Gjinushi: Gjinushi: Zgjedhjet, jo me marrëveshje të minutës së fundit
Fletët e votimit janë nën administrimin e komisionit hetimor parlamentar dhe ato nuk mund të digjen nga KQZ-ja. Kështu shprehet kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, i cili pohon se nëse digjen provat e manipulimit të zgjedhjeve të kaluara, atëherë digjet jo vetëm Ristani, por edhe Berisha. Ai komenton situatën politike në vend dhe nuk qartëson ide për aksionin në vijim të opozitës, duke u treguar i prerë se zgjedhjet e ardhshme nuk bëhen me Berishën kryeministër dhe pa garanci për standarde.
Pas një viti aksioni opozitar për transparencën e zgjedhjeve, si i vlerësoni reagimet e maxhorancës dhe të opozitës?
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, maxhoranca dështoi në detyrimin për të vënë standardet zgjedhore, zgjedhje që kanë besimin e popullit, çka do t’i hapte rrugën reale Shqipërisë për të qenë një vend normal, për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Europa njeh vetëm zgjedhje të standardeve. Me gjithë këto shkelje të standardeve, me gjithë probleme të shumta që numërohen në raportin e OSBE/ODIHR-it, përsëri qeveria aktuale nuk e mori votën e popullit. Ashtu si në vitin 2005, për shkak të Dushkut dhe të LSI-së, edhe në vitin 2009, për shkak të manipulimeve, krijoi një qeveri ilegjitime, pra të pabazuar në votën e popullit. Le të marrim LSI-në: Populli votoi LSI-në sepse kjo forcë ishte më e vendosura për të larguar Berishën; ishte pjesa më socialiste brenda së majtës, në ndryshim nga pjesa nanoiste apo ajo që mbështeste Edi Ramën.
Për këto arsye, në kushtet e një rezultati të ngushtë, patjetër që opozita ka detyrimin jo thjesht për të mbrojtur pushtetin e vet, por për të mbrojtur deformimin e votës. Dhe në këtë aspekt, i dëmtuari kryesor nga ky deformim është populli shqiptar. Opozita ka detyrimin që të kërkojë pse nuk u plotësuan standardet, dhe jo thjesht nëse u numëruan në rregull apo jo. Mbështetur edhe te raporti i OSBE/ODIHR-it, ku listohen një mori shkeljesh, ligjërisht një shkelje e konstatuar hetohet. Kushtetuta e Shqipërisë urdhëron Kuvendin që në rastin kur pakica konstaton se ka shkelje, një kërkesë të tillë nuk mund ta ndalojë askush, edhe Gjykata Kushtetuese, që ka bërë interpretimin, ku pjesë e hetimit është një shkelje e ligjit, nuk mund të diskutohet apo refuzohet hetimi.
Po opozita sa ka bërë për hetimin?
Me gjithë të mirat dhe të këqijat, opozita, e cila humbi zgjedhjet jo me votë populli dhe jo realisht, ishte detyruar që të kërkonte hetimin; detyrim ky ndaj votuesve të saj, ndaj standardeve të kërkuara për Shqipërinë dhe detyrim ndaj partive përkatëse. Kjo është një e drejtë kushtetuese. Opozita ka të drejtë kontrolli pasi nëse shumica vendos për gjithçka apriori, pakica kontrollon për gjithçka. Me kaq mbyllet edhe debati për hetimin e zgjedhjeve. Opozita nuk mund të pranonte vjedhjen e votës dhe të shpresonte procesin zgjedhor të radhës. Për pasojë, edhe bojkoti i opozitës ishte i domosdoshëm, sepse ti bojkoton një Kuvend, sepse jo vetëm vihet në dyshim legjitimiteti i tij, si në raportin, si në ngushtësinë e rezultatit dhe në të dhënat e tjera. Por, ky Kuvend nuk pranon të të japë të drejtën themelore të përcaktuar në Kushtetutën e Shqipërisë. Kjo është një supershkelje. Pra, një opozitë që nuk mund të ushtrojë të drejtat kushtetuese, si mund të quhet opozitë?
Çfarë i mbetet opozitës kur maxhoranca nuk po ofron një vullnet politik për hetimin e plotë të zgjedhjeve?
Më thuaj një vend që për mungesë vullneti të shumicës, pakica nuk mund të ushtrojë të drejtën e saj kushtetuese. A quhet ky demokratik, ligjor, kushtetues? A konsiderohet pretendent për në BE? Jo. Nuk është i tillë. Këtu është kriza shqiptare. Për katër vjet Kuvendi nuk ka funksionuar si Kuvend. Me të drejtë ai u mbyll si motel. Saliu sillej si pronar moteli, deputetët trajtoheshin si klientë dhe Jozefina si menaxhere. Mjafton fjalimi i Saliut në dhjetor për të kuptuar se çfarë Kuvendi është ai. Berisha kërkon për të hetuar atë që kërkon ai. Kontrolli dhe hetimi nuk është kompetencë. Çdokush ka të drejtën e informimit. E drejta për të hetuar nuk është kompetencë. Nga hetimi del e vërteta. Hetimi nuk është në favorin e askujt, por është në interesat e të gjithëve; dhe mbi të gjitha, është në favor të së vërtetës.
Në këtë rrethim që ju e vlerësoni si “antidemokratik, si duhet të veprojë opozita?
Përderisa ka një votë të dhunuar, nuk është anormale që opozita ta bëjë ndryshimin me zgjedhje. Vota vidhet. Atëherë opozita zgjedh mekanizimin kushtetues për të verifikuar votën e vjedhur, për të parë legjitimitetin e pushtetit. Dhe, mbi të gjitha, që nuk mund të ecet më me zgjedhje jashtë standardit. Kur një të drejtë nuk ta jep Kuvendi, është absurde që të thuash luftoni brenda në Kuvend. Ai Kuvend, kur nuk njeh të drejtën e votës, kur nuk të jep të drejtën e hetimit, të drejtën kushtetuese, ai nuk është më Kuvend. Edhe kur opozita shkoi në Kuvend, kur gjithçka ishte nën monitorimin e gjithë organizmave ndërkombëtarë, maxhoranca u soll më keq. Maxhoranca shkoi deri në skandalin për të vjedhur iniciativën. Opozita është e dëbuar dhe e përjashtuar nga procedura parlamentare.
Por çfarë alternativash shtrohen për opozitën?
Tashmë opozita ka fituar një mbështetje ndërkombëtare totale në kërkesën e saj për hetimin e zgjedhjeve në mënyrë të pakufizuar. E vetmja gjë që nuk ka ecur si duhet që prej miratimit të Rezolutës së KiE-së është zvarritja. Që atëherë kishte vend vetëm për dy alternativa: o zgjidhje, o zgjedhje. Nëse në katër vjet ka pasur shumë skandale, kjo qeveri, në 1.5 vjet ka thyer rekordin e të gjitha skandaleve. Pra, kutitë e votimit dhe kutitë e korrupsionit mbyllen dhe hapen njëkohësisht. Aksioni politik i opozitës është ky: opozita nuk ka ç’të lëshojë më, sepse lëshon votën, lëshon të drejtën e votimit, lëshon institucionet që janë pushtuar të gjitha; së dyti, maxhoranca jo vetëm nuk ka reflektuar, por po bën të kundërtën.
Po debatohet shumë për djegien e fletëve të votimit. Sa ligjor është një veprim i tillë nga KQZ-ja?
Kur Kuvendi nis një procedurë hetimi, kutitë janë nën administrimin dhe përgjegjësinë e tij, dhe jo të KQZ-së. Për çdo gjë vendos komisioni hetimor. KQZ-ja e ka pasur në dorën në periudhën e numërimit, rinumërimit, deri në magazinimin e tyre. Në kushtet kur opozita kërkon hetimin, kërkesë e mbështetur edhe nga ligji dhe ndërkombëtarët, KQZ-ja thotë se do të djegë fletët e votimit, pra do të djegë provat. Hetimi parlamentar ka të njëjtat tagre në administrimin e provës si Prokuroria. Nëse do të bëjë një gjë të tillë, atëherë futet në lojë Kodi Penal, pasi zhdukja e provës është krim. Këtu vepron Kodi i Procedurës Penale, ligji i komisioneve hetimore etj. Në rastin konkret, KQZ-ja është një organ nën hetim dhe pret se çfarë do të vendosë organi hetimor. Ndryshe, Ristani do të djegë kutitë, veten dhe Saliun.
Por komisioni thjesht është ngritur dhe më pas është refuzuar nga opozita?
Deri tani Kuvendi ka marrë një vendim për hetim, por ka kontradiktë për përbërjen, për fuqinë e këtij komisioni.
Zoti Gjinushi, nuk po marrim përgjigje se si duhet të veprojë opozita në ditët në vijim?
E thashë, opozita nuk ka ç’të lëshojë më. I konsumoi të gjitha mjetet. Këtë të keqe që bëri Berisha në 2009-n, ai kërkon ta bëjë prapë. Pra, këtu shtrohet pyetja më shumë se asnjëherë tjetër: Si mund të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme në të ardhmen? Çfarë masash janë marrë? Asnjë: Opozita e ka për detyrë që të hyjë vetëm në zgjedhje me standarde. Me këtë qeveri asnjë shqiptar nuk beson më në zgjedhje të standardeve. Opozita nuk mund të shpresojë që me një marrëveshje të natës së fundit do të bëjë ca rregullime në Kod dhe në vitin 2011 do të ndodhë mrekullia. Me këtë qeveri nuk ka më zgjedhje të tjera. Me këtë KQZ nuk mund të bëhen zgjedhje, ajo është një kamikaze. Ajo është shkaktarja kryesore e vjedhjes, sepse vendimi për të mos rinumëruar fletët nuk është i Kolegjit, por i KQZ-së. Kolegji, nëpërmjet ca bombave, u tremb që të mos zbatonte ligjin.
Presidenti ka dekretuar një datë për zgjedhjet lokale. A mund të flitet për realizim reforme në këto kushte?
Presidenti është detyruar formalisht që të zbatojë Kodin. Po i kthehem sërish pyetjes që bëra më parë: A do të ketë zgjedhje, qoftë të parakohshme apo vendore, sipas standardeve? Sepse nuk mund të kalojnë 20 vjet dhe të themi: ta provojmë edhe një herë, sidomos me këtë qeveri që pas zgjedhjeve të vitit 2005 ka bërë zgjedhjet e 2007-s, të cilat u konsideruan nga ndërkombëtarët “një shans i humbur”. Bëri zgjedhjet e vitit 2009 dhe, falë qëndrimit konstruktiv të opozitës, u konsideruan të mira. Lakrat dolën prapa. E megjithatë, raporti i OSBE/ODIHR-it është më kritik sesa ai i vitit 2005. Çdo parti, sidomos partia kryesore e opozitës, duhet të shohë tani nëse do të plotësohen standardet zgjedhore për procesin në vijim. Treguesit janë përkeqësues. Me sjelljen e maxhorancës ndaj hetimit të zgjedhjeve që sapo kaluam legjitimohet vjedhja e tyre sepse askush nuk do të ketë frikë nga ndëshkimi nëse futen duart në zgjedhje.
Ju keni qenë mbështetës i përhershëm i një të majte të bashkuar. A e kërkon koha që të rimerret seriozisht një ide dhe një nismë e tillë?
E majta ka hezituar që të bëjë bashkime reale. Ky është defekti kryesor. Ajo çka është më e keqja, gabimet më të mëdha janë bërë para zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve partitë shohin interesat. E majta ka gabuar në këtë aspekt, sepse PS-ja ka dashur gjithmonë aleanca që “na duhet, p.sh. PSD-ja, por të mos na marrë gjë, apo të na dëmtojë sa më pak”. Ky problem është i kushtëzuar nga klanet dhe shitjet. Fenomeni më negativ i politikës shqiptare është shitblerja. Në vitin 2005 dhe në vijim doli edhe shitblerja e partive, duke i thënë popullit se voton kot për alternativat. Ky fenomen ka ndodhur më shumë te partitë e majta, sepse e djathta ka para, përdor dosjet e korrupsionit. E kaluara e hidhur e së majtës do të duhet të jetë një leksion i mirë për udhëheqjen e tanishme që të rregullojnë defektet e deritanishme.
19 Shtator 2010