PDU ndihmë prej 30 milion lekë për Shkodrën
Me qëllim shprehjen praktike të këtij sensibilizimi, Partia Drejtësi dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të rinj, si edhe sipërmarrës, mbështetës të kësaj partie kanë dorëzuar sot ndihmat e tyre. Delegacioni, i drejtuar nga kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi u prit nga prefekti i Qarkut Shkodër dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës. PDU i dorëzoi shtabit të emergjencës një ndihmë prej 30 milionë lekësh të vjetra, një transformator që mund të përdoret në lagjet e Shkodrës ose në fshatrat përreth, si edhe dhjetra ton ushqime, veshmbathje, ilaçe dhe ushqim për bagëtinë, me vlerë më shumë se 40 mijë eurosh. Gjatë takimit të zhvilluar në shtabin e emergjencave, në emër të PDU-së, kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi tha se “shqiptarët u janë gjendur gjithnjë afër bashkombasve të tyre në rastet kur ata kanë pasur nevojë. Katastrofa të këtij lloji që ndodhin një herë në 100 vjet e vërtetojnë këtë fakt me solidarizimin e qindra mijra qytetarëve me banorët e Shkodrës dhe të Lezhës.”Duke folur mbi këtë solidaritet z. Idrizi vendosi theksin në rrënjët historike të solidaritetit shqiptar. “Cili komunitet tjetër mund të ishte më solidar sot sesa çamët, kur shqiptarët e tjerë, përfshi edhe shkodranët hapën dyert pas atij gjenocidi që u ndodhi dhe i ndihmuan me sa kishin mundësi”, tha Idrizi.