E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Të zgjidhet kriza; Leterme: Mbështetje për vizat

Kërkesa më e fundit ka ardhur nga zyra e komisionerja e Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherin Ashton, e cila thekson se zgjidhja e këtij ngërçi do t’i jepte vendit më tepër mundësi për ndërmarrjen e reformave.

"Në mënyrë që të gjendet zgjidhja ndaj këtij ngërçi politik, dhe për të çuar përpara reformat që janë të domosdoshme për Shqipërinë që të bëjë progres drejt BE-së, tashmë e ka në dorë qeveria dhe opozita që të gjejnë zgjidhjet, në mënyrë transparente e duke respektuar kushtetutën e vendit”, tha zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic, për tch.

Ajo shtoi se mesazhi i BE-së është i qartë dhe se dy liderët kryesorë duhet të punojnë fort për të gjetur një rrugëzgjidhje.

Belgjika merr në Korrik kryesinë e radhës së BE

Belgjika e cila do të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, duke filluar nga 1 Korriku, do të ofrojë mbështetjen për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Megjithëse Belgjika është përfshirë në zgjedhje dhe nuk ka ende një lloj presime për krijimin e qeverisë së re, qeveria në largim do të duhet të qëndrojë në pushtet edhe disa muaj. Për këtë arsye, kryeministri aktual Yves Leterme, u shpreh se qeveria belge është e përgatitur për të marrë presidencën e radhës së BE-së dhe se do të ofrojë mbështetjen për vizat.

“Po. Nëse kushtet janë përmbushur, ne jemi partizanë të heqjes së vizave. Mendoj, se është një moment historik që të afrojmë vendet e Ballkanit dhe të bëjmë të mundur anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, por sigurisht kur këto vende të jenë gati”, tha kryeministri belg.

Ai shtoi se bëhen përgatitjet për të marrë kryesinë e radhës së BE-së. “Javën tjetër do të takohem me grupet politike të Parlamentit Evropian për të diskutuar programin Pavarësisht nga evenimentet politike post-zgjedhore në Belgjikë që vazhdojnë aktualisht për formimin e një qeverie të re belge, mendoj, se është shumë e rëndësishme, që Belgjika të ndjekë rrugën e duhur dhe që të menaxhojë siç duhet presidencën rrotulluese të BE-së. Duhet të bashkojmë forcat, që Belgjika të arrijë një presidencë të suksesshme”, tha ai për tv Klan.

Më tej, Leterme u shpreh se Belgjika është në favor të zgjerimit, por siç tha ai “vendet kandidate duhet ta meritojnë statusin e vendit kandidat. Dhënia e statusit të kandidatit apo hapja e negociatave të anëtarësimit do të bëhet mbi bazën e kritereve objektive”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›