Zjarret, skuadër e përbashkët Shqipëri- Kosovë

TIRANË- Vendet fqinje të Shqipërisë pritet të bashkëpunojnë me shtetin shqiptar për të pasur një ndërhyrje të përbashkët ne rastin e përfshirjes së territorit nga zjarret. Kjo u bë dje e ditur nga ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, në Konferencën Kombëtare për "Mbrojtjen e Pyjeve dhe Kullotave nga Zjarret", organizuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe ajo Brendshme.
Sipas Bashës, janë në përfundim marrëveshjet operative me Turqinë, Maqedoninë dhe Kosovën për të përballuar situatat e shkaktuara nga rënia e zjarreve gjatë stinës së verës. Gjithashtu bashkëpunimi do të synojë edhe nënshkrimin e kontratave me vendet fqinje për mjete ajrore për shuarjen e zjarreve të cilat mund të kërkohen sipas nevojës.
"Detyrë kryesore është bashkimi i rezervave ekzistuese potenciale të vendit për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, forcimin e bashkëpunimit, parapërgatitjen dhe mbrojtjen nga rreziqet, në veçanti mbrojtjen e pyjeve nga zjarret" u shpreh dje Basha në punimet e konferencës.
Ndërkohë që prefektët e qarqeve në të gjithë vendin duhet të japin udhëzime për rivlerësimin e rrezikut të zjarrit në territorin e tyre. Sipas ministrit Basha, duhet edhe një angazhimi i Institutit të Energjisë, Ujit dhe Mjedisit për të paraqitur në kohë të dhënat dhe parashikimet klimaterike për të gjithë vendin dhe sipas zonave të caktuara, që rrezikohen nga zjarret.
Në diskutimet e konferencës u kërkua që të ketë një bashkëpunim mes strukturave lokale drejtoritë e policisë, strukturave të emergjencave, të zjarrfikëseve dhe të shërbimit pyjor, për të parandaluar rënien e zjarreve në territoret e rrezikuara.