për botën çame, duke u marrë që nga zanafilla e hershme e kësaj popullsie, rrënjët pellazgjike dhe deri te historia e vonë e këtij komuniteti. Ka edhe intelektualë çamë ortodoksë si Jani Sharra, Margaritis, Tito Johalla që i trajtojnë këto probleme. Në librat e tyre, hera-herës rrokin gjenocidin dhe plagët. Por ata kanë një këndvështrim që duket se është i imponuar nga qarqet zyrtare të Athinës.
Deri para pak vitesh nuk flitej shumë për çështjen çame. Sot ka veprimtari aktive nga shoqata dhe parti politike. Çfarë kontributi po luajnë këto organizma në funksion të shtrimit për zgjidhje të çështjes çame?
Unë jam në emigrim, por jam në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e këtyre organizmave. Me kënaqësi shoh një lloj impulsiviteti, një sensibilizim më të gjerë. Demokracia në Shqipëri i krijoi hapësirë veprimi edhe komunitetit çam për të vepruar dhe kërkuar të drejtat e tij. Kjo nisi me krijimin e shoqatës “Çamëria” dhe gazetës “Çamëria”, me drejtuesin Abaz Dojaka. Sot janë krijuar dy parti. Edhe jashtë vendit po lobohet për këtë çështje. Janë marrë kontakte me personalitete të ndryshme në Perëndim, si eurodeputeten Doris Pak, apo kontakte në Senatin Amerikan. Madje, ka një lloj ndjeshmërie edhe vetë sekretarja amerikane e Shtetit, zonja Hilari Klinton.
Por, unë mendoj se dy partitë që luftojnë për çështjen çame, PDI dhe PDU duhet të bashkohen. Në qoftë se do të bashkohen, do të jetë shumë më mirë për problemin çam. Kjo do të zgjerojë edhe sensibilitetin për problemin, jo vetëm brenda në vend, por edhe te komuniteti ndërkombëtar.
Ju keni ftuar në një tryezë mediatike krerët e dy partive, zotin Tahir Muhedini dhe zotin Shpëtim Idrizi. A ka qenë ky misioni?
Unë i ftova në një emision në rastin e vitit përkujtimor të masakrës çame. I falënderoj që pranuan ftesën edhe zotin Idrizi, edhe zotin Muhedini. Ata shtrënguan duart me njëri-tjetrin duke dhënë mesazhin e bashkimit. Por, më pas nuk pashë ndonjë shenjë serioze të këtij bashkëpunimi të domosdoshëm. E përsëris, është e domosdoshme që drejtuesit e dy partie të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit. Një gjë të tillë e tha edhe figura e njohur e politikës dhe çështjes shqiptare, Sabri Godo. Citoj: “Këta të dy duhet të kapërcejnë diferencat dhe të gjejnë një mirëkuptim për t’i shërbyer çështjes çame sa më gjerë”.
A ka nuanca ndryshimi në mënyrën e trajtimit dhe zgjidhjes së çështjes çame mes PDU-së dhe PDI-së?
Nuk duhet të mohojmë kurrë kontributin e dhënë nga Tahir Muhedini, me krijimin e PDI-së, së bashku me bashkëpunëtorët e tij; siç nuk duhet të mohojmë dhe duhet të vlerësojmë momentin që zgjodhi Shpëtim Idrizi për të hyrë në politikën shqiptare me zërin e komunitetit çam. Idrizi është një politikan që ka vlera. Mendoj se ai duhet ta gjejë gjuhën e mirëkuptimit me Muhedinin. Do të doja dhe do të shpresoja që zoti Idrizi të ecë më tej në rrugën për zgjidhjen e problemit çam dhe të mos e dëmtojë kauzën në rrugën dhe interesat e momentit që mund të ofrohen nga politikat e çastit. Në radhë të parë duhet të vihet në axhendë çështja çame, pastaj çështjet e tjera të politikës së ditës.
Krerët e institucioneve shqiptare kanë pasur një zë të fshehur ose një qëndrim heshtës në bisedimet me autoritetet greke. Si do të duhet shtruar kjo çështje?
Për fat të keq konstatoj një pozicion inferior të institucioneve shqiptare ndaj Athinës për çështjen çame. Kjo vjen për shumë arsye. Disa sish lidhen edhe me interesa ekonomike që hera-herës vishen edhe me një petk aktual. Tirana zyrtare mund të përballet me shantazhe të tilla se në rast se ngre problemin çam, do të ketë operacione fshese ndaj emigrantëve shqiptarë, ose mund të vendoset vetoja greke për integrimin e vendit në BE. Një stepje e tillë mund të jetë e kuptueshme. Por, askush nuk duhet të trembet apo të heshtë për një pjesë të trupit të tij për një çështje kombëtare siç është çështja çame.
Po si mund të zgjidhet problemi çam?
Ne nuk kemi kërkuar dhe as kërkojmë ndryshim kufijsh. Çamët duhet të rikthehen në pronat e tyre. Çamët janë autoktonë në hapësirën që sot ndodhet në territorin e Greqisë. Nëse Athina do të sillet si një shtet i demokracisë së re europiane, ajo duhet të pranojë rikthimin çamëve në trojet e tyre, duhet të njohë të drejtat që u njeh sot shteti shqiptar minoritetit grek në Shqipëri, edhe popullsisë çame atje, të krijojë mundësi për arsimimin e tyre dhe ushtrimin e të drejtave sipas konventave ndërkombëtare. Për të realizuar një gjë të tillë, patjetër që procesi duhet të bëhet me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve në mënyrë që grekët dhe çamët të jetojnë paqësisht në Europën e bashkuar.
Ju jeni njohës edhe i botës arbëreshe. Si përthyhen realiteti arbëresh me atë çam në Greqi, apo edhe me atë të arvanitasve?
Unë kam jetuar për më shumë se dy vjet në botën arbëreshe. Unë e shoh realitetin arbëresh të pasqyruar me botën arvanitase. Por, duhet të kemi parasysh se gjatë gjithë shekujve, arbëreshët në Itali nuk kanë pasur asnjë lloj problemi. Shteti italian u ka ofruar të gjithë hapësirat për kultivimin dhe rritjen e gjuhës, traditave dhe zakoneve të tyre. Gjuha e kohës së Skënderbeut sot është e gjallë në ///////////////////horën arbëreshe. Tradita kulturore vazhdon me revistat, festivalet, rolin e klerit arbëresh dhe deri te shkollat. Kjo hapësirë lirie nuk ndodh në Greqi, ku banojnë rreth 2 milionë arvanitas. Iu mungon gjuha shqipe, përkujdesja e shtetit grek, i cili synon fatkeqësisht asimilimin e plotë të tyre. Në botën arvanitase shkëlqeu, në periudhën e Rilindjes, një Anastas Kullurioti dhe sot Aristidh Kola, i cili nuk dihet se si u nda nga jeta pas avokatisë që i bëri çështjes së Kosovës në mediat greke në kohën e luftës së NATO-s. Vetëm pak muaj më pas ai u nda nga jeta në mënyrë misterioze. Dyshohet se ai është helmuar nga qarqet ekstremiste greke. Pra, shihet se është një botë antagoniste mes dy vendeve që janë pjesë e familjes europiane, ku çdokush duhet të ushtrojë të drejtat themelore të tij.
Në Greqi, bota dhe koha për arvanitasit ka shtangur për shkak të politikës shtetërore greke. Kjo politikë ndiqet edhe në Çamëri.
Ju keni bërë të paktën 16 libra në shqip dhe anglisht, ku trajtohet historia dhe çështja çame. Sa keni bërë ju për Çamërinë?
Kontributi im është pjesë e së tërës që bën komuniteti çam në Shqipëri dhe kudo në botë për të shëruar këtë plagë që lëngon prej shumë dekadash. Unë kam më shumë se 15 libra, të cilat trajtojnë jo vetëm çështjen çame, por edhe Kosovën dhe problemet e tjera që shqetësojnë botën mbarëshqiptare. Kam shkruar pesë romane, libra me tregime, ese të karakterit udhëpërshkrues. Kam botuar studime të përkthyera edhe në gjuhën angleze. Janë rreth 40 mijë libra që janë shtypur dhe më shumë se 80 për qind e tyre janë blerë nga lexuesit, gjë që tregon se ata i kanë pëlqyer dhe janë bërë pjesë e dhimbjes dhe e shqetësimit që më ka munduar para se t’i hidhja në letër. Por, kontributi im është pjesë e një misioni të madh që duhet të kenë të gjithë çamët dhe shqiptarët në tërësi. Siç e thashë më lart, do të duhet që çamët ta duan njëri-tjetrin, të bashkohen të gjithë në një parti, pa dallim ideje dhe interesash. Përderisa na duan shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, të Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës, diasporës, edhe ne do të duhet që ta duam më shumë veten, të punojmë më shumë. Me kontributin e faktorit ndërkombëtar, çështja çame do të marrë rrugën e zgjidhjes. Të mos harrojmë, se para 20 vjetësh as nuk mund ta mendonim se çfarë zgjidhje do të kishte Kosova, por sot ajo është e pavarur. Edhe çështja çame ka një mjergullsi, por po të kemi mbështetje, po të punojmë me kujdes dhe të kemi mbështetjen e qeverisë, të shqiptarëve të Kosovës, të faktorit ndërkombëtar, dhe të punojmë me qendrat e vendimmarrjes botërore, në Bruksel dhe Uashington, do të pranohet zgjidhja e çështjes çame.
Ne duam të shkojmë aty ku na takon, në tokën tonë, në truallin e të parëve, në varret e gjyshërve tanë.
7 Shtator 2010