E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara për Tiranën, pse hienat e PD-së po e “fryjnë” Bashën

Intervistë me anëtarin e Kryesisë së PD-së, Aleksandër Biberaj

Aleksandër Biberaj, anëtar i Kryesisë së PD-së dhe ish-zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në intervistën dhënë për gazetën “Albania” vlerëson me tone mjaft kritike si ecurinë e koalicionit qeverisës, ashtu dhe mënyrën e qeverisjes së vendit. Sipas tij, “ekipi qeverisës nga njëra anë është mjaft i dobët, pa rezultate konkrete, i paaftë dhe tejet i konsumuar, ndërsa nga ana tjetër, tepër arrogant dhe shumë prepotent”. Biberaj nënvizon se kjo qeveri nuk e njeh llogaridhënien demokratike dhe është jashtë çdo kontrolli demokratik. Lidhur me përfoljen e kandidimit të Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës, Biberaj komenton se kandidimin e tij po përpiqen ta “fryjnë” për këtë garë ca hiena që janë në lidershipin e PD-së, që do të ishin të parat që do t’ia sabotonin fushatën në Tiranë, me qëllim që pas humbjes eventuale ta çonin z. Basha në “gijotinë”. Sa i përket aspektit organizativ dhe funksional të PD-së, Biberaj shprehet se nuk bëhet fjalë më për normat më elementare të demokracisë.

Eljona Ballhysa
Zoti Biberaj, si e shikoni tani që ka kaluar më shumë se një vit qeverisje, koalicionin mes PD-së dhe LSI-së?
E kam deklaruar edhe para një viti se ky koalicion është jo i natyrshëm dhe ka lindur i kalbur që në embrion, pasi koalicioni, përveç logjikës së numrave, nuk ka asgjë natyrale apo programore, përkundrazi, është koalicion pazaresh për ndarjen e tortës së pushtetit. Sot, pas një viti, e shoh jo pa brengë, se kjo hipotezë është vërtetuar plotësisht. Nga qendra e pushtetit deri në bazë, gjatë këtij viti, kemi pasur thjesht pazare për ndarjen e pushtetit PD-LSI. Nga njëra anë kemi një LSI tepër agresive që po i merr çdo ditë pushtet PD-së dhe, nga ana tjetër, kemi një lidership të PD-së që për pushtetin e tij personal është gati të japë çdo pëllëmbë të pushtetit të demokratëve te socialistët e LSI-së, duke e transferuar kështu në mënyrë graduale pushtetin tek e majta. Siç po shihet, koalicioni me LSI-në përbën fazën e parë të gërryerjes së pushtetit dhe transferimit të tij tek e majta, ndërsa faza e dytë do të jetë transferimi i plotë i pushtetit tek e majta dhe dalja e PD-së në opozitë.

Si i shikoni ndryshimet e fundit në qeveri? Sipas jush, çfarë mund të sjellin ndonjë ndryshim pozitiv në qeverisje?
Nuk shoh ndonjë ndryshim në qeveri që të shpresoj për ndryshime apo efekte pozitive në qeverisjen e vendit. Kemi thjesht rokadë ministrash të LSI-së, kështu që qeverisja mbetet e njëjtë. Do të kishim ndryshime reale që mund të sillnin edhe efekte pozitive për qeverisjen e vendit nëse do të kishim analiza transparente të qeverisjes bazuar në performancën dhe arritjet e çdo dikasteri apo titullar dikasteri, gjë që nuk ndodhi.

A duhet që ndryshimet në qeveri të kishin prekur edhe ministrat e PD-së dhe, sipas jush, cilat janë dikasteret me performancë më të ulët qeverisjeje?

Për çështje etike nuk dëshiroj të përmend dikastere të veçanta apo titullarë dikasteresh, por do të gjykoj për qeverinë si një ekip të tërë, ekip që për gjykimin tim, nga njëra anë është mjaft i dobët, pa rezultate konkrete, i paaftë dhe tejet i konsumuar, ndërsa nga ana tjetër, tepër arrogant dhe shumë prepotent. Kjo qeveri nuk e njeh llogaridhënien demokratike dhe është jashtë çdo kontrolli demokratik, ligjor apo institucional, ndërkohë që është në luftë me shumicën e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, pse jo, edhe me një pjesë të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë edhe partnerët tanë strategjikë. Anëtarë të kësaj qeverie nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë, përfshirë edhe interesat e demokratëve që kanë votuar për PD-në më 28 qershor 2009, por interesat e tyre private, të familjeve, tarafeve apo klaneve të tyre; pse jo, edhe të grupeve të ndryshme heterogjene të interesave jopublike. Problemi më i madh për qeverinë aktuale mbetet zhytja e saj kokë e këmbë në korrupsion. Fatkeqësisht, nëse socialistët për 8 vjet në pushtet e ngritën korrupsionin në sistem, lidershipi qeverisës aktual po e çimenton këtë sistem korrupsioni. Nëse dikush do të kërkonte prova, thjesht edhe mediatike, do t’i kujtoja se shumica e ministrave të kësaj qeverie janë të akuzuar për korrupsion, në kohë të ndryshme, edhe nga kryeministri i kësaj qeverie. Në përfundim do të thosha se fatkeqësisht kjo qeveri po e dëmton rëndë imazhin e PD-së duke e njollosur me korrupsionin e saj, gjë që ne demokratët nuk e meritojmë. Kjo na jep një kosto të jashtëzakonshme që mund t’i kushtojë PD-së të ardhmen politike dhe për gjithë këtë përgjegjësia bie mbi kryetarin e PD-së, që është dhe kryeministër i vendit, i cili, me sa duket, si të gjithë liderët shqiptarë paraardhës, aplikon parimin se pas meje kiameti le të bëhet.

Përsa i përket situatës brenda PD-së, ju jeni një ndër të paktët anëtarë që keni denoncuar ilegjitimitetin e strukturave në selinë blu. ǒmund të thoni për faktin që ende nuk është konstituuar Këshilli Kombëtar, ende nuk është votuar për Kryesinë, sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët dhe Sekretariatin?

Po bëhet viti nga i ashtuquajturi Kuvend Kombëtar i PD-së dhe akoma nuk është konstituuar asnjë nga forumet drejtuese të PD-së, gjë që shënon edhe fundin e demokracisë në parti dhe sundimin absolut të njëshit në parti. Jo vetëm që nuk janë mbledhur akoma forumet, por sipas shenjave, ato as do të mblidhen, gjë që e ka shndërruar partinë në pronë të kryetarit dhe të një klike të vogël grabitqare rrotull tij.

A mendoni se do të ketë ndarje të posteve partiake nga ato ministrore në PD?

Me këtë lidership nuk do të ketë, pasi ata që kanë partinë, kanë edhe qeverinë, kanë edhe grupin parlamentar, kanë edhe ekonominë. Por dialektika dhe historia ka treguar se me këtë rrugë që ata po ndjekin nuk do të jetë e largët dita kur ata do t’i humbasin të gjitha, siç i humbën ata që ishin në Byronë Politike të PPSH-së deri më 8 dhjetor 1990. Fatkeqësia është se koston gjithmonë e paguan populli.

Flitet se kandidati favorit për Bashkinë e Tiranës për PD-në do të jetë Lulzim Basha. Si e shikoni këtë kandidaturë, sa favorite është ajo?

Është shpejt për të folur për kandidat për Bashkinë e Tiranës dhe, me sa di unë, z. Basha nuk ka shprehur ndonjë ambicie për këtë garë. Ironia e fatit është se zotin Basha po përpiqen ta “fryjnë” për këtë garë ca hiena që janë në lidershipin e PD-së, të cilët do të ishin të parët që do t’ia sabotonin fushatën në Tiranë, me qëllim që pas humbjes eventuale ta çonin z. Basha në “gijotinë”. Tirana do të jetë sfidë shumë serioze për PD-në, pasi ka vite që ne nuk fitojmë në Tiranë dhe rezultati vetëm sa përkeqësohet nga zgjedhjet në zgjedhje, ndërkohë që asnjë analizë nuk është bërë për këto rezultate gjithnjë e më negative. Nëse lidershipi kënaqet duke fituar në Shëngjergj dhe nuk shqetësohet nga humbja në Tiranë në këmbim të qëndrimit të tij në pushtet, atëherë ky është problem tjetër. Por qytetaria e Tiranës, që ka një kontribut të jashtëzakonshëm për demokracinë shqiptare gjatë këtyre 20 viteve, dëshiron t’i kthejë Tiranës qytetarinë e saj.

Si e gjykoni votimin e dyfishtë të Parlamentit për dekretin e Presidentit për ligjin e pronave?

E gjykoj ashtu siç është, një shkelje të Rregullores së Kuvendit, të ligjeve përkatëse dhe të Kushtetutës së vendit. Populli thotë “shih e shkruaj”. Shih kush drejton Parlamentin apo qeverinë. Janë e njëjta gjë, “Ali Hoxhë, Hoxhë Ali”, dhe arrin në konkluzion se çfarë mund të presësh prej tyre veçse skema të tilla të denja për junta ushtarake në Afrikë, Azi apo Amerikën e Jugut. Votimi i dyfishtë në Parlament përbën edhe fundin e demokracisë parlamentare. Kur përfundon demokracia aty ku duhet të jetë tempulli i saj, ku pritet që të ketë demokraci?!

23 Shtator 2010

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›