E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE, Kukan-Topit: Liberalizim vizave para verës

TIRANË- Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, gjatë një takimi sot në mesditë me Presidentin e Republikës Bamir Topi siguroi, se me përmbushjen e kritereve teknike, procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë do të bëhet realitet para fillimit të pushimeve verore.
Sipas njoftimit për shtyp nga Presidenca, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Tiranë z. Kukan dhe delegacioni që e shoqëron u takuan me Presidentin Topi, i cili vuri dukje angazhimin maksimal dhe vullnetin e duhur të shtetit shqiptar për të realizuar me sukses një sërë reformash të rëndësishme, sidomos në sistemin e drejtësisë, që do të plotësonin kuadrin e nevojshëm të standardeve integruese në familjen e madhe evropiane, një aspiratë kjo madhore e qytetarëve shqiptarë dhe përparësi kryesore e politikës sonë të jashtme.
Në këtë drejtim, Presidenti Topi ritheksoi faktin se liberalizimi i vizave për Shqipërinë me BE-në do të ishte një hap tepër pozitiv që do të afronte më tepër dhe jo vetëm shpirtërisht shqiptarët me familjen e madhe evropiane.
Në mënyrë të veçantë, gjatë bashkëbisedimit me z. Kukan, Presidenti i Republikës u ndal në prezantimin e situatës aktuale politike në vend, ku shprehu besim se partitë politike do të dinë të tregojnë vullnetin e tyre për kapërcimin e kësaj situate.
Presidenti Topi nënvizoi se zgjidhja institucionale e saj do t’i shërbente interesave madhore të qytetarëve shqiptarë për një të ardhme integruese në BE, një të ardhme më të sigurtë dhe me prosperitet.
Kreu i shtetit shqiptar dhe delegacioni i europarlamentarëve ndanë të njëjtin mendim përsa i takon realitetit të qëndrueshëm në Ballkan dhe rëndësisë së bashkëpunimit politik e ekonomik mes të gjitha vendeve të rajonit, të orientuara qartë tashmë drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe evropiane.
Nga ana e tij, drejtuesi i delegacionit europarlamentar për Evropën Juglindore, z. Kukan pasi çmoi përparimin e vendit tonë, që jo vetëm arriti të bëhej anëtar i NATOs-, por po ecën i sigurt drejt anëtarësimit në BE, vlerësoi rolin moderator dhe pozitiv të Presidentit Topi për realizimin e tryezës politike mes udhëheqësve të maxhorancës dhe opozitës, që prodhoi rifillimin e dialogut politik dhe hyrjen e opozitës në Parlament. Ai apeloi që ky dialog i nisur të vazhdojë e të forcohet sa më shumë për t'i dhënë zgjidhje përfundimisht situatës politike në vend.
Delegacioni i Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, i kryesuar nga Presidenti i tij, Eduart Kukan ndodhet në Tiranë për të parë nga afër plotësimin nga qeveria shqiptare të kushteve të kërkuara për liberalizimin e vizave me BE-në.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›