E Diel, 1 Nëntor 2026

Dervishi: Klasa politike të kuptojë problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë



Sa më mirë t’i kuptojë klasa politike në Shqipëri dhe Greqi problemet që ekzistojnë mes dy vendeve, aq më të mira do të jenë raportet mes tyre. Kështu është shprehur përfaqësuesi diplomatik i Tiranës zyrtare në Athinë, zoti Dashnor Dervishi, në një intervistë dhënë për agjencinë “Newsit.gr”. Ai ka komentuar emërimin e tij në këtë post pas një karriere të gjatë në diplomaci, si dhe zhvillimet mes Tiranës dhe Athinës në kontekstin e sotëm. Ambasadori Dervishi ka komentuar edhe gjendjen e të drejtave të emigrantëve, dhënien e të drejtës së tyre për të votuar, arsimimin në shqip të emigrantëve, si dhe procesin e shpërndarjes së dokumenteve biometrike në Greqi. “Besoj se në muajin nëntor të gjithë shqiptarët që banojnë në Greqi do të kenë mundësi që të pajisen me pasaporta dhe karta identiteti në pikat që do të hapen pranë zyrave konsullore në Greqi”, - përfundoi ambasadori Dervishi.

Zoti ambasador, si e pritët momentin kur ju thanë se do të shkoni ambasador në Greqi? Cili ishte mendimi juaj në ato momente, duke ditur që Greqia është një vend me shumë emigrantë dhe me shumë probleme?
Ka qenë një nga emërimet e rëndësishme në karrierën time diplomatike, emërtimi në Greqi si ambasador i Shqipërisë. Pas një periudhe të gjatë në fushën e politikës të jashtme, pas një eksperience shumëvjeçare në disa ambasada si ambasador, por edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Greqia për mua është një post nga më të rëndësishmit në karrierën time diplomatike. Jo vetëm për arsyen se në Greqi ndodhet një numër i madh emigrantësh, por edhe për rolin që ka Greqia në politikën e jashtme të Shqipërisë, si një vend i rëndësishëm, për të cilin na duhet të gjithëve, por aty edhe mua për të zhvilluar marrëdhëniet e fqinjësisë të mirë, për të zhvilluar marrëdhëniet në kompleks jo vetëm në mënyrë bilaterale, por edhe shumëpalëshe në rajon, për të bashkëpunuar në veprimtarinë tonë në politikën e jashtme, në kuadër të procesit të integrimit euroatlantik. Po aq e rëndësishme është dhe ndjekja e jetës së komunitetit shqiptar, që është në një numër mjaft të konsiderueshëm Greqi.

Papandreu, me projektin “Ballkani Perëndimor në Europë deri në vitin 2014” ka treguar se është i gatshëm të ndihmojë në integrimin e Shqipërisë. Ju si i keni parë nga larg të gjitha këto?

Marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë janë marrëdhënie që janë përcaktuar qëkur kanë lindur Greqia dhe Shqipëria. Në historinë e tyre marrëdhëniet greko-shqiptare kanë ecur me flukset e tyre, me ulje dhe ngjitje, siç është historia e të gjitha vendeve të Europës, por, në mënyrë të veçantë të rajonit tonë në Ballkan. Mund të them se ato janë cilësuar gjithmonë si marrëdhënie të mirëkuptimit, të bashkëpunimit midis dy popujve tanë; por midis fqinjëve, ashtu si në çdo shoqëri brenda vendit, ashtu si çdo familje, ka uljet dhe ngritjet e veta. Ka rëndësi që qeveritë në dy vendet tona janë mjaft të qarta për këto zhvillime dhe ruajnë drejtimin kryesor, zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në mënyrë konstuktive. Duke pasur një komunitet të madh në Greqi, po ashtu dhe një minoritet grek në Shqipëri, kuptohet që herë pas here ndodhin ngjarje të ndryshme, por në tërësi, qoftë komuniteti shqiptar këtu, qoftë minoriteti grek në Shqipëri, kanë shërbyer dhe shërbejnë si ura bashkëpunimi. Mbarëvajtja dhe forma e bashkëpunimit të tyre, akomodimi, integrimi i tyre në shoqëritë përkatëse janë edhe rezultat i asaj pikës së parë që unë përmenda. Sa më të mira të jenë marrëdhëniet midis dy vendeve tona, sa më shpejt procesi i integrimit në rajonin tonë dhe në Europë të ndodhin, aq më mirë do të jenë dhe kushtet e këtyre komuniteteve në vendet përkatëse. Kërkesat e tyre nuk kanë asnjëherë fund, sa rregullohet një gjë fillon një kërkesë tjetër, siç është vetë natyra e njeriut; ka rëndësi që lidershipi, klasa politike në të dyja vendet t’i kuptojnë këto procese në mënyrë të drejtë, me qëllim që edhe të trajtohen drejt, me qëllim që të mos devijojnë asnjëherë nga linja kryesore, nga vullneti i mirë që ekziston për zhvillimin e marrëdhënieve sa më miqësore.

Në 20 vjet emigracion, emigrantët janë zhgënjyer nga politika shqiptare, pasi nuk i ka ndihmuar që ata të fitojnë të drejta të plota në Greqi. Si ambasador i ri që jeni këtu, çfarë keni menduar se do të bëni për të fituar emigrantët të drejtat e tyre?

Unë kam një mendim tjetër lidhur me këtë problem. Njëzet vjet në jetën e një vendi, në jetën e një komuniteti, nuk janë shumë. Përpara njëzet vjetësh të gjithë jemi dëshmitarë të problematikës ndryshe nga kjo e sotmja që kishin emigrantët shqiptarë jo vetëm në Greqi, por dhe në të gjitha vendet ku shkuan. Para njëzet vjetësh ne diskutoheshim midis autoriteteve të dy vendeve, problemet e kalimeve ilegale, problemet e sjelljeve të dhunshme, të shkeljeve të dhunshme të të drejtave të njeriut në kufi, pavarësisht se kalimet ishin ilegale. Me kalimin e kohës dolën probleme të tjera, siç ishin ato të sistemit të pajisjes me dokumente. Sot ngrihen problemet e arsimimit të fëmijëve për hajen e shkollave në gjuhën shqipe. Në nëntor të këtij viti, një pjesë e shqiptarëve që janë të rregulluar dhe sistemuar me dokumente do të votojnë në zgjedhjet lokale të Greqisë njësoj si qytetarët grekë. Ka pasur procese e dhunime apo sjellje të keqe ndaj emigrantëve që kalonin ilegalisht në kufi, sot diskutohet pjesëmarrja në votim, që është e drejta më themelore e qytetarit në çdo vend të botës, që jep votën e tij në zgjedhjet lokale. Ka dhe disa emigrantë që kandidojnë për anëtarë të këshillit bashkiak. Është një proces evoluimi. Kuptohet që gjërat nuk mund të bëhen me një të rënë të çekiçit dhe ne mendojmë që kjo linjë, ky kurs, do të vazhdojë dhe më tej përderisa në të dyja vendet tona ecin me mjaft vullnet pozitiv në lidershipin politik, por edhe në qeveritë përkatëse.

Gjatë këtyre viteve, në disa shkolla në Volos, në Athinë dhe në Kretë, ka pasur disa njerëz që kanë marrë iniciativën të marrin libra shqip që të mësojnë gjuhën e tyre amtare. Muajt e fundit pamë që nga Shqipëria nuk pati asnjë ndihmë. Ditët e fundit shkuat në një shkollë private dhe dhatë një ndihmë për të. Cila është ndihma juaj dhe në qoftë se ekziston një ndihmë e tillë, a do të ekzistojë dhe në qytete të tjera?

Isha para pak ditësh në hapjen e vitit shkollor në një shkollë private ku mësohet, ndërmjet të tjerave, edhe gjuha shqipe falas. Ndihma për këtë vit ka qenë e konkretizuar edhe me sjelljen e disa botimeve shqip, në mënyrë të veçantë të disa abetareve. Dëshira dhe vullneti i qeverisë shqiptare dhe e Ministrisë të Arsimit është që të mbulohen me abetare dhe libra falas të gjithë fëmijët që kanë dëshirë për të mësuar gjuhën shqipe, por duhet të marrin parasysh edhe mundësitë dhe kushtet konkrete që ekzistojnë. Mendoj se me zhvillimin e ekonomisë, konsolidimin e ekonomisë në Shqipëri, kjo do të ndihet edhe në ndihmesën ndaj emigrantëve që nuk janë vetëm në Greqi, por janë edhe në vende të tjera të botës, me një numër po aq të konsiderueshëm sa janë edhe në Greqi. Por unë jam shumë optimist që vetë komunitetet në vendet ku ndodhen, me stabilizimin e tyre ekonomik, me integrimin e tyre shoqëror dhe politik, në bashkëveprim me autoritetet vendase, në bashkëpunim me shtetin, me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri, por në mënyrë të veçantë me organizimin e brendshëm të tyre, do të gjejmë hap pas hapi rrugët për të stabilizuar arsimimin e fëmijëve në gjuhën Shqipe.

Pasaportat biometrike kanë qenë një nga kriteret kryesore për liberalizimin e vizave. Besoni se pajisja e emigrantëve me pasaportë duhet të ishte bërë më parë, të mos ishte krijuar fluksi që u krijua gjatë verës, kur emigrantët shkuan për të kaluar pushimet verore dhe në fakt i kaluan ato nëpër radhët e institucioneve ku jepeshin pasaportat?

Unë mendoj se jo vetëm çështja e organizimit të shpërndarjes së pasaportave biometrike dhe e dokumenteve të tjera kishte mundësi të bëhej më mirë, por çdo gjë që kemi në këtë jetë ka mundësi të bëhet më mirë. Në këtë kuadër, edhe shpërndarja e pasaportave biometrike mund të bëhet më mirë. Erdhi koha kur u vendos që këto pasaporta të bëhen në katër njësi jashtë vendit, siç janë, Ambasada dhe Konsullata në Itali, Ambasada jonë në Athinë dhe Konsullata në Selanik. Me gjithë vendimin e marrë, të jeni të bindur që ka mjaft vështirësi teknike, që nuk lidhen vetëm me dëshirën e gjetjes së personelit të përshtatshëm, por dhe një sërë të tjerash që kërkojnë siguri dhe garanci të parametrave që kërkojnë këto pasaporta, që lidhet me kompjuterizimin, me linjat e internetit dhe shumë gjëra të tjera, ku një defekt i vogël krijon pasaktësi të mëdha. Ju e dini se pasaportat biometrike janë standarde nga më të sofistikuarat evropiane, sepse në sajë të tyre, ndërmjet të tjerave, është dhënë garancia në Bashkimin Europian për marrjen e këtij vendimi mjaft të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, që dhe ata të lëvizin si të gjithë qytetarët e Europës.

Ka një datë se kur mund të fillojnë pasaportat këtu në Greqi?

Nuk kemi akoma një datë fikse, por sipas veprimeve dhe procedurave që po bëhen, mendojmë se në fillim të nëntorit do të fillojë kjo punë.

Marrë nga “Newsit.gr”

5 Tetor 2010

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›