E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitingu i jashtëzakonshëm, Bregu: Nuk matëm forcën, por mbështetjen



Mitingu i jashtëzakonshëm i 8 Dhjetorit në sheshin “Skënderbej” për demokratët nuk synonte matjen e forcës, por mbështetjen e madhe që qeveria gëzon tek mbarë qytetarët shqiptarë. Në gjykimin e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, pjesëmarrja masive në shesh, me datën 8 dhjetor, ishte një mbështetje e qartë ndaj reformave të qeverisë dhe sukseseve të saj, por dhe konfirmim i fitores së të djathtës në zgjedhjet e 28 qershorit. “Besoj që nuk ishte ditë për të matur forcat mes dy kampeve, ishte një ditë për të festuar të gjithë, por thënë kjo, nuk do të thotë që njerëzit që ishin në shesh, nuk ishin për të konfirmuar edhe një herë besueshmërinë që kanë ndaj kësaj qeverie, ndaj kësaj mazhorance, e cila ka vazhduar me ndryshimin e saj që nga viti 2005. Komentet e tjera për mua kanë pak rëndësi”, - tha znj. Bregu. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu bëri të qartë se mazhoranca ka ezauruar të gjitha ofertat ligjore për të arritur konsensus me opozitën, në mënyrë që ajo të ndërpresë bojkotin. Sipas saj, i takon PS-së të dëgjojë apelin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për dialog brenda parlamentit. E pyetur nga gazetarët për mundësinë e një konsensusi mes palëve, për hir të procesit të integrimit të vendit, znj. Bregu bëri të qartë se në asnjë rast nuk ka munguar gatishmëria e mazhorancës për të dialoguar me opozitën në sallën e Kuvendit. Sipas saj, kjo ftesë ka qenë konsekuente gjatë 4 muajve pas zgjedhjeve të qershorit, duke sjellë në vëmendje përgjigjen e opozitës me një lumë akuzash, pra një disbalancë totale. “Njerëzit e mbajnë mend fare mirë qetësinë nga e cila u karakterizuan zgjedhjet e 28 qershorit dhe maturinë me të cilin u pritën dhe vendimet e mëdha që u morën si rezultat i konfirmimit të këtyre zgjedhjeve, vendimi që u mor më 16 nëntor nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, pikërisht sepse ka ekzistuar ftesa për dialog nga kjo mazhorancë, pikërisht se është vlerësuar dëshira e kësaj qeverie për të gjetur zgjidhje, atje ku është vendi ku jepet zgjidhje, në Kuvendin shqiptar, ka pasur edhe një mirëbesim për të vazhduar më tej me reformat”, - deklaroi znj. Bregu. “Këto aktivitete që bëjmë ne, - shtoi ajo, - për të cilat ju falënderoj, sepse keni qenë prezentë, janë vetëm elementë për të krijuar panoramën e madhe të volumit të punës që kryhet në institucionet shqiptare sot dhe momentin të cilin kemi përjetuar dhe jemi pjesë si qytetarë shqiptarë, pastaj si politikanë”. Ministrja e Integrimit shprehu shqetësimin se fatkeqësisht nuk është perceptuar si i tillë dhe fatkeqësisht kjo gjë po mundohet të manipulohet nga një person që qëndron në krye të Partisë Socialiste. Znj.Bregu përmendi dje se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për t’u komentuar simboli dhe festimi i ditës simbol të rinisë dhe pluralizmit në Shqipëri, një ngjarje unikale në Shqipëri; ata që nisën ndryshimet dhe që përmbysën komunizmin 19 vjet më parë, janë përsëri sot protagonistë të ngjarjeve më të mëdha, janë protagonistë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, të ndryshimeve të ndodhura në këtë vend, protagonistë të anëtarësimit shumë të shpejtë të Shqipërisë në BE. Sipas ministres Bregu, nuk ka asnjë ngjyrim tjetër që të rrënojë emocionin e 500 mijë njerëzve që ishin dje jo vetëm në sheshin “Skënderbej”, por më së shumti në Rrugën e Durrësit, në Rrugën e Kavajës dhe të tjerë që u bllokuan dhe nuk arritën të afroheshin në grupin e madh të njerëzve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›