E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, rezolutë për mbrojtjen e Uidhersit. PD e injoron

Përmes deputetit Ilir Gjoni, PS ka kërkuar që Kuvendi të distancohet nga sulmet e adresuara ndaj diplomatëve në Tiranë nga disa individë të mazhorancës


TIRANË - Partia Socialiste jep alarmin se për shkak të deklarimeve dhe sulmeve të individëve të veçantë të mazhorancës së djathtë, Shqipëria po rrezikon të cenojë marrëdhëniet me superfuqinë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Ka qenë deputeti socialist, Ilir Gjoni, ai që duke marrë shkak nga qëndrimet e mbajtura nga përfaqësues të shumicës qeverisëse kundrejt ambasadorit të SHBA-së në vendin tonë Xhon Uidhers, ka shprehur dje në Komisionin e Politikës së Jashtme shqetësimin e tij dhe të forcës që përfaqëson se një gjë e tillë po bëhet shkak për ripërsëritjen e rendimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ashtu si gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike.


"Kohet e fundit në media të shkruara, elektronike, por dhe në qëndrime publike të mbajtura nga zyrtarë të lartë partiakë ka filluar një fushatë defamacioni, përmes sulmeve të porositura me sfond të qartë politik, në kundërshtim me protokollin zyrtar, kodin etik e politik, etikën e komunikimit, rrugët diplomatike të reagimit dhe interesin madhor të shqiptareve ndaj përfaqësuesit kryesor të SHBA, ambasadorit Xhon Uidhers", - tha deputeti socialist Ilir Gjoni dje në Komisionin e Politikës së Jashtme, duke u bërë edhe shkak i një debati me përfaqësuesit e djathtë të cilët janë detyruar t'i ndërpresin atij edhe fjalën me argumentin se deklarata të tilla politike s'mund të bëhen në atë tryezë.


Pavarësisht kësaj, Gjoni në emër të PS-së ka dënuar këto deklarata, megjithëse nuk ka dashur ti konsiderojë ato si qëndrime zyrtare të mazhorancës.


"Unë dhe forca politike që përfaqësoj e dënojmë ashpër një veprim të tillë duke i konsideruar gjithsesi këto sulme si lajthitje të disa individëve naive, me dhe pa pushtet, dhe që në asnjë mënyrë nuk shprehin ndjenjat dhe qëndrimet e shqiptarëve ndaj përfaqësuesve të SHBA dhe në veçanti ndaj Ambasadorit Uidhers", - shtoi Gjoni.


Më tej, ai i ka bërë thirrje komisionit të Politikës së Jashtme që të mbajë një qëndrim distancues ndaj këtyre deklaratave, si dhe të mbështesë përfaqësuesin e SHBA-së në vendin tonë, ambasadorin Xhon Uidhers.


"Unë i bëj apel këtij Komisioni të dalë me qëndrim të qartë në mbështetje të funksionarit të lartë të Administratës Amerikane, duke u deklaruar pa ekuivok se ai dhe të gjithë përfaqësuesit diplomatikë të kësaj përfaqësie në vendin tonë do të gëzojnë të gjitha të drejtat, që përfitojnë nga statusi i tyre i diplomatit dhe se distancohemi nga sulmet e paprincipta të adresuara ndaj diplomatëve të vendeve të ndryshme të akredituar në vendin tonë kur ato kryejnë funksionet e tyre diplomatike në përputhje me statusin e tyre", - tha Gjoni.


Në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Politikës së Jashtme Gjoni i ka kërkuar edhe Ministrit të Jashtëm që të mbajë qëndrim ndaj atyre që ai i ka cilësuar edhe si sulme denigruese që i bëhen Ambasadorit Uidhers si i dërguar i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e ftuar njëkohësisht atë që të marrë përgjegjësinë e tij si përfaqësues i Qeverisë Shqiptare për sqarim, konsultim dhe transparencë publike mbi qëndrimet e ekzekutivit.


Në listën e institucioneve që duhet të mbajnë qëndrim lidhur me këto deklarata Gjoni ka renditur edhe atë të kreut të shtetit, i cili, sipas tij, duhet të luajë rolin që i takon për sa i përket ruajtjes së marrëdhënieve me ambasadorët, të cilëve ai u pranon dhe letrat kredenciale gjatë emërimeve të tyre.


"Është në nderin dhe detyrën edhe të Presidentit të Republikës, si personi pranë të cilit Ambasadori është akredituar që të thotë fjalën e tij lidhur me këtë skandal", - theksoi anëtari i Komisionit të Jashtëm Ilir Gjoni. Shqipëria, sipas tij, ka një të shkuar të afërt të hidhur në marrëdhëniet mes zyrtarëve tanë me ato të SHBA-ve kostot e të cilës i ka pësuar një herë.


Ndaj është shprehur Gjoni "papërgjegjshmëria e atyre pseudo-politikanëve e aq më tepër pseudo-analistëve nuk duhet lejuar për asnjë moment që të helmojë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA".


Reagimi i socialistëve erdhi pikërisht pas një sërë deklaratash të ashpra që përfaqësues të së djathtës kanë bërë kundrejt qëndrimeve apo ndërhyrjeve publike që ambasadori Uidhers ka bërë si për ligje problematike ashtu edhe për emërimet në gjykata.


Debati në Komisionin e Jashtëm
Ilir Gjoni:


"Dëshiroj të bëj këtë deklaratë para këtij Komisioni të nderuar me bindjen se do të gjej mbështetjen dhe përkrahjen edhe tuajën lidhur me problemin e mëposhtëm: Kohët e fundit në media të shkruara, elektronike, por dhe në qëndrime publike të mbajtura nga zyrtarë të lartë partiakë ka filluar një fushatë defamacioni, përmes sulmeve të porositura me sfond të qartë politik, në kundërshtim me protokollin zyrtar, kodin etik e politik, etikën e komunikimit, rrugët diplomatike të reagimit dhe interesin madhor të shqiptarëve ndaj përfaqësuesit kryesor të SHBA, ambasadorit John Withers"


Fatos Beja:


"Të lutem z. Gjoni, ky nuk është vendi i duhur për të bërë deklarata të tilla. Nëse doni të mbani qëndrime politike dilni jashtë dhe flisni sa të doni për mediat"


Ilir Gjoni:


"Unë besoj se ky është komisioni përgjegjës për marrëdhëniet me diplomatët e huaj..."

Luçiano Boçi:


"Ju s'mund të bëni show politik këtu. Ky është komision serioz..."

Arta Dade:


"Ju kush jeni që ndërhyni. Komisioni ka një kryetar që drejton, ndaj mos e ndërprisni z. Gjoni që të shprehë shqetësimin e tij për një problematikë të tillë"


Luçiano Boçi:


"Unë jam sekretar i komisionit dhe ndaj kërkoj që të ndërpritet të flitet për një çështje që nuk ka të bëjë fare me rendin e ditës".


Ilir Gjoni:
"Situata është shumë serioze, ndaj Komisioni duhet të mbajë qëndrim për këto deklarata..."

Kreu i Komisionit ka mbyllur mbledhjen, ndërsa deputetët e djathtë kanë lënë komisionin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›