E Diel, 1 Nëntor 2026

PE-ja dënon sulmin izraelit ndaj flotiljes me ndihma

Projekt-rezoluta e përgatitur bashkërisht nga grupet politike në Parlamentin Evropian në lidhje me situatën humanitare në Gaze dhe sulmin e fundit të Izraelit u pranua me 470 vota "pro", 56 vota "kundër" dhe 56 vota "abstenim".

Në rezolutë sulmi i Izraelit është vlerësuar si "shkelje e të drejtës ndërkombëtare".

"Zhvillimet e fundit kanë shkaktuar dëme serioze në marrëdhëniet turko-izraelite. Parlamenti Evropian inkurajon qeverinë e Turqisë për të bërë përpjekje diplomatike dhe politike për lehtësimin e barrës që rëndon mbi popullin palestinez dhe kontribuar në procesin e paqes në Lindje të Mesme",- thuhet në rezolutë.

Ndërkaq ka zhvilluar mbledhjen e parë komisioni hetimor që ka ngritur Izraeli për sulmin kundër anijeve që dërgonin ndihma humanitare në Gaza. 2 anëtarët e komisionit pa të drejtë vetoje dhe në statusin e vëzhguesit ndërkombëtar nuk morën pjesë në këtë mbledhje. Kryetari i Komisionit, gjykatësi në pension Jacob Turkel, në deklaratën që bëri pas mbledhjes tha se hetimi do të përfundojë shumë shpejt.

Kurse kabineti izraelit dje mori vendim për lehtësimin e bllokadës në Gaza. Në deklaratën që u bë pas mbledhjes së qeverisë u tha se do të lejohet kalimi i më shume mallrave që kanë nevojë civilët. Sipas deklaratës do të lejohet kalimi i materialeve të ndërtimit, të ndaluar më parë, por me kusht që këto të përdoren në projektet civile me mbikëqyrje ndërkombëtare.

Deklaratat e para që kanë ardhur nga bashkësia ndërkombëtare thonë se vendimi izraelit për lehtësimin e bllokadës nuk është i mjaftueshëm. Hamasi e ka vlerësuar si të pamjaftueshme lehtësimin e bllokadës tokësore që ka bërë Izraeli ndaj Gazë dhe bëri thirrje për heqjen plotësisht edhe të bllokadës tokësore, edhe të asaj detare.

Zëdhënësi i Hamasit tha se Izraeli bën propagandë përmes medias duke thënë se ka lehtësuar bllokadën tokësore, ndërsa shtoi se kanë nevojë për çimento dhe hekur për të rindërtuar Gazën e shkatërruar në sulmin izraelit vitin e kaluar.

Kabineti izraelit nuk e hoqi bllokadën detare ndaj Gazës, por lejoi transportimin në Gaza të materialeve të nevojshme si peshqirë, letër, ushqime, lodra për fëmijë, enë kuzhine. Izraeli ruajti përsëri ndalimin e hyrjes në Gaza të materialeve të ndërtimit si çimento, hekur me arsyetimin se Hamasi do t'i përdorë këto në ndërtimin e objekteve ushtarake.

Ndërkaq marina izraelite ndjek nga afër anijet me ndihma që janë nisur nga Irani për në Gaza. Bëhet e ditur se autoritetet ushtarake izraelite janë të shqetësuara për anijen me ndihma, që niset javën e ardhshme nga Libani dhe në bordin e të cilës do të ketë gra. Marina izraelite është e shqetësuar për mundësinë se nuk do të arrijë që të ndalojë në kohë anijen për shkak të distancës së shkurtër ndërmjet Libanit dhe Gazës.

Irani një anije me ndihma e kishte dërguar ditët që lamë prapa, dhe kishte deklaruar se javën e ardhshme do të dërgojë edhe anije të tjera.

Ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendimin e Izraelit për lehtësimin e bllokadës tokësore ndaj Rripit të Gazës e kanë cilësuar si "një hap të hedhur në drejtimin e duhur". Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs, tha se e kanë pritur me kënaqësi vendimin e Izraelit.

Supermarketet më të njohur në Izrael hoqën dorë nga bojkotimi i produkteve turke. Ministri i Industrisë, Tregtisë dhe Punës së Izraelit, Ben Eliezer paralajmëroi se bojkotimi i mallrave turke do të përkeqësonte edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet Ankarasë dhe Tel-Avivit.

Eliezer theksoi se tregtia dhe politika duhet të ndahen nga njëra-tjetra. Edhe pronarët izraelitë të marketeve deklaruan se do të veprojnë sipas thirrjes së ministrit të tyre. Turqia eksporton në vit drejt Izraelit mallra marketi me vlerë 93 milionë dollarë./trt/start/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›