PE: Dialogu PS-PD është i nevojshëm

Zyrtari i lartë evropian shprehu besimin se liberalizimi i vizave për shqiptarët do të ndodhë gjatë verës së ardhshme.
TIRANË - Bashkimi Evropian ashpërson tonet e komunikimit me politikën shqiptare, duke kërkuar prej saj zgjidhjen sa më parë të situatën së krizës institucionale, në të cilën është përfshirë vendi që pas zgjedhjeve të 28 Qershorit të shkuar.
Kësaj radhe ka qenë kreu i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, ai që ka përcjellë një mesazh të fortë për klasën politike shqiptare, duke vlerësuar si të domosdoshëm dhe imediat zhbllokimin e situatës politike në vend.
Duke folur në Bruksel pas një takimi që zhvilloi me kryeparlamentaren shqiptare, Jozefina Topalli, Buzek theksoi se BE-ja pret zgjidhjen e situatës së krijuar në parlament nga bojkoti i opozitës, duke konsideruar veprimin e kësaj të fundit si jo pozitiv për objektivat integrues të vendit. "Nëse ju doni të ndryshoni gjërat në vendin tuaj, ju duhet bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës.
Ne e dimë që ka gjithmonë tensione mes qeverisë dhe opozitës, si në çdo vend demokratik, por bashkëpunimi është i nevojshëm, veçanërisht në këtë moment, kur qeveria dhe opozita duan t'i bashkohen familjes evropiane.
Prandaj, nga kjo pikëpamje, një bojkot i tillë është i keq, shumë i keq", - tha Buzek, duke iu përgjigjur gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp të dhënë në Bruksel.
Por, megjithatë, BE-ja heziton që të ndërhyjë në këtë situatë për të negociuar mes palëve në këtë konflikt, duke iu përmbajtur vlerësimit se zgjidhja duhet të vijë nga vet politika shqiptare. "Kjo nuk jep shumë mundësi, por për ne është e pamundur ta zgjidhim këtë.
Ky është një problem i brendshëm i Shqipërisë dhe në po presim që ky problem të zgjidhet. Do të ishte shumë mirë nëse ne do të shikonim që i gjithë parlamenti punon", - tha më tej Buzek. Nga ana tjetër, pavarësisht situatës në vend zyrtari i lartë evropian shprehu besimin se liberalizimi i vizave për shqiptarët do të ndodhë gjatë verës së ardhshme.
Për këtë, ai tha se Parlamenti Evropian mbështet Shqipërinë për heqjen e vizave pas gjashtë muajsh. Ndërsa, duke folur për situatën e krijuar në veriperëndim të vendit për shkak të përmbytjeve, Buzek shprehu solidaritetin e tij me popullin shqiptar, si dhe ka vlerësuar ndihmën që BE-ja po i jep Shqipërisë në këtë situatë.
"Ne i vlerësojmë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të evakuuar njerëzit nga territori i rrezikuar. Parlamenti Evropian mbështet fort Komisionin Evropian në ndihmën që po i jep Shqipërisë. Është një situatë e veçantë dhe ne duhet të tregojmë solidaritetin tonë në këtë rast", - tha Buzek.