E Diel, 1 Nëntor 2026

PE, Kukan: Zgjidhni krizën, ndryshe nuk ka viza

Parlamenti Europian nuk do të vendosë mbi propozimin e Komisionit për heqjen e vizave me Shqipërinë, nëse nuk ka marrëveshje për zgjedhjet


BRUKSEL - Bashkimi Europian ka përforcuar presionin e tij ndaj klasës politike shqiptare, (kryesisht ndaj mazhorancës) se pa zgjidhur krizën politike, Shqipëria nuk do të përfitojë nga liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian.


Ky apel erdhi dje nga kreu i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan. Kukan, i cili ishte edhe pjesë e darkës së Strasburgut me liderët shqiptarë, specifikoi se Parlamenti Europian nuk do të japë aprovimin e tij për heqjen e vizave me Shqipërinë nëse europarlamentarët nuk do të kenë në tavolinën e tyre një marrëveshje të ardhur nga liderët politikë shqiptarë për zgjidhjen e krizës politike.


Duke iu referuar faktit që Parlamenti Europian do të marrë në vetvete një vendim politik për procesin e liberalizimit të vizave, Kukan vuri në dukje se nëse do të vazhdojë ende kjo situatë politike, atëherë kjo do të ndikonte negativisht tek vendimi i eurodeputetëve për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë.


Por, nuk është vetëm procesi i heqjes së vizave ai që rrezikohet nga kriza politike, por edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një kohë kur Shqipëria ka dorëzuar Pyetësorin pranë Komisionit Europian dhe kur pritet të dorëzojë më 10 qershor përgjigjet e 900 pyetjeve të reja, Kukan nënvizoi se hartimi i opinionit nga ana e Komisionit Europian për marrjen e statusit kandidat nuk mund të quhet i përfunduar pa u plotësuar kriteri politik.


"Pas udhëtimit të dy liderëve në Strasburg kuptohet që opozita po merr pjesë në Parlament. Por, rezultati i vlerësimit të Komisionit Europian mbi procesin anëtarësues pa llogaritur seriozisht situatën reale politike në Shqipëri nuk mund të quhet i përfunduar.


Nëse nuk ka marrëveshje, kjo do t'i bënte dëm vendit. Ky mendoj unë se është edhe mesazhi i qartë nga Parlamenti Europian, pasi pa këtë lloj marrëveshjeje gjërat nuk do të ecin përpara. Nuk mund të parashikoj sesi do të votojë Parlamenti Europian nëse propozimi legjislativ i Komisionit për vizat mbërrin, ndërkohë që nuk kemi ende një marrëveshje politike në Shqipëri.


Por mendimi im është se një gjë e tillë do të ndikonte negativisht tek shumë eurodeputetë nëse nuk do të kishte marrëveshje politike ndërkohë", - tha dje Kukan në një intervistë për Top Channel. Kukan theksoi gjithashtu se faktori ndërkombëtar e ka dhënë ndihmesën e tij, dhe se kriza politike duhet të zgjidhet nga liderët politikë, Rama e Berisha.


Ndërprerja e grevës së urisë nga ana e opozitës, sipas kreut të delegacionit për Ballkanin në PE, ishte një sinjal pozitiv për të arritur tek dialogu për ta kthyer vendin në normalitet. Sipas Kukan-it, kjo tashmë duhet të arrihet nga krerët e forcave politike shqiptare. "Vendimi u takon atyre të dyve. Ne u kemi thënë gjithçka mendonim për atë çështje që diskutohet.


Ndërprerja e grevës së urisë ishte një sinjal pozitiv nga opozita si provë që ajo ka vullnet për të biseduar e për të pasur dialog duke shpresuar një marrëveshje që mund ta kthente vendin në normalitet", - u shpreh ai. Më tej, Eduard Kukan nënvizoi se Bashkimi Europian po pret zgjidhjen e krizës politike nga aktorët politikë shqiptarë, pasi, sipas tij, shumë çështje kanë ngrirë.


Ai tha se iniciativa e përfaqësuesve të Parlamentit Europian për uljen në tryezën e Strasburgut të Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, që u pasua edhe me dërgimin e ekspertëve të Bashkimit Europian për të gjetur një zgjidhje të situatës politike nuk mund të dështojë.


Por, nëse ndodh e kundërta, sipas Kukan-it, nuk mund të merret me mend se çfarë do të ndodhte me Shqipërinë. "Marrëveshja është një dokument që firmoset nga dy apo më shumë palë dhe në këtë sens them se po presim për të reja nga Tirana.


Shpresojmë sinqerisht se do të kemi ndonjë lajm që marrëveshja u arrit, sepse shumë çështje kanë ngrirë. Fakti që Xhozef Dual dhe Martin Shulz përfshinë prestigjin e tyre personal duke u angazhuar plotësisht me tentativën për gjetjen e një marrëveshjeje, unë mendoj se këto janë prova fort të rënda. Në fakt nuk mund të imagjinoj që kjo iniciativë mund të dështojë. Më pas do të ishte shumë e vështirë të imagjinoje se çfarë mund të vijonte", - nënvizoi Kukan.


Ai shtoi se periudha e reflektimit nga ana e mazhorancës dhe opozitës shqiptare, që nga darka e Strasburgut, është deri në dy-tre javë, prandaj nuk mund të përcaktohet akoma se kur do të mbahet një takim i dytë midis Ramës dhe Berishës, që mund të shoqërohej edhe nga nënshkrimi i një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›