E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndikimi i Serbisë në veri të Kosovës, Ferati: Strukturat paralele kane fuqi

Ndikimi i Beogradit është i madh në veri të Mitrovicës, ku strukturat paralele serbe janë ende të fuqishme. Kështu u shpreh në një intervistë për Alsat, Ministri i Pushtetit Lokal të Kosovës, Sadri Ferati, duke shtuar se megjithë vështirësive për krijimin e komunës në veri të Mitrovicës, vendosmëria e institucioneve të Kosovës për të kthyer rendin dhe ligjin atje është e madhe.

“Do të jetë paksa më vështirë për shkak se interferimi i strukturave paralele, i politikave ekstreme, dhe i një dirigjimi nga ana e Beogradit është shumë më prezent sesa në lokalitetet tjera, por edhe mobilizimi ynë është më i fuqishëm në atë pjesë. Dhe po besoj se meqenëse ky është një projekt në rend të parë në interes të qytetarit, që ai tip menaxhoi me resurset e veta , që ai të menaxhoi me të gjitha kompetencat që parashikohen në nivelin lokal” tha Ferati.

Sipas Feratit, kushti kryesor për themelimin e komunës në veri të Mitrovicës është kthimi i gjykatave, doganave dhe fuqizimi i Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. “Aty nuk ka sundim të ligjit, aty ku njerëzit kanë marrë ligjin në dorë, aty ku njerëzit u kërcënohen njerëzve veç pse nuk janë ata vet, nënkuptohet se nuk është një ambient i përshtatshëm për të bërë ndryshime. Kthimi i gjykatave, doganave, fuqizimi i policisë së Kosovës, fuqizimi i EULEX-it dhe të gjitha komponentat tjera që parashikohen janë parakusht i domosdoshëm” tha Ferati.

Veriu i Mitrovicës vazhdon të jetë qendër e tensioneve dhe incidenteve ndër-etnike që nga përfundimi i luftës në qershor të vitit 1999. Që nga shpallja e pavarësisë në këtë pjesë të Kosovës nuk funksionojnë doganat në kufi me Serbinë, të cilat janë djegur nga serbët e revoltuar më 17 shkurt të vitit 2008. Mungesa e rendit dhe ligjit dhe mosfunksionimi i doganave i ka sjellë buxhetit të Kosovës miliona euro humbje në vit.

Bul Salihu Azhornuar së fundi ( e hënë , 22 mars 2010 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›